Historia e jashtëzakonshme e dashurisë së Sophia Loren

Mediale Vip

Historia e jashtëzakonshme e dashurisë së Sophia Loren

Më: 5 prill 2019 Në ora: 10:34
Sophia Loren

Cesira në dy Gra, Lucia Curio në ‘Gjithçka filloi në Napoli’, Filumena Marturano në ‘Martesë në Stilin Italian’ dhe Giovanna në ‘Luledielli’– Sophia Loren ka qenë e njohur me shumë emra përgjatë jetës së saj artistike, por ajo njihej si ‘gruaja’, ‘shpirti binjak’ dhe ‘dashuria e madhe’ e vetëm një personi: Carlo Ponti.

Flokët e saj të gjatë e të errët, sytë xixëllues, gjymtyrë të gjatë në një bukuri të pashembullt bënë që zemra e të gjithë meshkujve në mbarë botën të “shkelmonte” kraharorin e tyre, por Sophia kishte sy vetëm për një burrë, dhe pavarësisht diferencës prej 22 vitesh, ajo do të qëndronte përkrah tij përgjithnjë.

Dhe nëse në romancat moderne të personazheve të njohura si David dhe Victoria Beckham ose Will dhe Kate Middleton, po qoftë dhe në ato klasiket si të Audrey Hepburn  dhe Robert Wolders apo Grace Kelly dhe Princi Rainer i Monakos, kemi qenë dëshmitarë të pasionit, zemërimit, dashurisë së humbur e të rigjetur, sot na lejoni t’ju shoqërojmë në një tjetër histori të jashtëzakonshme dashurie, e cila ngjason me ato të përrallave.

E lindur në varfëri, si një foshnje jo legjitime e një nëne beqare, Sofia Villani Scicolone do të përjetonte një përrallë të inskenuar në realitet, e cila do ta shndërronte në Sophia Loren, në një nga ikonat më të dashura kinematografike.

Që në moshë të hershme, Sophia e gjeti veten e saj në mënyrë të pashmangshme të tërhequr pas teatrit. Ajo nuk reshte së pari aktoret e saj të preferuara hollivudiane në ekran. Dhe pse në moshën 11-vjeçare, ajo e dinte që e ardhmja e saj do të shtrihej në kinematografi.

Ishte viti 1950, kur Sophia do të shfaqej si konkurrente në garën e bukurisë ‘Miss Eleganca në Romë’. Një dredhi e Kupidit solli përballë saj Karlon, një producent i njohur i filmit në Itali. Ai ishte një nga pjesëtarët e jurisë së konkursit. Që në momentin e parë që ajo do shkelte mbi atë skenë, ai nuk mundi dot më t’i largonte sytë prej saj.

“E dija në mënyrë të menjëhershme se ajo ishte dikushi që do linte shenjë. Diçka luajti jashtë saj, që i mundësoi atë lloj ndriçimi”, këto ishin fjalët e Karlo Pontit për momentin e parë ku sytë e tij hasën ato të Sophias.

Pavarësisht se kishte një kimi të menjëhershme midis të dyve, Karlo ishte i martuar më parë dhe ndonëse ishte ndarë nga gruaja e tij, rrethanat i vendosnin një mur gjigand romancës së tyre. Për Sophian ishte e pakonceptueshme që të konsiderohej si “tjetra” në jetën e Pontit, sidomos për shkak të pikëpamjeve të saj lidhur me martesën. Karlo Ponti nuk bëri asgjë më shumë sesa ta merrte përkrah tij, duke u bërë agjenti i saj i talenteve dhe duke i ndryshuar emrin nga Sofia Scicolone në Sophia Loren.

Gjatë katër viteve të ardhshme, me ndihmën e Karlos, Sophia u paraqit në 30 filma befasues, dhe përgjatë kësaj periudhe ata filluan të afroheshin akoma dhe më shumë me njëri-tjetrin duke u bërë eventualisht në të pandashëm. Pas katër vitesh shoqëri, Karlo do të arrinte t’i propozonte 20-vjeçares Sophia.

Të çmendur pas njëri-tjetrit, çifti nuk do t’i dëgjonte kritikët, të cilët u shprehën se martesa e tyre nuk do të funksionojë, thjesht dhe vetëm për faktin e diferencës në moshë. Duke injoruar të gjitha sulmet që i vinin nga jashtë, ata u martuan gjithsesi më 17 shtator 1957 në një ceremoni sekrete, duke e festuar atë natë me një darkë në shtëpinë e tyre njëkatëshe private.

Një muaj më vonë, ende në fazën e muajit të mjaltit, ata nuk mund ta besonin atë që po dëgjonin: Karlo ishte akuzuar për bigami. Kisha Katolike nuk do ta njihte divorcin e Karlos nga gruaja e tij e mëparshme, dhe deklaroi se martesa e tij me Sophian nuk ishte e ligjshme. Dyshja në fjalë bëri një luftë të vakët për të kundërshtuar ligjin, por ishin të tmerruar nga fakti se mund të shkishëroheshin.

“Isha duke u kërcënuar me shkishërim, me zjarrin e përjetshëm dhe për çfarë arsye? Unë kisha rënë në dashuri me një burrë, martesa e të cilit kishte përfunduar shumë kohë më parë. Doja të isha gruaja e tij dhe të kisha fëmijë me të. Kemi bërë më të mirën e mundshme në mënyrë që ligji ta zyrtarizonte martesën tonë, por ato vazhdonin duke na thirrur mëkatarë publikë. Ne duhet të ishim në muajin tonë të mjaltit, por gjithçka që mbaj mend janë lotët e mia që derdheshin për orë të tëra”, do shprehej Sophia Loren përgjatë asaj periudhe të vështirë.

Ajo që pasoi ishin vite të tëra duke luftuar ligjin në sallën e gjyqit, por mjerisht ata nuk mund të fitonin. Ata nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të anulonin martesën e tyre në vitin 1962. Dashuria e tyre ishte më e fortë se kurrë, dhe nëse martesa për disa mund të konsiderohej thjesht si “cop letër”, për Sophian simbolizonte gjithçka. Ajo nuk kishte bërë asgjë të keqe, thjesht kërkonte të martohej me dashurinë e jetës së saj.

Vitet kalonin, dhe sërish nuk lejoheshin që të martoheshin. Më në fund, pasi arritën një marrëveshje me gruan e parë të Karlos, çifti ishte detyruar të hiqte dorë nga shtetësia e tyre italiane, duke zgjedhur të shkonin në Francë. Pasi të bëheshin qytetarë francezë,Karlo ishte ligjërisht në gjendje të kërkonte divorc dhe të rimartohej.

Ishte 9 prilli i vitit 1966 kur Sophia Loren dhe Karlo Ponti u shpallën të martuar nga kryetari i Sevres. Në një ceremoni tepër të thjeshtë, por jo më pak kuptimplotë, pasi ata më në fund kishin arritur atë që kishin dëshiruar.

I parë si një çift me jetëgjatësi të shkurtër, me kalimin e kohës, dashuria e tyre vazhdonte të thellohej dhe të lulëzonte, në të njëjtën mënyrë sikurse dhe karriera e tyre në film e televizion. Më pas çifti do të kurorëzonte plotësisht dashurinë e tyre me lindjen e dy djemve.

Ata përfundimisht u zhvendosën nga Franca në Gjenevë,Zvicër, ku jetuan larg aparateve fotografike e në qetësi. Ishte Viti i Ri i 2007, kur Karlo me problemet e tij në frymëmarrje, do të shtrohej në spital. Ai ishte 94-vjeç, dhe ndërkohë sëbashku me Sophian kishte kaluar 50 vite të mbushura me dashuri. Karlo qëndroi në spital për 10 ditë duke luftuar, por vdiq më 10 janar të 2007. Sophia nuk e kishte lënë në asnjë moment të vetëm në spital përgjatë gjithë ditëve. Ajo sapo kishte humbur të vetmin person që kishte dashur ndonjëherë.

Vite më vonë kur e pyetën në një intervistë nëqoftëse ajo do të martohej përsëri, Sophia u përgjigj:

“Kurrë më. Do e kisha të pamundur të dua dikë tjetër.”

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat