Krijoni kopshtin tuaj! Metafora e mirëqenies emocionale

Life style

Krijoni kopshtin tuaj! Metafora e mirëqenies emocionale

Më: 12 dhjetor 2022 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

Sa bukur është kur ke një bahçe plot me lule nga të gjitha llojet që të pëlqejnë ty më shumë! Të gjitha të duken kaq të bukura sepse janë kaq të ndryshme! Atë që e shikon tek njëra nuk e gjen tek tjetra, kjo nuk është për krahasim se kush është më e bukur, por si plotësim i të gjitha aromave dhe ngjyrave më të mira.

Kujdesem për kopshtin tim, i dua lulet dhe çdo gjallesë tjetër! Dikur kjo tolerancë ndikonte që herë pas here të lejonte të hynin aty brenda, buburreca, miza, kërminj, krimba, uritha, hardhuca. Kishte edhe gjembaç, shkurre, rrodhane etj.

Ndonjëherë kopshti i komshiut të bënte karshillëk me qesëndi, duke të  treguar se të mungonte një bimë si e kopshtit të tij. Dhe gjendeshe e pafajshme duke e futur në kopshtin tënd. Kur shikon se kopshti jot është i fortë, atëherë ti mendon se këto insekte, barishte, ose bimë të tjera, nuk do të kenë fuqi dëmtuese dhe u jep një mundësi të mirë si  proçes simbioze, ose si proçes ndihmues i ndërsjelltë.

Por papritur shikon se këto barishte të pengojnë, ky buburreci shkon ha patatet, ai krimbi ha gjethet. Imazhi i kopshtit ndryshoi shumë nga ajo që dëshiroja më parë. Aty kuptova se kopshti dashka pak më shumë  kujdes se nga ç’mendoja më parë kur vrapoja në të gjitha cepat me vrull dhe pa u lodhur, dhe me dëshirën që të gjitha të lulëzonin.

Shikoja bukuri tek çdo gjë, por kopshti vet të mëson se si të krasitësh herë pas here ato të dëmshmet. Natyra është një rregullatore aq e përsosur sa i ka dhënë gjithë gjallesave hapësirën e vet, ku secila lule, frut, gjembaç, krimb, hardhucë, të gjejnë klimën e vet në llojin e tyre.

Përse u dashka të mbajmë të gjitha llojet në kopsht?

Secili duhet të zgjedhë sipas shijes dhe jo sipas tregut. Mbajeni bahçen tuaj të bukur me llojin e luleve që ju dëshiron shpirti dhe zemra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat