A është vuajtja një virtyt?!

Life style

A është vuajtja një virtyt?!

Më: 29 gusht 2022 Në ora: 22:51
Foto ilustrim

Kur mora punën time të parë si kamarier, shefi im këmbënguli që të mos uleshim kurrë gjatë turneve tona 14-orëshe. Edhe kur asnjë klient nuk ishte vërdallë dhe të gjitha detyrat ishin kryer, ne duhej të qëndronim drejt, jo aq shumë sa të preknim një karrige.

Unë dhe kolegët e mi u përpoqëm të argumentonim se pushimi herë pas here do të na lejonte të ishim më produktivë në përgjithësi, veçanërisht pasi kishte mjaft orare boshe. Por ai nuk donte t’ia dinte. Na shpjegonte se nëse njerëzit hynin brenda dhe shihnin se stafi nuk punon, do të kishin një përshtypje të keqe për vendin.

Shefi im nuk është i vetmi që mendon se ka diçka të denjë te mundimi.

Përpjekja/Mundimi si shenjë e vlerës

Në një punim të ri, studiues nga universitetet në Kaliforni dhe British Columbia raportuan një seri studimesh që tregojnë se njerëzit në mënyrë intuitive ia atribuojnë vlerën morale mundimit.

Njerëzit në SHBA, Korenë e Jugut dhe Francë i gjykuan punonjësit si më moralë kur punonin më shumë, edhe nëse përpjekjet shtesë nuk prodhonin më shumë ose nuk sillnin produkte me cilësi më të lartë. Ata gjithashtu i vlerësonin njerëzit që mundoheshin më shumë, si njerëz më të mirë – edhe nëse dikush jepte të njëjtin rezultat pa mundim.

Për shembull, njerëzit preferonin të ndërvepronin me një person që kishte vrapuar disa metra dhe ndihej i rraskapitur, më shumë sesa me dikë që kishte bërë të njëjtin vrap, pa vuajtje.

Këto rezultate i shtohen literaturës së gjatë që sugjerojnë se përpjekja/mundi është e lidhur me konceptet e vlerës.

Në fillim, kjo duket e çuditshme. Nga një këndvështrim racional ekonomik, duhet të preferohen ata që mund të bëjnë të njëjtën punë me më pak përpjekje, sepse janë më të aftë dhe kanë më shumë potencial. Në fakt, pjesëmarrësit e studimit e pranuan këtë duke gjykuar ata që bënin më shumë përpjekje për të njëjtin rezultat si më pak kompetentë, por prapëseprapë i shihnin si më moralë.

Për më tepër, këto rezultate janë të habitshme në një kuptim evolucionar. Përzgjedhja natyrore nuk favorizon tipare të kota. Pse do të ishte kaq e përhapur kjo predispozitë psikologjike për t'i dhënë vlerë sjelljeve joefikase?

Përpjekja si shenjë përkushtimi

Ata që janë më të përkushtuar ndaj një kauze duhet të jenë të gatshëm të bëjnë më shumë përpjekje për të. Prandaj, duke vëzhguar përpjekjet e tyre, ne mund të vlerësojmë diçka më pak të vëzhgueshme: nivelin e tyre të përkushtimit.

Nëpërmjet mundimit, njerëzit sinjalizojnë synimet e tyre bashkëpunuese duke deklaruar gadishmërinë e tyre për të mbështetur traditat, normat dhe idealet e grupit.

Kur intuitat shkojnë keq

Megjithatë, ekziston një paralajmërim. Pavarësisht dobisë, intuitat tona për vlerën e përpjekjes së tyre shpesh mund të na çojnë në rrugë të gabuar. Zbatuar në kontekstin e gabuar, intuitat tona mund të dështojnë. Për shembull, këmbëngulja e shefit tim për t’u “munduar”, kontribuoi në krijimin e një fuqie punëtore të lodhur në mënyrë kronike, të demoralizuar dhe rrjedhimisht, të pakënaqur.

Përshtatur nga Dimitris Xygalata, antropolog dhe shkencëtar konjitiv

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat