Nuk jeni i sigurt nëse gërhitni? Këto shenja të pazakonta mund të tregojnë se keni probleme gjatë gjumit

Life style

Nuk jeni i sigurt nëse gërhitni? Këto shenja të pazakonta mund të tregojnë se keni probleme gjatë gjumit

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 06:21
Foto ilustrim

Gërhitja mund të jetë një problem serioz shëndetësor dhe shoqëror

Një person shpesh nuk është i vetëdijshëm se është duke gërhitur, megjithëse ky fenomen mund të jetë një simptomë e apneas së gjumit – një gjendje potencialisht e rrezikshme në të cilën frymëmarrja ndalet për 10 ose më shumë sekonda gjatë natës.

Gjendja mund të jetë problem nëse personi jeton vetëm dhe nuk e di që gërhit.

Te gratë, problemi është më i vështirë për t’u zbuluar

Nëse nuk trajtohet, apnea obstruktive e gjumit është një faktor rreziku për zhvillimin e hipertensionit, sëmundjeve të zemrës, diabetit të tipit 2, depresionit dhe mund të jetë shkaku i vdekjes së hershme, sipas The American Academy of Sleep Medicine, përcjell Telegrafi.

Prandaj është e rëndësishme t’i vihet në dukje personit që gërhit ekzistenca e problemit.

Ekspertët theksojnë faktin se një numër i madh njerëzish kanë apnea të gjumit të padiagnostikuar dhe të patrajtuar.

Gjithashtu theksohet se meshkujt e dallojnë më lehtë këtë gjendje, sepse apnea e gjumit e tyre shpesh shoqërohet me gërhitje të forta. Tek femrat problemi vërehet më i vështirë, veçanërisht nëse gërhitja nuk është e theksuar. Megjithatë, ka disa shenja që mund të tregojnë se po gërhasim.

Djersitje natën

Djersitjet e pakëndshme të natës ndonjëherë janë rezultat i menopauzës, gjumit në një dhomë të mbinxehur, përdorimit të medikamenteve ose ekzistencës së sëmundjeve si infeksionet bakteriale, gripi, sipas ekspertëve të Mayo Clinic. Hulumtimet tregojnë se djersitjet e natës janë një simptomë e rreth 30 për qind e njerëzve që vuajnë nga apnea e gjumit. Trupi nuk merr mjaftueshëm oksigjen, kështu që njerëzit që djersiten dhe gërhijnë kanë nivele më të ulëta të oksigjenit në trup.

Zgjimi i shpeshtë

Zgjimi i shpeshtë nga gjumi i nisur nga nevoja për të urinuar shpesh është pasojë e konsumimit të sasive të mëdha të pijeve para se të shkoni në shtrat. Në rastet më të rënda, urinimi gjatë natës është shenjë e diabetit, presionit të lartë të gjakut, ndodh si pasojë e përdorimit të barnave, problemeve me shëndetin e prostatës, sipas mjekëve të Cleveland Clinic.

Megjithatë, nëse zgjohemi dy herë gjatë natës për të shkuar në tualet, ka mundësi që të vuajmë nga apnea e gjumit. Hulumtimet tregojnë se rreth 50 për qind e njerëzve me apnea të gjumit vuajnë nga nokturia.

Kërcitja e dhëmbëve

Bruksizmi është emri profesional për kërcitjen e dhëmbëve, i cili më së shpeshti shfaqet gjatë gjumit. Ankthi dhe faktorë të tjerë psikologjikë ndonjëherë mund të shkaktojnë shfaqjen e bruksizmit. Ekspertët më së shumti theksojnë apnenë e gjumit si faktorin kryesor që ndonjëherë na bën të kërcasim dhëmbët në gjumë.

Sipas një teorie që nuk është vërtetuar plotësisht, gjatë gjumit ka një pengim të rrugëve të frymëmarrjes dhe në të njëjtën kohë trupi lufton për frymëmarrje duke u përpjekur të lëvizë muskujt rreth gojës dhe nofullës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat