​Ahmeti: Të mos biem në grackë, s’ka arsye të ketë kufij midis shqiptarëve

Maqedonia

​Ahmeti: Të mos biem në grackë, s’ka arsye të ketë kufij midis shqiptarëve

Më: 5 maj 2021 Në ora: 16:19
Ali Ahmeti

Nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve është organizuar Akademi përkujtimore për të gjithë dëshmorët e rënë.

Me këtë rast, Ahmeti ka folur mbi luftën dhe sakrificën e popullit shqiptar, përkujtimin mbi dëshmorët dhe të rënët për lirinë që ne sot e gëzojmë, për të arriturat e shqiptarëve dhe barazinë si dhe për rrugën të cilën duhet ndjekur populli jonë dhe ai në rajon drejtë heqjes së kufirit mes tyre.

“Sot bëhen 20 vjet ku përkujtohen dëshmorët e parë, përkujtohen dëshmorët nga të gjithë ne, me vizita në familje, varreza, por për shkak të situatës së jashtëzakonshme që kemi, këto vizita kanë qenë të kufizuara dhe vlerësuam që këtë 20-vjetor të mblidhemi këtu në respekt të heronjve dhe dëshmorëve dhe familjeve të tyre dhe në përkujtim për të gjithë familjet dhe atdhetarë e patriotët se në asnjë moment nuk do të shmangim porositë dhe idealet për të cilat ranë e u sakrifikuan bashkëluftëtarët, heronjtë dhe dëshmorët tanë”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së shtoi se pavarësisht të arriturave, në Maqedoninë Veriore dhe rajon ka ende forca që duan t’i hedhin flakë rajonit, duke bërë projekte e strategji.

“Ne shqiptarët e Maqedonisë të jemi të kujdesshëm dhe mos biem në grackë të provokimeve me gjoja oferta të nacionalistëve, gjoja se për një rend më të mirë shoqëroro-politik. Çdo eksperiment nuk do të ishte i leverdishëm për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për ne detyrë është të kapim hapin e duhur e të anëtarësojnë vendin në BE ashtu siç e bëmë në NATO. Kufijtë e ndarjes të hiqen, nuk ka arsye të ketë kufij midis shqiptarëve dhe popujve tjerë, por të vendoset një standard siç e ka vendos Evropa e bashkuar. Ne nuk kërkojmë më shumë se sa standardet që ka vendosur BE-ja. E kaluara është tepër e hidhur, e dhimbshme. Ne kemi qenë dhe mbetemi luftëtarë, e kalojmë të kaluarën për shkak të dhembshurisë dhe nuk duam që ajo e kaluar të përsëritet, por të shohim se si mund të ecim përpara dhe të ndërtojmë vlera të cilat na ofrojnë qytetërimet evropiane”, u shpreh Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat