Ushqimet që forcojnë flokun tuaj

Life style

Ushqimet që forcojnë flokun tuaj

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 11:45
Foto ilustrim

Secili do të ëndërronte të kishte flokë të trasha e të shëndetshme.

Mirëpo, pavarësisht nëse nga gjenet, mosha, stresi apo mënyra e ushqimit, flokët që ëndërrojmë nuk bëhen realitet për shumicën, shkruan “The Sun”.

Mirëpo, ka suplemente që ndihmojnë flokun, por shumë prej tyre mund të merrni edhe me ushqime.

Nutricistja Valerie Agyeman, ka thënë se për të pasur flokë të shëndetshëm e të fortë ju duhen ushqime të pasura vitamina, e po ashtu me omega-3 dhe hekur.

Këto janë disa prej ushqimeve që ndikojnë që të keni flokun më të fortë.

Peshku i yndyrshëm

Një studim i publikuar nga “Journal of Cosmetic Dermatology” ka zbuluar se nëse hani shumë peshk të yndyrshëm atëherë do të keni flokë më të trasha dhe do të reduktohet numri i flokëve “të vdekura” në kokën tuaj.

Salmoni si shembull është i shkëlqyeshëm për këtë, po ashtu edhe toni, skumbri dhe harenga.

Arroret

Yndyrat e shëndetshme janë temë kryesore kur bëhet fjalë për flokë të shëndetshëm.

Mona Gohara, profesoreshë e asociuar e dermatologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Yalet, ka thënë për “Yahoo Life” se arroret janë plotë me yndyra të shëndetshme që mund të sjellin përfitime për flokët, lëkurën dhe thonjtë tuaj.

Arrat, bajamet, ndër të tjera janë të pasura me zink. Një hulumtim i vitit 2018 ka treguar se mungesa e zinkut mund të çojë në rënien e flokëve.

Ndërkohë Valerie favorizon fëstëkët për përmbajtjen e tyre të biotinës. Kjo është një vitaminë B që vlerësohet se ka rol të rëndësishëm në shëndetin e flokëve.

Vezët dhe fasulet

Një burim tjetër i biotinës që ndihmon flokun është veza.

Vezët janë po ashtu të pasura me zink e selen, që i duhen flokut, thotë Valerie.

Po ashtu mund të keni dëgjuar se marrja e mjaftueshëm proteinave është i rëndësishëm për flokë të shëndetshëm. Mishi nuk është burim i vetëm i proteinave. Valerie i ka thënë “Yahoo Life” se fasulet, kikirikët, thjerrëzat dhe soja, janë burime fantastike të kreatinës.

Po ashtu mund të merrni dozë hekuri nga bishtajoret.

Spinaqi, lakra jeshile e po ashtu zarzavatet tjera me gjethe të errëta janë të mbushura me vitaminë A.

Rekomandohet që këtë substancë ta merrni nga ushqimi e jo nga suplementet, pasi nëse merrni shumë nga kjo mund të ketë efekt të kundërt, pra mund të ju bien flokët.

Patatet e ëmbla dhe avokado

Patatet e ëmbla po ashtu janë burim tjetër i shkëlqyer i vitaminës A, po ashtu kanë beta-karoten që e shndërron atë në lëndë ushqyese.

Ndërkohë nutricistja Valerie ka treguar se avokadot janë të pasura me vitaminë E, që është një antioksidant që siguron ushqim për flokët.

Konsumi i një avokadoje të mesme siguron afërsisht 28 për qind të nevojave tua ditore për vitaminë E”, ka thënë ajo.

Farat

Si arroret dhe salmoni, edhe farat janë të mbushura me omega-3, që i nevojitet flokut.

Po ashtu përmbajnë vitaminë E, zink dhe selen.

Faret e lirit, farat “chia”, farat e lulediellit dhe të kungujve, përdorni me kos në mëngjesin tuaj.

Po ashtu kosi është i mbushur me proteina, si dhe me lëndë ushqyese e probiotikë.

Specat dhe manaferrat

Sipas një studimi të vitit 2019, vitamina C mund të ndihmojë në përthithjen e hekurit, kështu që mund t’i ndihmojë njerëzit që përjetojnë humbje të flokëve shkaku i mungesës së hekurit.

Specat janë mënyrë shumë e mirë për të marrë këtë vitaminë. Po ashtu edhe manaferrat janë të pasura me vitaminë C.

Luleshtrydhet, manaferrat, mjedrat dhe boronicat, janë plotë me këtë vitaminë, siç është edhe portokalli.

Brokoli

Mund të jeni ankuar kur keni ngrënë brokoli si fëmijë.

Por, brokoli ka shumë lëndë ushqyese që i ndihmojnë flokut tuaj.

Në të ka vitaminë A, vitaminë C, acid folik dhe biotinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat