Marrëdhënia prind-fëmijë, përgatitja shpirtërore për të mos dështuar gjatë këtij rrugëtimi

Life style

Marrëdhënia prind-fëmijë, përgatitja shpirtërore për të mos dështuar gjatë këtij rrugëtimi

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 16:08
Ilustrim

Marrëdhënia prind-fëmijë është një temë e cila duket sa e thjeshtë,  po aq dhe komplekse dhe e vështirë bëhet në faza të ndryshme, në varësi të moshës së fëmijës.

Edukimi në më të mirën e mundshme për fëmijët, mbetet një sfidë në vetvete për çdo prind që është i përgjegjshëm. Aty ndërthuren e pleksen shumë faktorë: personaliteti që kanë prindërit; kujtimet nga e kaluara e tyre kur kanë qënë vetë fëmijë; modelet e ndryshme që përpiqen të ndjekin; raporti në çift i cili mund të jetë konfliktual ose palët nuk bien dakord për mënyrën e prindërimit; rastet kur janë edhe gjyshërit të pranishëm gjatë rritjes, ku fëmija shikon dy modele të ndryshme (prindin shumë autoritar dhe gjyshërit shumë tolerantë); është ana ekonomike gjithashtu shumë e rëndësishme, pasi prindërit mund të jenë të stresuar dhe nën presion të vazhdueshëm për punën e vështirë, oraret e gjata ose pasigurinë për vendin e punës; jeta sociale që bëjnë vetë prindërit… dhe lista vazhdon me shumë të tjera.

Të gjitha këto janë të pashmangshme gjatë prindërimit dhe do manifestohen me sjellje dhe emocione në familje, sa do që prindërit të përiqen t’i lënë disa gjëra jashtë. Sepse familja është vendi ku ne jemi të vërtetë, jemi vetvetja, ku zhvishemi nga rolet sociale që kemi jashtë.

Pra, “mesi i artë” për prindërim mbetet gjithnjë sfidues dhe mes dilemave  të brendshme, derisa fëmijët përfundojnë adoleshencën. Jam e sigurt se çdo prind nëse do kthehej mbrapa në kohë, do donte të bënte diçka ndryshe në rolin e prindërimit ashtu sikurse fëmijët nëse kthehen mbrapa në kohë, fillojnë dhe të tregojnë gabimet ty si prind, dhe mendojnë krejt ndryshe kur të bëhen prindër vetë, dhe kjo është shumë normale.

E thënë thjesht, marrëdhënie prind-fëmijë nuk mund të ketë receta e formula të gatshme pasi mbetet shumë UNIKE, ashtu siç janë vetë qeniet njerëzore, të papërsëritshme.

Dikur kam lexuar (nuk e kujtoj autorin për momentin): -“Edukimi i fëmijës fillon 20 vite para se të lindë” – dhe më është dashur kohë ta kuptoja, pasi në momentin e parë duket si pa sens, por kur e analizon, del shumë qartë rëndësia që i vihet edukimit të individit dhe përgjegjësia që duhet të ndjejë para se të bëhet prind, dhe jo të “rritet e edukohet” gjatë kohës që edukon fëmijën.

Kur them për edukim, nuk e kam fjalën vetëm për shkollim, (pasi shkollimi nuk garanton të qenit njeri pozitiv) por përgatitjen shpirtërore që duhet të ketë çdo individ kur sjell në jetë një fëmijë.

Megjithatë, marrëdhënia prind-fëmijë mbetet gjëja më e bukur dhe më e rëndësishme ku njeriu vërtetë duhet të japë maksimumin e tij, pasi asnjë “rritje” tjetër nuk ka vlerë nëse dështon në rritjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat