Ricky Martin flet rreth presionit për t’u deklaruar hapur si homoseksual

Mediale Vip

Ricky Martin flet rreth presionit për t’u deklaruar hapur si homoseksual

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 22:24
Ricky Martin

Tani ndihet shumë rehat për ta shpërfaqur para adhuruesve jetën në shtëpi me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Por, këngëtari 49-vjeçar Ricky Martin jo gjithmonë ka qenë kaq i gatshëm për të folur hapur rreth jetës së tij private.

Martin ka thënë të enjten se ishte traumatizuar kur gjatë një interviste ishte nxitur të pranonte se ishte homoseksual. Fjala është për intervistën dhënë Barbara Waltersit në “The View” gjatë vitit 2000.

Në një intervistë për “People”, Martin ka thënë se kur është pyetur lidhur me seksualitetin, ai ishte ndier i fyer.

“Nuk isha i gatshëm për të treguar. Përnjëmend u frikësova. Është një përvojë që më ka traumatizuar”, ka theksuar Martin.

Këngëtari i hitit “Livin' La Vida Loca” ishte ulur përballë Barbaras 91-vjeçare, në kulmin e famës së tij, për të folur rreth jetës dhe karrierës. Por, tregon se asokohe ishte shtangur kur gazetarja e kishte pyetur për orientimin seksual.

“Po qarkullojnë thashetheme rreth orientimit tuaj seksual, ndoshta jeni në dijeni për këtë gjë?”, e kishte pyetur ajo, për të vazhduar me një mori pyetjesh të tjera si: “A ju lëndojnë? Si i përballoni?”.

Këngëtari përgjigjen e kishte shmangur me pretekstin e intimitetit.

“Vetë fjala tregon që është intimitet. Seksualiteti dhe homoseksualiteti nuk duhet të jenë punë e askujt tjetër. Mendoj se seksualiteti është diçka me të cilin çdo njeri duhet të merret vetë dhe kaq kam për të thënë për këtë temë”, kishte thënë ai.

Por, gazetarja kishte vazhduar me pyetje.

“Po mirë, mund t’u jepni fund këtyre thashethemeve. Mund të thoni sikurse kanë thënë shumë artistë: ‘Po, i takoj komunitetit LGBT’ apo mund të thoni se nuk i takoni, ose thjesht ta lini të paqartë, sikurse tani”.

Këngëtari, pas kësaj, kishte thënë: “Faleminderit që ma dhatë mundësinë që t’i pranoj apo jo këto thashetheme, por për disa arsye thjesht nuk dua”.

Ylli latin ka thënë të enjten se ky bashkëbisedim i kishte shkaktuar stres post-traumatik, për shkak se nuk ishte përgatitur për të folur kaq hapur para publikut lidhur me orientimin e tij seksual.

Martini tani është i martuar me artistin 37-vjeçar Jwan Yosef dhe kanë katër fëmijë – binjakët 12-vjeçarë Valentino dhe Matteo, si dhe Lucian e Rennin, që të dy 2-vjeçarë.

Ai kishte njoftuar se i takon komunitetit LGBT 10 vjet më parë, në uebfaqen e tij.

Pas një kohe, gazetarja Barbara kishte pranuar se të ketë bërë gabim pse e kishte shtyrë Martinin të fliste publikisht për temën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat