Edhe BFI është kundër Ligjit për evidencë amë dhe Ligjit për barazi gjinore

Maqedonia

Edhe BFI është kundër Ligjit për evidencë amë dhe Ligjit për barazi gjinore

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 15:52
Bashkësia Fetare Islame e RMV-së

Bashkësia Fetare Islame e RMV-së njofton se është kundër miratimit të ligjeve për barazinë gjinore dhe për evidencë amë dhe se qëndrimi i saj në lidhje me ligjet e diskutueshme, të cilat kanë hapur debat në opinion, është “para se gjithash mbrojtja e vlerave tradicionale familjare”.

Nga BFI thonë se edhe më herët kanë dalë me qëndrim për mbështetjen e vendimit të të gjithë krerëve të komuniteteve fetare në vend, i cili erdhi si rezultat i mbledhjes së përbashkët të 7 majit të këtij viti, gjatë së cilës u theksua se ligjet në fjalë janë në kundërshtim me parimet fetare dhe nuk do të mbështeten.

“Mbrojtja e familjes dhe e gjenit të njeriut është një parim bazë nga i cili nuk mund të distancohemi, sepse është thelbi i një shoqërie të shëndoshë. Historikisht, në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen, BFI do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të vlerave kombëtare, fetare, morale dhe shpirtërore, sepse mbrojtja e këtyre vlerave është detyrim fetar për të mbrojtur shoqërinë njerëzore.

Çdo iniciativë, çdo ide apo parim ligjor që është në kundërshtim me natyrën njerëzore është i papranueshëm për BFI-në. Sipas informacioneve që kemi, ligjet kontraverse në Kuvend janë tërhequr nga procedurat e mëtutjeshme dhe për këtë e përgëzojmë Qeverinë për një hap të tillë”, thuhet në njoftimin e BFI-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat