7 sekrete për ta pëlqyer më shumë veten, për ju që bëni veç autokritika!

Life style

7 sekrete për ta pëlqyer më shumë veten, për ju që bëni veç autokritika!

Më: 20 prill 2023 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

Të mos e pëlqesh veten mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin mendor dhe atë fizik. Individët që shprehin nivele më të larta të mospëlqimit dhe urrejtjes për veten kanë më shumë gjasa të përfshihen në sjellje seksuale të rrezikshme apo vetëdëmtuese, të ushqehen keq apo të mendojnë vetëvrasjen.

Kur kapeni vetëm pas gjërave që nuk pëlqeni te vetja, të menduarit për veten në një aspekt më pozitiv duket si e pamundur. Megjithatë, ka disa mënyra praktike që do ju ndihmojnë të përmirësoni imazhin që keni për veten tuaj. Ja 7 gjëra që mund t'i bëni që sot për të kuptuar se jeni më shumë sesa e shihni veten.

1. Praktikoni dashuri-mirësjellje

Me prejardhje nga budizmi, dashuri-mirësjellja (loving-kindness) është një mentalitet i pranimit dhe dashamirësisë së pakushtëzuar ndaj të gjitha qenieve, përfshirë këtu edhe veten tuaj! Një mënyrë për ta praktikuar atë është të vendosni dorën në zemër dhe të merrni disa herë frymë thellë. Ndërsa merrni frymë thellë, përsëritni gjatë frymëmarrjes mantrën "Ti ke vetëbesim". Bëjeni këtë rreth pesë herë. Pastaj përsërisni: "Ty ia vlen të të duash". Bëjeni edhe këtë rreth pesë herë. Mund të mos duket e besueshme në fillim, por përsëriteni këtë praktikë çdo ditë për të paktën një javë dhe, me shumë mundësi, do të filloni të ndiheni pak më të butë ndaj vetes - dhe pak më pak vetëkritikues (këtë e thonë studimet dhe jo ne).

2. Rikujtoni sukseset e kaluara

Kur jemi të mërzitur me veten, harrojmë gjithë momentet kur kemi pasur sukses dhe jemi ndjerë të arrirë. Merrni 5-10 minuta për të shkruar një listë të të gjithë gjërave që ju kanë bërë të ndiheni mirë gjatë jetës suaj, qofshin ato të vogla apo të mëdha. Kjo do t'ju ndihmojë të kujtoni se jeni në të vërtetë i aftë për të pasur sukses dhe se keni aftësinë për të festuar fitoret tuaja.

3. Rikujtoni njerëzit që ju kanë mbështetur

Merrni pak kohë për të kujtuar njerëzit që ju kanë mbështetur dhe kanë besuar te ju, edhe nëse ata nuk janë më në jetën tuaj.

Imagjinoni secilin prej tyre duke ju ofruar fjalë inkurajuese, duke ju vendosur duart në shpinë ose në supe dhe duke ju thënë: Do ia dalësh, je më i/e aftë nga ç'mendon.

Pra, mbani diçka që ata ju kanë thënë dhe që ju rriti vetëbesimin ose ju dha një gjendje qetësie.

4. Bëni gjëra të mira për të tjerët

Nëse nuk po bëjmë shumë gjëra "të mira", nuk ka gjasa që të ndihemi mirë me veten. Shumica prej nesh ndihen më mirë me veten kur bëjmë gjëra të mira për të tjerët. Merrni parasysh të bëni një gjë çdo ditë që e ndihmon dikë ose ia ndriçon ditën. Kjo mund të jetë diçka aq e vogël sa mbajtja e derës hapur për një fqinj, shprehja e mirënjohjes ndaj një kolegu ose miku, bërja e një nderi për një të njohur ose thjesht biseda e shkurtër e këndshme me një kamarier.

Mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e vetëbesimit tuaj për t'i bërë veprat e mira një dukuri më të rregullt në jetën. Ju gjithashtu mund të ndihmoni përmes mënyrave të ndyshme në komunitetin tuaj, me punë vullnetare etj.

5. Faleni veten

Është e pamundur të përmbushni çdo kërkesë, të kryeni të gjitha detyrat në mënyrë perfekte dhe të mos bëni kurrë gabime. Me siguri, nëse do ishte dikush tjetër në vendin tuaj, do t'i thonit fjalë inkurajuese dhe motivuese. Atëherë, pse nuk provoni t'ia thoni vetes? Nëse jeni të gatshëm të falni njerëz të tjerë, pse të mos falni veten?

6. Mos iu largoni sfidave

Sa më shumë të anulojmë planet, t'i refuzojmë ftesat për evente të ndryshme dhe t'i shmangemi situatave sfiduese, aq më pak prova grumbullojmë se ne mund "të mbijetojmë" edhe jashtë, në botën e vërtetë.

Sfidoni veten të bëni një gjë çdo muaj që ju nxjerr pak nga zona juaj e rehatisë. Pyesni një të njohur ose koleg që dëshironi ta njihni më shumë për një kafe miqësore. Thuajini po një ftese sociale që normalisht do ta refuzonit nga frika se mos gjykoheni Regjistrohuni në një kurs kreativ ose edukativ që lidhet me një hobi ose interes tuajin. Shikoni një lagje ose dyqan të ri për të cilin keni qenë gjithmonë kurioz. Ka kaq shumë gjëra që mund të bëni.

7. Ta pëlqeni veten në afatgjatë

Duhet pak kohë për të riparuar bindjet thelbësore negative që mbajmë për veten. Në fakt, ky është fokusi kryesor i terapisë konjitive të sjelljes dhe nuk ndodh brenda ditës. Por një përpjekje e vazhdueshme për të vepruar në mënyra që vërtet na bëjnë të ndihemi më mirë për atë që jemi dhe çfarë kemi bërë, e kombinuar me një angazhim për të sfiduar modelet e gabuara të të menduarit, në fund të fundit, shpërblehet.

Sa më shumë që sillemi në mënyra që janë të sjellshme, falëse dhe inkurajuese ose ndihmuese – si për veten dhe për të tjerët – aq më shumë ka të ngjarë të arrijmë në përfundimin se në fund të fundit, nuk jemi vërtet aq të këqij :)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat