Shakira akuzohet për evazion fiskal, rrezikon burgun

Mediale Vip

Shakira akuzohet për evazion fiskal, rrezikon burgun

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 16:02
Shakira

Shakira nuk do të jetë në gjendje ta shmangë gjykimin për mashtrim fiskal, nëse nuk arrin një marrëveshje të minutës së fundit me prokurorin publik të Spanjës. Pas një hetimi 3-vjeçar, gjykatësi Marco Jesús Juberías e ka mbyllur çështjen për këngëtaren kolumbiane, teksa ka gjetur “prova të mjaftueshme” për ta gjykuar atë për shmangien e 14.5 milionë eurove nga taksat, duke fshehur pasurinë e saj përmes një rrjeti kompanish të bazuara në parajsat fiskale.

Prokuroria e akuzon Shakirën, emri i plotë i së cilës është Shakira Isabel Mebarak Ripoll, për gjashtë kundërvajtje tatimore. Nëse dënohet, superylli mund të përballet me burgun. “Shakira Isabel Mebarak Ripoll nuk pagoi taksat në Spanjë gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014, edhe pse e kishte për detyrë ta bënte këtë, pasi vendbanimi i saj tatimor ishte këtu”, – shkroi gjykatësi Jesús Juberías në një dokument gjyqësor.

Këngëtarja gjithmonë ka këmbëngulur se gjatë këtyre viteve jetonte në Bahamas, një vend ku nuk paguhen taksa mbi të ardhurat, dhe e vizitoi Spanjën vetëm “në mënyrë sporadike”. Por ky pretendim është hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur nga inspektorët e taksave, të cilët kanë hetuar nga afër jetën e Shakirës në Katalonjë, ku ajo jeton me futbollistin e Barcelonës, ​​Gerard Pique.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Shakira duhet të kishte paguar 14.5 milionë euro tatim mbi të ardhurat spanjolle, të njohura si IRPF, dhe taksën e korporatës, por në vend të kësaj përdori një seri kompanish për të fshehur pasurinë e saj.

Gjyqtari Juberías mbështeti argumentet e Agjencisë Tatimore Spanjolle dhe prokurorit publik, por tregoi se kjo fazë e procesit kishte të bënte vetëm me përcaktimin nëse kishte apo jo prova të mjaftueshme të evazionit fiskal, jo “pafajësinë ose fajësinë e Shakirës”. Pozicioni i Agjencisë Tatimore dhe ekipit mbrojtës të këngëtares janë “diametralisht të kundërta”, thuhet në dokumentet e gjykatës, dhe vetëm një gjykim mund të përcaktojë se kush ka të drejtë.

Vendimi është një pengesë e madhe për Shakirën, e cila ka bërë gjithçka të mundshme për ta ndaluar çështjen që të shkojë në gjykatë. Kjo betejë ligjore është përqendruar në vendbanimin e këngëtares. Sipas ligjit spanjoll, një person konsiderohet si rezident tatimor i vendit nëse ka kaluar 183 ditë në vend. Agjencia Spanjolle e Taksave e pranon që Shakira udhëtoi shpesh për punë gjatë viteve në fjalë, por i konsideron këto udhëtime “mungesa sporadike”, duke pasur parasysh se vendbanimi i saj, ku u kthye pas punës, ishte Barcelona.

Gjykatësi gjithashtu gjeti prova të mjaftueshme kundër një të pandehuri tjetër në këtë çështje, avokatit dhe këshilltarit të taksave të Shakirës në atë kohë. Megjithatë, prokurori publik ka kërkuar që çështja kundër tij të pushohet, duke argumentuar se ai nuk ka kryer një krim. Këngëtarja, e cila ka mohuar akuzat dhe pretendon se është e pafajshme, tashmë i ka paguar Agjencisë Tatimore 17 milionë euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat