Deri në orën 13:00 votuan mbi 24 për qind e elektoratit

Maqedonia

Deri në orën 13:00 votuan mbi 24 për qind e elektoratit

Më: 31 tetor 2021 Në ora: 14:13
Votimi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut.

Në Maqedoninë e Veriut raundi i dytë i votimeve për zgjedhjen e 44 kryetarëve të komunave po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe probleme, bazuar në të dhënat e Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski tha se deri në orën 13:00 në votime kanë dalë 24.87 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pjesëmarrja me e lartë në votime është në komunën e Vevçanit në Strugë, 52.46 për qind ndërsa më e ulët në Saraj të Shkupit, 10.46 për qind.

Në disa vendvotimet ka pasur probleme teknike që kryesisht kanë të bëjnë me votimin me sistemin e ri biometrik - identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”, por sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, ato janë kapërcyer me kohë.

“Arsyet ku ka pasur ndërprerje kanë të bëjnë me mungesën e sinjalin për aktivizimin e aparati biometrik. Në disa vendvotime kishte ndërprerje më shumë se një orë ndërsa votimi ka vazhduar me metodën e vjetër deri në vënien në përdorim të aparateve biometrik”, ka deklaruar Dashtevski.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se procesi zgjedhor në gjithë vendin po zhvillohet në atmosferë të qetë, pa incidente që do të prishin procesin e votimit.

Zëdhënësi i MPB-së, Toni Agellovski ka bërë të ditur se deri në mesditë në gjithë vendin janë ndaluar tre persona, dy në Kërçovë dhe një Tetovë. Dy të parët janë ndaluar pasi njëri kishte grisur fletën e votimit ndërsa tjetri e kishte fotografuar ndërsa qytetari nga Tetova është ndaluar nga organet e rendit pasi kishte tentuar të votoj pa dokument identifikimi.

Për dallim nga raundi i parë më 17 tetor, tani janë regjistruar shumë më pak probleme me votimin që po zhvillohet me sistemin e ri biometrik.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në balotazh kanë 1.353, 990 qytetarë, të cilët këtë të drejtë mund ta realizojnë në 2,481 vendvotime.

Në raundin e dytë do të votohet në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Në rundin e parë, më 17 tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, si dhe asambletë komunale të të gjitha 80 komunave.

Më së shumti komuna ka fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Semokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim.

Edhe në balotazh, beteja kryesore zhvillohet mes partive në pushtet dhe atyre në opozitës, mes kandidatëve të LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së në njërën anë dhe atyre të BDI-së me kandidatët e Lëvizjes BESA që po ashtu është në pushtet dhe opozitës shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Beteja kryesore mes tyre zhvillohet në Tetovë mes Teuta Arifit të BDI-së dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA. Në Gostivar mes Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët dhe Nevzat Bejtës të BDI-së. Për Dibrën garojnë Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka nga BDI ndërsa në Strugë, Ramiz Merko i BDI-së dhe Idri Istrefi i Aleancës për Shqiptarët.

Partitë maqedonase garojnë kryesisht për qytetet e Manastirit, Kumanovës, Ohrit, por betejën kryesore e kanë përqendruar për Shkupin.

Qytetarët mund të zgjedhin mes, Danella Arsovskës, kandidate e pavarur që ka mbështetjen edhe të VMRO-së dhe të opozitës shqiptare dhe Petre Shilegovit, kryetar aktual i Shkupit dhe kandidat i LSDM-së, që mbështetet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Shkupi, si njësi e veçantë e pushtetit lokal me dhjetë komuna urbane ka rreth 800 mijë banorë, bazuar sipas një statistike të vitit 2015.

Në raundin e parë, VMRO DPMNE-ja ka fituar në pesë komuna të Shkupit, ndërsa LSDM-ja në asnjë prej tyre.

Edhe në raundin e dytë qytetarët po votojnë me sistemin e ri biometrik - identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.

Qytetarët votojnë me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.

Raundi i dytë po mbikëqyren nga rreth 1,300 vëzhguesit vendor, dhe afër 200 nga OSBE-ODIHR. Vëzhgues kanë akredituar edhe shumë ambasada të huaja në vend.

Të shtunën, të drejtën e votës e kanë realizuar të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me covid-19.

Vendvotimet mbyllen në orën 19.00 ndërsa rezultatet publikohen në faqen elektronike të KSHZ-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat