Lloga: Pres mbështetje nga opozita për ndryshimet kushtetuese

Maqedonia

Lloga: Pres mbështetje nga opozita për ndryshimet kushtetuese

Më: 7 maj 2023 Në ora: 12:56
Krenar Lloga

Preambula mbetet prioritet i grupit të punës i cili do t’i përgatisë ndryshimet kushtetuese, thotë ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe pret që propozimi të kalojë në Kuvend.

“Mua më vjen keq që OBRM-PDUKM nuk është pjesë e këtij Grupi të Punës. I ftoj edhe një herë të jenë pjesë e suksesit, për rrugën e ardhmërisë evropiane të Maqedonisë dhe besoj se këta që pranuan të jenë pjesë e këtij grupi punues, janë njerëz guximtarë. Këta janë njerëz të jashtëzakonshëm, për shkak se në momentin e vërtetë ata gjetën kohë, edhe pse e dinin që do të nxihen nga një pjesë e opinionit publik ta japin kontributin e tyre që ne një ditë të jemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

Dhe, besoj se me ta do të kemi tregim të suksesshëm, të cilin do të duhet t’ia paraqesim opinionit publik para se ta miratojmë në Kuvend. Ne e kemi pjesën e përgatitjes, ndërsa propozues do të jetë Qeveria dhe në atë pjesë ne, për një kohë të shkurtër, punën tonë do ta paraqesim para jush”, ka thënë Lloga në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë.

Ministri i Drejtësisë vlerëson se ende ekziston hapësirë që OBRM-PDUKM t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

“Në disa deklarata OBRM-PDUKM ka dhënë hapësirë, se do t’i mbështet ndryshimet kushtetuese dhe kjo është parë më së paku dy herë. Lideri i tyre njëherë tha se kërkojnë garanci të forta nga Bashkimi Evropian, mandej tha se do të tregojnë qëndrim pozitiv nëse e kemi formulimin si në Kroaci. Kështu që, nëse OBRM nuk do të gjejë fuqi si një nga partitë më të mëdha politike, besoj se brenda në OBRM-PDUKM do të gjenden njerëzit e vërtetë të cilët do të dinë të njohin të ardhmen e shtetit, se nuk ka rrugë tjetër, për shkak se kjo që kërkohet dhe që pritet prej nesh, patjetër duhet të plotësohet”, theksoi Lloga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat