Përçmimi i gjuhës së origjinës problem personaliteti i prindërve që rrisin fëmijët në këtë mënyrë

Life style

Përçmimi i gjuhës së origjinës problem personaliteti i prindërve që rrisin fëmijët në këtë mënyrë

Më: 28 janar 2024 Në ora: 11:05

Fëmija im flet vetëm anglisht. E di sa mirë flet, si anglez i vogël. Sa e lumtur që jam. Po shqip flet? Jo mi, e ç’i duhet shqipja sikur do të rrijë në Shqipëri djali im. Djali im do të iki jashtë shtetit, – fliste nëna gjithë vendosmëri dhe krenari.

-Po ti si i flet?

-Unë? Po anglisht mi i flas. Kam hyrë në kurs edhe unë, që të mësoj anglisht.

Ky dialog i zhvilluar në një lokal në Tiranë nuk është i vetëm. Kjo mënyrë të menduari dhe të sjelluri të nënës dhe jo vetëm të nënës, po edhe të babait, është një gjë e zakonshme sot. Prindër, që i nxisin fëmijët të mësojnë gjuhë të huaja është një gjë shumë e mirë sidomos për trurin e fëmijës, por t’i mohoni nga gjuha e vendit, e origjinës, nga gjuha që jo vetëm prindërit flasin po edhe gjyshërit, është e dëmshme për vetë fëmijën për trurin dhe mendjen e tij. Kjo mënyrë e bën fëmijën të huaj me veten dhe krijon problem në karakterin e tij.

Jo rastësisht në Amerikë, Angli dhe vende të tjera, u hapën shkolla për gjuhën e origjinës të emigrantëve pasi minimizon probleme të shëndetit mendor dhe aftësisë për të nxënë apo mësuar të fëmijëve, të cilët janë bijë emigrantësh.

Përçmimi i gjuhës së origjinës është problem personaliteti i prindërve që rrisin fëmijët në këtë mënyrë dhe prindërit që kanë problem personaliteti ndikojnë negativisht apo i përcjellin fëmijës problemet e tyre.

Njeriu nuk ka mundësi tjetër për t’u bërë përveçse gjuhës dhe fjalëve. Mohimi i gjuhës së origjinës dhe mësimi i një gjuhe të huaj në vend të saj është sikur e vendosim mendjen e fëmijës jashtë vetes së tij. Prindër edhe pse i largoni fëmijët nga vendi dhe nuk ia mësoni gjuhën shqipe ata prapë bijtë tuaj mbeten. Zhdërvjelltësimi në gjuhën e origjinës ia lehtëson të mësuarin e gjuhës së huaj fëmijës, prandaj mos ia vështirësoni të mësuarin edhe pse ju duket se flet rrjedhshëm. Gjuha nuk është ca fjalë të thëna mirë apo rrjedhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat