Policia arrestoi 4 banorë të Reçicës së Kumanovës pas përplasjes së një dite më parë

Maqedonia

Policia arrestoi 4 banorë të Reçicës së Kumanovës pas përplasjes së një dite më parë

Më: 7 janar 2024 Në ora: 19:21
Foto ilustrim

Katër të arrestuar është bilanci i mbrëmshëm i përleshjes së banorëve të Reçicës së Kumanovës me Policinë. Nga MPB thonë se në pranga u vunë protestuesit, të cilët sulmuan zyrtarët policorë dhe nuk iu bindën urdhrit për zhbllokimin e rrugës regjionale Kumanovë-Reçicë. Banorët e këtij fshati u përleshën me policinë pasi nuk lejojnë që kamionët e Agjencisë së Veterinarisë të hynë në fshatin e tyre. Sipas banorëve fërkime me policinë kanë pasur edhe dy ditët e kaluara, pasi që në afërsi të vendbanimit të tyre po groposen një sasi e madhe e derrave të ngordhur nga sëmundja e Murtajës Afrikane.

“Me datë 6 Janar 2024, zyrtarët policorë nga SPB Kumanovë, duke vepruar sipas kërkesës së AUV-së për zbatimin pa probleme të konkluzioneve të shtabit të krizës të Komunës së Kumanovës, për largimin e menjëhershëm dhe të pa dëmshëm të derrave të asgjësuar nga Murtaja Afrikane, ka ndaluar 4 persona në fshatin Reçicë, të cilët kanë sulmuar fizikisht policët, dy prej të cilëve janë lënduar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj autorëve do të ngrihet kallëzim përkatës”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Banorët druajnë se ambienti i tyre do të kontaminohet dhe kundërshtojnë ashpër aksionin. Alsat kontaktoi me Agjencinë e Veterinarisë, nga ku thanë se kanë dhënë urdhër për asgjësimin e derrave të infektuar nga virusi që shkakton sëmundjen e Murtajës Afrikane te kafshët. Sipas këtij institucioni banorët nuk duhet të shqetësohen sepse ky virus nuk bartet tek njerëzit, kurse derrat janë marrë nga fermerët e fshatit tjetër të Kumanovës, Tromegjë. Agjencia e Veterinarisë tha se lokacionin e përcakton vet komuna dhe procesi i groposjes bëhet me dezinfektim përkatës.

“Agjencia e Ushqim dhe Veterinarisë nuk ka dijeni se pse kanë protestuar banorët e fshatit Reçicë të Kumanovës, sepse shërbimet inspektuese të AUV-së nuk kanë fare aktivitet atje. Groposja e derrave të ngordhura nga Murtaja afrikane dhe derrat e shpopulluar nga ferma në fshatin Tromegjë, ku 60 derra nga 660 kafshët kanë ngordhur së fundmi nga kjo sëmundje, bëhet në një lokacion në fshatin Rezhanovc, i cili për këtë qëllim është caktuar nga pushteti lokal. Pas rastit të fundit në fshatin Tromegjë, për momentin gjendja e sëmundjes në Kumanovë është stabile, gjegjësisht nuk ka vatra të reja të infeksionit. Aktivitetet për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes po vijojnë në zonën mbrojtëse dhe mbikëqyrëse”, thonë nga Agjencia e Ushqim dhe Veterinarisë.

Në mbledhjen e fundit të shtabit të krizës në Komunën e Kumanovës janë marrë disa masa për parandalimin dhe frenimin e përhapjes së sëmundjes Murtaja afrikane te derrat. Në këtë drejtim, siç informon komuna, është rekomanduar që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të marrë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse gjatë transportit nga shpërthimi i sëmundjes në vendin e caktuar për varrimin e derrave të ngordhur dhe të veprojë në përputhje me protokollet e punës gjatë kryerjes së groposjes. Por, banorët shprehen të revoltuar dhe paralajmërojnë që edhe të hënën do të mbajnë protestë në Reçicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat