Çrregullimi i grumbullimit të sendeve…

Life style

Çrregullimi i grumbullimit të sendeve…

Më: 10 mars 2022 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Rrëmujë… vështirësi në hedhjen e gjërave…shtëpi e tejmbushur me gjëra të vjetra, të prishura që nuk përdoren kurrë… Çrregullimi i grumbullimit është një gjendje e shëndetit mendor që karakterizohet nga ruajtja e artikujve që duket se kanë pak ose aspak vlerë, shpesh duke grumbulluar revista, postera, gazeta veshje e sende të reja e të vjetra.

Ruajtja e një numri të tepërt të objekteve të rastësishme është shenja e parë e çrregullimit të grumbullimit. Gradualisht, krijohet rrëmuja deri në mungesë hapësire për të jetuar.  Për një individ që vuan nga ky çrregullim, një qese e mbushur me tapa shishe duket shumë e bukur… por për familjarin që sheh shtëpinë të mbushur me plehra situata bëhet shqetësuese.

Çrregullimi i grumbullimit kompulsiv të gjërave bën pjesë në klasën e çrregullimve obsesive kompulsive. Sipas të dhënave nga NAMI, 5% e popullatës botërore është e prekur nga ky problem mendor (1 në 50 persona) kryesisht në vendet perëndimore, mes të cilëve 19 milion janë amerikanë.  Kohërat moderne që jetojmë e kanë inkurajuar superkonsumin…Sot gjithkush që ka parà, blen gjithçka dëshiron. Pas blerjes së shtëpisë fillojmë ta mbushim me sendet që nevojiten. Më pas blerjet tona fokusohen në gjëra që kemi pasion … e deri këtu nuk ka asnjë problem, sa kohë individi shpenzon sipas xhepit të tij.

Dikush blen libra, dikush rroba, dikush sende që lidhen me pasionin e tij. Celin Dion psh është e fiksuar pas këpucëve – ka 10 mije palë këpucë, me të cilat është e lidhur emocionalisht që pas vdekjes së bashkëshortit të saj.  Johnny Depp ka shumë koleksione, nga kapelet tek insektet, por skeletet e derrit janë të preferuarat e tij ashtu sikurse Nicolas Cage që koleksionon kafka dinozaurësh apo Klaudia Schiffer me koleksionet e saj te insekteve, ku merimangat janë të preferuarat.

“Grumbullimi i dikujt është koleksion për dikë tjetër”…Por, ndryshe nga koleksionistët që i mbajnë koleksionet e tyre të rregullta dhe të organizuara, njerëzit me çrregullim të grumbullimit kanë më shumë gjasa të kenë grumbuj letre në banjë dhe kutira me mjete të thyera në kuzhinë e dhomat e gjumit.

Karakteristikat më të dukshme që lidhen me çrregullimin e grumbullimit janë: 

 niveli i çorganizimit

vështirësia për të hequr dorë nga pasuritë materiale.

blerja e tepërt ose kompulsive e sendeve të reja.

 Njerëzit me çrregullim të grumbullimit mund ta nisin këtë sjellje kompulsive nga idetë që mund të kenë për një krijimtari apo punë… por përfundojnë të mbingarkuar nga vëllimi i madh i gjërave që nuk mund t’i lënë të shkojnë.  Në rastin më të keq, grumbujt e rrëmujshëm të pasurive mund të kufizojnë hapësirën funksionale të jetesës, të zemërojnë dhe të largojnë anëtarët e familjes dhe të krijojnë një rrezik për shëndetin publik.

Ndërsa grumbullimi është kompleks dhe i vështirë për t’u trajtuar, në vitet e fundit, psikologët kanë bërë përparim drejt të kuptuarit më të mirë të këtij problemi i cili nuk lidhet vetëm me rrëmujën që ne shohim. Madje individë të tillë shihen në rrezik të shëndetit të tyre mendor, që nevojiten të ndihmohen.

Sipas APA, 75% e njerëzve me këtë gjendje kanë gjithashtu një çrregullim humori ose ankthi. Rastet e tjera përfshijnë çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), lloje të demencës dhe çrregullimin e hiperaktivitetit e deficitit të vëmendjes (ADHD).

Shpesh, këto çrregullime bashkekzistuese janë arsyeja kryesore që njerëzit kërkojnë trajtim përpara se të identifikohet çrregullimi i grumbullimit.

Këta individë përjetojnë rreziqe të rrëzimeve, infektimeve, mykut dhe zjarrit. Por edhe ata me një nivel të moderuar grumbullimi përjetojnë dëmtime sociale dhe ndihen të izoluar. Në rastet kur kanë familjarë, problemi i rrëmujës bëhet sebep për debate të shumta që lidhen me higjienën dhe pastrimin. Në vendet perëndimore këta individë denoncohen shpesh nga komshinjtë duke marrë gjoba të shpeshta.

Disa prej tyre ndihen të turpëruar dhe shpesh nuk i lejojnë njerëzit të hyjnë në shtëpitë e tyre e  në shumë raste jetojnë me frikën se mos dëbohen. Martesat e tyre prishen dhe u largohen gjithnjë e më shumë  njerëzve. Individët me çrregullim të grumbullimit kanë gjithashtu më shumë gjasa të marrin ndihmë kur një anëtar i shqetësuar i familjes kërkon që një profesionist i shëndetit mendor të ndërhyjë.  Shpesh i rezistojnë kërkimit të trajtimit sepse ndjejnë turp për gjendjen e tyre. Ka raste që nuk e kuptojnë seriozitetin e problematikës së tyre.

Është e rëndësishme të kuptohet se çrregullimi i grumbullimit nuk është një zgjedhje:

Të dashurit tuaj mund t’i duket shqetësuese të ndahet me sendet

Miku juaj ose anëtari i familjes me çrregullim të grumbullimit mund të mos e njohë ose të pranojë gjendjen e tij

Detyrat si pastrimi i një dhomës, që mund të jetë e lehtë për ju, mund të jenë të vështira për të dashurin tuaj.

Një komunikim miqësor me ta mund t’i ndihmojë të binden se meritojnë ndihmë për të reduktuar ndjenjat e shqetësimit emocional dhe për të krijuar një mjedis jetese më të shëndetshëm për veten dhe të tjerët përreth.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat