A i bën moti i nxehtë qentë agresivë? Një faktor bën dallimin dhe ngjashmëria është vërejtur edhe te njerëzit

Life style

A i bën moti i nxehtë qentë agresivë? Një faktor bën dallimin dhe ngjashmëria është vërejtur edhe te njerëzit

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 23:17
Foto ilustrim

Një studim nga shkencëtarët e Shkollës Mjekësore të Harvardit zbuloi se qentë bëhen 11 për qind më agresivë në kushte të caktuara

Studimet e mëparshme kanë treguar se moti më i ngrohtë dhe përqendrimet më të larta të ndotësve mjedisorë i bëjnë agresivë njerëzit, majmunët rezus dhe minjtë.

Kjo është arsyeja pse Klas Linman nga Fakulteti i Mjekësisë i Harvardit në Boston, vendosi që me ekipin e tij të hetonte nëse diçka e ngjashme ndodh edhe me qentë.

Për qëllimin e studimit, studiuesit mblodhën të dhëna për kafshimet e qenve që u regjistruan midis viteve 2009 dhe 2019 në tetë qytete amerikane – duke përfshirë Dallasin, Los-Angelosin dhe New-Yorkun. Në atë periudhë janë raportuar gjithsej 69.525 incidente, pra mesatarisht tri kafshime në ditë gjatë periudhës dhjetëvjeçar, shkruan National Geographic, përcjell Telegrafi.

Këto të dhëna më pas u krahasuan me informacionin për temperaturat ditore, ndotjen nga grimcat PM 2.5 dhe përqendrimet e ozonit të dëmshëm, si dhe u morën parasysh edhe sasitë e reshjeve dhe rrezatimit UV.

Studimet e mëparshme me njerëzit kanë treguar se ozoni i dëmshëm mund të shkaktojë agresion. Duke qenë se ky gaz ka një erë të fortë, shkakton stres oksidativ në traktin respirator dhe dëmton funksionin e mushkërive. Është jashtëzakonisht reaktiv dhe shkakton çlirimin e substancave të shumta në organizëm që ndikojnë gjithashtu në sjellje. Diçka e ngjashme është vërejtur tek qentë.

Rritja e niveleve të ozonit të dëmshëm i bën qentë më agresivë mesatarisht me 3 për qind, por ajo që pati një ndikim më të madh në numrin e kafshimeve ishte rritja e vlerave UV – me 11 për qind. Ndërsa temperaturat e larta rrisin rrezikun që një qen të bëhet agresiv me 4 për qind. Megjithatë, autorët e studimit nuk mundën të gjenin një lidhje midis vlerave të larta të grimcave PM 2.5 dhe rritjes së numrit të kafshimeve të qenve.

Kur moti është i mirë, njerëzit dhe qentë priren të kalojnë më shumë kohë së bashku. Prandaj, autorët e studimit u përpoqën të përcaktonin nëse numri i kafshimeve të qenve është më i lartë në ditë të tilla. Analiza arriti në përfundimin se rreziku i kafshimit të qenve gjatë fundjavave dhe festave publike – kur pronarët e qenve natyrisht kanë më shumë kohë për kafshët e tyre – është më i ulët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat