Mospastrimi i rrugëve, autoritetet fajësojnë erën

Maqedonia

Mospastrimi i rrugëve, autoritetet fajësojnë erën

Më: 26 janar 2019 Në ora: 17:19
Mospastrimi i rrugëve

Qytetarët nëpër rrjetet sociale alarmojnë se autostradat nuk janë pastruar dhe nuk janë të sigurta për qarkullim. Shembull i tillë është ky videomaterial i bërë në rrugën Shkup-Veles. Kaos është edhe në Tetovë. Në rrjetet sociale qytetarët apelojnë për kujdes gjatë udhëtimeve. Nga Rrugët e Maqedonisë thonë se ekipet e tyre vazhdimisht pastrojnë rrugët, por problem shkakton era.

Ka vështirësi në qarkullim, për momentin në magjistralen Shtip –Strumicë fryn erë. Era po na shkakton problem sepse sërish e kthen borën në rrugë pasi ekipet e kanë pastruar”-pohoi Gajur Kadriu, drejtor i NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Reshje bore gjatë natës së kaluar kishte në Kodrën e Diellit ku trashësia ka arritur 1 metër. Në aksin Tetovë- Kodra e Diellit ende në fuqi është ndalesa për automjete të rënda transporti. Në Maqedoninë Perëndimore qarkullimi është normalizuar. Është hequr ndalesa për automjetet e rënda në majën Strazhë. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se sonte do të ndalojnë të reshurat e borës, ndërsa nga dita e nesërme pritet mot më i ngrohtë.

Gjatë ditë së nesërme do kemi më shumë diell, sidomos në pjesët qendrore dhe jugore, ndërsa në pjesët e veriut dhe lindjes do kemi vranësira më të mëdha. Do mbajë mot me diell dhe me erë të lehtë. Nga e hëna në orët e pasdites sërish do kemi reshje, por nuk do jetë shumë ftohtë, kështu që të reshurat kryesisht do jenë me shi”- tha Boris Sekirarski, sinoptikan.

Pas ndërprerjes së djeshme kur një aeroplan ishte bllokuar në borën e grumbulluar pas pastrimit të shtigjeve, prej sot aeroporti i Shkupit është në funksion. Për shkak të kushteve të vështira të motit, një ditë më parë aeroplani me të cilin kthehej kryeministri Zoran Zaev nga forumi ekonomik në Davos, më shumë se 40 minuta ka qarkulluar mbi Shkup dhe së fundmi ka ateruar në Sofje, ndërsa delegacioni qeveritar në Shkup është kthyer me foristradat që i ka dërguar kryeministri bullgar, Bojko Borisov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat