Sjelljet dhe gjestet që urrehen nga shumëkush

Life style

Sjelljet dhe gjestet që urrehen nga shumëkush

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 18:42
Foto ilustrim

Mësoni si mos t’i bëni disa nga sjelljet dhe gjestet më të urryera në botë! Nuk është gjithnjë e dukshme kur dikush thyen kodin e etikës, pasi ky Kod nuk është i gdhendur në gurë. Ama, ekspertë të fushës – që ndër vite kanë studiuar ndërveprimet dhe sjelljet e njerëzve mes njëri tjetrit – kanë arritur së paku të hartojnë një listë me gjestet që nuk duhen bërë, edhe pse shumica prej nesh mund të jenë duke i bërë ato në mënyrë krejtësisht të pavetëdijshme.

Fatmirësisht, në momentin që një gabim evidentohet, ai më pas është tepër i thjesht për t’u vënë re e të korrigjohet – gjithmonë nëse dëshirojmë. Në fund të fundit, kur lejojmë politikanët tanë t’i thyejnë kaq shpesh rregullat e etikës gjatë takimeve në Parlament, jemi të lirë të sillemi si të duam. Apo jo?

1 – I thërrisni kamerierit

Ka shumë gjëra të pasjellshme që dikush mund të bëjë në një restorant, por fatkeqësisht thyerja më e vrazhdë e etiketës kur dalim për të ngrënë, është edhe ajo më e përhapura. Mos fishkëlleni, mos bërtisni, mos e prekni as mos e sinjalizoni të vij shpejt tek ju kamerierin tuaj për t’i tërhequr vëmendjen.

Bëni kontakt me sy në mënyrë miqësore dhe në të shumtën e rasteve kjo do të mjaftojë që ai të vij tek ju. Mos harroni, kamerierët duan t’ju shërbejnë dhe kanë një punë tepër të lodhshme. Trajtojini ata siç duhet!

2 – Lajmëroni me zë të lartë kur shkoni në tualet

Nuk është e pasjellshme që të largohesh nga një takim për të shkuar në tualet por, ta njoftoni para të gjithëve që ju po shkoni pikërisht atje nuk është ideale – sipas ekspertëve!

Kjo këshillë vlen sidomos në rastet kur ju keni dalë me një grup që nuk është rrethi juaj i afërt shoqëror por me njerëz që deri diku nuk keni një njohje të gjatë, si kolegët e punës etj. Thjesht deklaroni që duhet të largoheni për një minutë dhe kthehuni sërish kur të keni mbaruar punë.

3 – Bëni me gisht

Në shumë vende të botës përdorimi i gishtit tregues nuk duhet të ndodhë në asnjë rast të mundshëm, lëre pastaj t’i drejtohet dikujt tjetër – as duhet ta çoni nëpër mend! Shpesh shumë njerëz e përdorin gishtin tregues për të shënjestruar drejtimin që duhet marrë apo edhe për të treguar një person por sipas studimeve, ky është gjesti më i urryer në të gjithë botën.

Pse? Pa çojeni pak nëpër mend, kur dikush po ju akuzon për diçka në përgjithësi ata bëjnë pikërisht këtë gjest, ju drejtojnë gishtin. Ndaj, kujtohuni për këtë dhe mundohuni ta zëvendësoni atë me një tjetër gjest, me dorë të hapur ose me dy gishta në vend të njërit.

4 – Njoftoni që do të shkoni diku ditën e fundit

Pasi e keni marrë ftesën, në përgjithësi keni rreth 24 orë për të njoftuar dërguesin nëse do t’i bashkoheni ose jo – por sigurisht, ka edhe përjashtime. Ama, rregulli i artë është ky: Mos e lini kurrë për ditë të fundit për të lajmëruar pjesëmarrjen tuaj diku pasi, eventet si darkat apo festat kanë shpenzime. Respektojeni personin që ju fton dhe kthejini një përgjigje sa më shpejt të keni mundësi, por jo ditën e fundit!

5 – Rrokullisni sytë

E keni menduar ndonjëherë kur jeni duke biseduar me dikë që i çon sytë sa këtej-andej? Epo, asgjë nuk e thotë më qartë “Unë nuk dua të jem këtu” se sa sytë që rrokullisen në vend.

Të parit në sy, nuk tregon vetëm vetëbesim të lartë por edhe respekt ndaj personit tjetër dhe ndaj vetes, pasi fundja po shpenzoni kohën tuaj me ata. Të mos qenit i përkushtuar në një bisedë në fakt është një nga shkeljet më të rënda të Kodit të Etikës!

6 – Bëni thashetheme!

Prit pak, të bësh thashetheme është e pasjellshme? Po, po dhe po! Dhe është gjithashtu thyerja më flagrante dhe e përhapur e etiketës dhe një sjellje vërtetë toksike që mund t’i shkatërrojë marrëdhëniet!

Dhe edhe pse shumicës së njerëzve u pëlqen një histori e treguar bukur, ka shumë arsyeje që sipas ekspertëve duhet të na shtyjnë që të mos përfshihemi në thashetheme. Ato mund të dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e dikujt dhe mund t’ju kthehen mbrapsht dhe t’ju bëjnë të dukeni edhe më keq!

7 – I bisedoni gjërat e rëndësishme me SMS apo e-mail

Ekspertët tregojnë se shumicës prej nesh i vjen më e lehtë t’i bisedojnë disa tema me mesazhe apo email në vend që të marrim në telefon dikë apo t’i flasim për ballë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për ne. Por, kontakti human është ende tejet i rëndësishëm dhe tregon shumë për ju dhe karakterin tuaj.

8 – Postoni të gjithë jetën tuaj në rrjete sociale

Ndonjëherë, njerëzve u duhet thjesht të shfryhen – kjo është më se e kuptueshme. Por edhe pse llogaria juaj e Facebook, Twitter apo Instagram është në fakt juaja, prezenca juaj në rrjet është tejet e rëndësishme. Ajo mund të nxisë një të panjohur t’ju gjykojë në bazë të përshtypjes së parë që ju i lini, por mënyra si ju e portretizoni veten online mund të ndikojë negativisht edhe tek punëdhënësi juaj i ardhshëm apo edhe një partner i mundshëm.

9 – U përgjigjeni telefonatave në mënyrë të pasjellshme

Rregulli i parë i etiketës së komunikimit me telefon ka të bëjë më gjënë e parë që ju thoni kur i përgjigjeni një telefonate. Ndaj, përshëndetni bukur dhe me ngrohtësi. Ekspertët e etiketës e konsiderojnë të pasjellshme përgjigjen në telefon me, “Ça bëhet?”, “Ça kishe?” “Hë?” apo “Pse po merr?” në momentin e parë që i përgjigjeni një telefonate.

Mënyra e duhur për t’ju përgjigjur një thirrjeje për shembull do të ishte, ‘Ç’kemi!’ apo ‘Përshëndetje’. Ky është vetëm një sugjerim por gjeni zërin tuaj të brendshëm dhe personalizojeni përshëndetjen tuaj pasi edhe ajo do të thotë shumë për personin tuaj, sidomos ndaj njerëzve të cilët nuk i keni të afërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat