Është shumë e thjeshtë, vendosni veten ose personin që doni më shumë në ato rrethana dhe do ndjeni të vërtetën

Life style

Është shumë e thjeshtë, vendosni veten ose personin që doni më shumë në ato rrethana dhe do ndjeni të vërtetën

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë, por janë një kompleks gjërash që ndikojnë në situatën e një individi, ndaj e kam sjellë çështjen, duke e rrotulluar nga të gjitha gradët e rrethit ku mund të ndodhet një individ në situata të ndryshme. E vërteta duhet thënë, pavarësisht pasojave, por duhet patur parasysh edhe thënia e Saadiut se, “Gënjeshtra është e nevojshme kur e vërteta sjell turbullira e pasoja.”

Për një qëllim më të lartë po, jam dakord, por po të lexosh fjalitë më lart me kujdes, kupton lojën e fjalëve që përdorin avokatët dhe e gjithë hileja qëndron tek përdorimi i tyre.

(unë)… kështu nisa të reflektoj për të përditshmen, kur njerëzit hasin vështirësi. Pra jap dy opsione që kundërshtojnë njëra-tjetrën, por të marra veçmas secila ka të drejtë. Interesante, më kujton silogjizmat dhe arsyetimin matematikor që përdor simbole speciale për të arritur në përfundimin që do. Atëherë arsyetimi matematikor hedh poshtë premisën e parë duke e riformuluar ndryshe:

E vërteta thuhet në varësi të pasojave. Pra gënjeshtra shihet si e nevojshme për të krijuar situatë artificiale të qetë, gjë e cila do kërkojë sërish gënjeshtra të tjera për të mbajtur konstante këtë situatë të rreme që është krijuar. Pra, e vërteta dhe gënjeshtra ndryshojnë në varësi të situatës ose asaj që justifikon përfitimin ose qëllimin final?!

Jam plotësisht dakord kur mbyllim një sy ose dhe të dy sytë për të ndihmuar dikë, sepse nuk bëhet kiameti kur kjo ndihmë nuk dëmton askënd, por që për atë person do të thotë shumë. Unë do e ndihmoja pa pyetur shumë për rregullat dhe e kam bërë pa patur frikë, sepse qëllimi ishte jeta e dikujt.

Përse disa njerëz mbyten me një pikë ujë dhe disa të tjerë dalin pa lagur edhe për gabime më të rënda? Nuk kam asgjë kundra oratorisë, madje i admiroj njerëzit e lexuar që artikulojnë bukur. Por fjala është për një tjetër lloj oratorie, që është shumë e rrezikshme; kur asaj i mungon ndërgjegjja dhe keqpërdoret, kur ka brenda sarkazëm dhe ironi therëse, dhe bëhet akoma më e rrezikshme nëse personi ka një post të caktuar. Sa mundemi ne të përballemi me këta njerëz në jetën e përditshme?

Ja si e mendoj unë:

Imagjinoje, një rast, avokat; një njeri që është i dërrmuar fizikisht, psikologjikisht i lodhur nga shumë faktorë të jetës, dhe me një gjuhë të thjeshtë që nuk bën kalkulimet e mëtejshme të arsyetimit (që ngjan me një lojë shahu për ata që duan t’ia hedhin dikujt), atëherë pavarësisht të drejtës, ai mund të fundoset shumë kollaj. Kjo tregon se oratoria i shpëtoj rrufjanët që t’ia hedhin kollaj pa u lagur në një situatë të caktuar.

FJALËT e përpunuara dhe TONALITETI që përdorin, të veshura dhe me një POST të caktuar, mund të japin një opsion të gabuar të së vërtetës, madje i bën edhe arrogantë me përgjigjet e tyre.

Ferge, autor, do të thoshte: “Papërshtatshmëria e gjuhës bëhet pengesë e madhe dhe relacionet bëhen të ndërlikuara që të mbërrish në saktësinë që e kërkon qëllimi”. Kështu, dikush me oratorinë e vet, përdor premisat me mjeshtëri për të shkuar në përfundimin që do. Dhe mos u çudisni që kështu ndodh edhe në jetën e përditshme. Shumë veta humbasin të drejtën e tyre vetëm nga mënyra se si shprehen, nga fjalët që përdorin dhe nga intonacioni i zërit, ndryshe nga ata/ato që përdorin një gjuhë formale me simbole specifike për të arritur përfundimin që dëshirojnë.

Rrjedhimisht, sa njerëz janë vërtet në kushte të favorshme për të pasur qetësinë e duhur fizike apo psikologjike që të merren me këta tipa?

Sa njerëz kanë vërtetë as kohë të lirë sa të përballen për një problem të caktuar, me ata që janë të ngeshëm për të broçkollisur?

Sa e lehtë është lufta me ata që kanë një post të caktuar?

Shembuj realë? Sa të duash. Rastet që përballeni në jetën e përditshme:

*Një person që ka lodhje fizike, vështirësi ekonomike apo probleme të tjera familjare do thoshte shumë thjesht hallin e vet, ndërkohë që një zonjë e krekosur ia kthen përgjigjen me një gjuhë të përpunuar, saqë e përcjell pa mbaruar punë fare.

*Njëlloj e merr shërbimin mjekësor një i moshuar që vjen nga rrethet, një i varfër dhe jo i artikuluar mirë krahasuar me dikë tjetër?

*Njëlloj ka fuqinë të mbrojë veten një grua fshati e dhunuar?

*Njëlloj reagon fëmija i varfër kur dikush e fyen krahasuar me një fëmijë pasaniku që njeh fuqinë e pushtetit?

Ka mijëra shembuj.

Nuk qëndron problemi tek rastet, por tek fuqia që dominojnë të vërtetën. Njerëzit të cilët janë zhveshur nga paragjykimet, etiketat dhe nuk impresionohen shumë nga fasadat që na serviren vërdallë, kanë fituar aftësinë për të arritur në pikën e diferencimit të së vërtetës nga e gënjeshtërta.

Këta NJERËZ po i hasim përherë e më rrallë. Këta njerëz nuk impresionohen as nga makijazhi, as nga fustani dhe as nga gjuha e lustruar që përdoret.

Ky është rasti kur sytë e dikujt plot dhimbje dhe që është plotësisht i pafajshëm, më flasin më shumë se sa fjalët e kopsitura bukur të njerëzve që krekosen nga kushtet e kolltukut të postit ku janë ulur. Analizën bëjeni vetë, por vetëm kur të kthehet thika nga vetja atëherë do jemi njerëz që ndiejmë dhimbjen e tjetrit, dhe nuk duhet domosdoshmërish të provojmë çdo gjë vetë për të kuptuar tjetrin.

Është shumë e thjeshtë, vendosni veten ose personin që doni më shumë në ato rrethana dhe do ndjeni të vërtetën.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat