Pse e zeza është ngjyra dominuese e veshjeve në një funeral?

Life style

Pse e zeza është ngjyra dominuese e veshjeve në një funeral?

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 06:42
Foto ilustrim

Në traditën e kulturës perëndimore, e zeza është ngjyra që lidhet me vdekjen, dhe për rrjedhojë edhe me zinë. Sipas imagjinatës kolektive të krijuar nga filmat dhe serialet televizive, njerëzit vishen me të zeza në funerale.

Veshja e rrobave të zeza në funerale, ka qenë një zakon i përhapur për një kohë të gjatë edhe në Itali, veçanërisht në jug, jo vetëm gjatë ceremonisë, por edhe më pas, për të gjithë periudhën e zisë.

Sot zakonet janë shumë më pak të ngurta, dhe në përgjithësi njerëzit priren të zgjedhin rroba me ngjyrë të errët, përfshirë blunë, siç bënë shumë nga ata që ishin të ftuar në funeralin e Silvio Berluskonit, që u mbajt të mërkurën në Milano.

Por zakoni i veshjes së zezë gjatë përcjelljes për në banesën e fundit të dikujt që ka vdekur, ka një origjinë të largët në kohë, dhe që më pas u ngulit në kultura të ndryshme evropiane. Që në kohën e romakëve, vdekja e një anëtari të familjes përkujtohej duke u veshur rroba të errëta, dhe duke shmangur pëlhurat e çmuara dhe stolitë e tjera.

Më vonë gjatë Mesjetës, e zeza u lidh me zinë, turpin dhe dëshpërim në traditën e krishterë.  Por si në Francë ashtu edhe në Angli dhe pjesë të tjera të Evropës, ata që merrnin pjesë në funerale mbanin veshur kryesisht rroba të bardha ose kafe, dhe kjo për një arsye shumë praktike:ato ishin ngjyrat më të njohura dhe më të lira për t’u prodhuar.

Në Anglinë e shekujve XVI-XVII, ka dëshmi të ndryshme të shkruara, në të cilat veshja në ngjyrë kafe përkufizohej si ngjyra e trishtimit. Në atë kohë në Angli, e zeza filloi të konsiderohej si ngjyra e zisë për arsyen e kundërt. Sepse të vishje rroba me ngjyrë, duheshin disa ngjyra dhe trajtime shumë të shtrenjta.

Me pak fjalë, veshja e zezë gjatë funeraleve më të rëndësishme nuk ishte vetëm një simbol i dhimbjes dhe zisë, por edhe i pasurisë. Kjo ndodhi edhe sepse në Evropë prej disa shekujsh ishin në fuqi disa ligje, të cilat përcaktonin se cilat rroba dhe aksesorë mund të vishnin njerëzit sipas shtresës shoqërore që i përkisnin, dhe të kufizonin shfaqjen e luksit.

Shtresave më të varfra u ndalohej të përdornin disa pëlhura, stoli të caktuara dhe ngjyra të caktuara, si për shembull vjollca, të cilat mund të visheshin nga njerëzit fisnikë. Rregullat zbatoheshin edhe për artizanët, por edhe për atë që sot mund të konsiderohet borgjezia e vogël.

Pavarësisht kësaj, shumë njerëz nisën të imitonin veshjet e fisnikëve dhe mbretërve, në një përpjekje për të ngritur statusin e tyre shoqëror. Në Angli, praktika e veshjes së zezë në funerale u përhap në këtë mënyrë, duke u bërë një praktikë sociale dominuese në shekullin XIX.

Dy ishin faktorë që kontribuan:nga njëra anë, prodhimi masiv i veshjeve të dizajnuara posaçërisht për funeralet, të mundësuara nga Revolucioni Industrial. Së dyti ishin normat shoqërore, të cilat kodifikuan zakonet e lidhura me periudhat e zisë dhe që u zbatuan në një mënyrë mjaft të ngurtë deri në fillim të shekullit XX-të.

Për shembull, për rreth 40 vjet mbretëresha Viktoria mbajti rroba të zeza në shenjë zie për vdekjen e Princit Albert, bashkëshortit të saj që vdiq në vitin 1861. Ndoshta zakoni i veshjes së rrobave të zeza nuk u përhap në të gjithë botën perëndimore vetëm përmes kulturës anglo-saksone, edhe sepse dihet që e zeza si ngjyra e zisë ishte tashmë një traditë popullore në pjesë të tjera të Evropës që shekuj më parë.

Për funeralin e saj në vitin 1587, Mbretëresha e Skocisë Maria Stjurat e kishte lënë si amanet që të gjitha perdet që dekoronin karrocën me arkivolin e saj të ishin të zeza, ashtu si edhe rrobat e zonjave të oborrit të saj. Sipas disa dëshmive, vendimi i mbretëreshës, një katolike e devotshme, ishte frymëzuar nga tradita spanjolle e asaj kohe, e cila parashikonte veshjen e zezë gjatë funeralit dhe mbajtjen e një zije të gjatë në kohë.

Pikërisht për shkak të dominimit spanjoll midis mesit të shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVIII, ky zakon mund të jetë përhapur edhe në Italinë jugore. Edhe pse në imagjinatën kolektive të kulturës perëndimore, e zeza ka vazhduar të simbolizojë zinë, dhimbjen dhe humbjen, sot në Itali, ashtu si në botën anglo-saksone, nuk konsiderohet më e nevojshme që dikush të mbajë doemos rroba të zeza gjatë funeralit.

Njerëzit që e zgjedhin këtë, e bëjnë në përgjithësi nga frika se mos janë të pasjellshëm apo të papërshtatshëm. Në shumë komunitete të Azisë Juglindore, sidomos në ato ku praktikohet hinduizmi, njerëzit në funerale vishen me të bardha.

Psikologia Anjali Ferguson shpjegon se në shumë komunitete hindu, e bardha konsiderohet një ngjyrë e shenjtë sepse simbolizon pastërtinë dhe virtytin shpirtëror. Edhe në komunitetet myslimane, veshjet me ngjyra të çelura vishen shpesh gjatë funeraleve. Ekspertja e komunikimit Rumana Lokanduala, thotë se veshja e zezë në Islam është përgjithësisht e neveritshme sepse konsiderohet si shenjë fatkeqësie dhe si një fyerje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat