Java e modës në Athinë, stilistë grekë dhe serbë zgjedhin modelin shqiptar

Mediale Vip

Java e modës në Athinë, stilistë grekë dhe serbë zgjedhin modelin shqiptar

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 23:57
Elton Ilirjani

Kryeqyteti grek organizoi në fillim të nëntorit Javën e Modës, ku mikpriti stilistët dhe markat më të njohura, me qëllim krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e industrisë së modës.

Në tri shfaqje të veçanta, nga data 1 deri në 4 nëntor, sfiloi modeli e aktivisti Elton Ilirjani.

Stilisti i famshëm grek, Nikos Takis, përzgjodhi modelin me origjinë shqiptare për hapjen e javës së modës në Athinë. Me një kostum burrash me taka të larta në fillim dhe me një fustan të perëndeshe në mbyllje, Eltoni tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, ndërsa u përzgjodh nga Getty Images, që e prezantoi në faqen zyrtare.

Modeli solli në javën e 33-të të modës së kryeqytetit grek, një bashkëpunim me një stiliste serbe. Ai pozoi për Suzana Peric me një pjesë statuje në flori me dekoltenë e një femre të përgatitur nga artistët serbë.
Edhe stilisti i mirënjohur nga Selaniku, Kostantinos Tsigaros e përzgjodhi Ilirjanin si në hapjen e sfilatës, ku prezantoi koleksionin e ri. Nuk mungoi as prezantimi i një koleksioni aksesorësh të Angelique Tsanis, e cila ndërthur studimet e saj në arkitekturë, pasionin për udhëtimet e dashurinë për modën për të krijuar bizhuteri luksoze.

Java e Modës në Athinë zhvillohet dy herë në vit, çdo tetor-nëntor dhe mars-prill, duke shfaqur stilistë dhe marka të modës të njohura dhe të reja greke, duke ofruar një platformë për dizajnerët grekë që të lidhen me përfaqësuesit e mediave dhe blerësit e modës brenda dhe jashtë kufijve grekë.

Pjesëmarrja e Ilirjanit në Javën e Modës në Athinë është një tjetër arritje për të, pas shfaqjeve ku bëri jo pak bujë në Javën e Modës në Londër, New York e Kosta Rika, shfaqje të cilat aktivisti i ka shfrytëzuar për të përcjellë mesazhe kundër diskriminimit gjinor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat