Kartolina e fundvitit dhe miqësia

Life style

Kartolina e fundvitit dhe miqësia

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

Phillip Kunz, një sociolog në Universitetin Brigham Young të Provo-s vendosi në Dhjetor të vitit 1974, të bënte një eksperiment. Ai dërgoi 600 karolina tek njerëz që nuk i njihte, të cilët i kishte zgjedhur nga numeratori i telefonit. I nënshkroi ato herë si “Phil dhe Joyce Kunz” e herë si “Dr. dhe znj. Phillip Kunz. Disa ishin urime fare të thjeshta “Gëzuar Krishtlindjet”, të tjerat ishin letra të gjata.

Reagimet nga marrësit e kartolinave ishin të ndryshme. Më shumë se 100 marrës ndjenë detyrimin për t’u përgjigjur. Disa pyetën se kush dreqin ishte familja Kunz, ndërsa disa të tjerë e priten kartolinën me zemërim duke njoftuar dhe  policinë. Siç shpjegoi më vonë profesori “kartolina nga një i panjohur i kishte bërë shumë njerëz të ndiheshin të pasigurt”. Ndërkohë që kartolinat që ishin printuar në letër të mirë edhe kishin nënshkrimin Dr. Kunz kishin marrë më shumë përgjigje duke treguar se njerëzit ishin më të vëmendshëm ndaj statusit.

Por përgjigja më mbresëlënëse ishte:

I dashur Phil edhe Joyce. Ne e pranuam urimin tuaj për festat me shumë gëzim dhe entuziazëm. Jemi shumë të lumtur që dëgjuam përsëri nga ju dhe jemi shumë të gatshëm të rigjallërojmë miqësinë tonë të vjetër.  Bev, unë dhe fëmijët (tani kemi nëntë) kemi kohë që dëshirojmë të udhëtojmë në jug-perëndim, edhe verën e ardhshme kemi nevojë për një vend ku të ndalemi për disa ditë për t’u shlodhur.  Provo-ja do të ishte vendi i duhur për një ndalesë të tillë. Ne do te nisemi më 1 Qershor, do të udhëtojmë dy ditë dhe planifikuam të qëndrojmë të paktën një javë me ju. 

Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Lou, Bev dhe fëmijët!

P.S. Me ne do të jenë edhe dy qenushët tanë pasi nuk mund  t’i lëmë vetëm.

Unë edhe shumë nga ju u rritëm në kohën e kartolinave apo vizitave të urimit, të cilat në memorien time kanë mbetur si sythe të pafundme reciprociteti e socializimi por mbi të gjitha si konfirmim i faktit që gjatë vitit që sapo kishte mbërritur familja jote nuk do të ishte vetëm. Ndërsa sot, në kohën e rrjeteve sociale edhe internetit dërgojmë kartolina ose mesazhe përshëndetëse, urime të përgjithshme që u drejtohen të gjithëve edhe askujt. Me një klik pretendojmë  të nxisim gëzimin. Por kur dërguesi nuk është i ngazëllyer për urimin, nuk ka gjasa që marrësi të jetë i kënaqur. Në fund të fundit, nëse nuk ka një miqësi serioze për të ushqyer, pse duhet të shqetësohemi e të dërgojmë kartolina e urime boshe?

Një kartolinë, një urim për festat e fundvitit duhet parë si një mundësi për të forcuar miqësitë e sinqerta. Festat e fundvitit janë një moment ekselent për të përcjellë mesazhin se marrësi i ka shtuar një ngjyrë të veçantë jetës tënde, edhe se ti dëshiron të vazhdosh të jesh pjesë e jetës së tij. Ndaj është mëkat i madh që këtë moment rikonfirmimi të miqësisë edhe rëndësisë së njerëzve në jetët tona e kemi transformuar në një proces rutinor sa për të kaluar rradhën.

Lou dhe Bev nuk mund të prisnin kartolina veçse nga miqtë. Ndaj për ta, kur kishte  kartolinë, ekzistonte mundësia për të kaluar një javë pushimet së bashku…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat