Në një rrëfim të ndjerë, Eno Popi flet për humbjen e nënës

Mediale Vip

Në një rrëfim të ndjerë, Eno Popi flet për humbjen e nënës

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 09:57
Eno Popi

Eno Popi, në një rrëfim tejet personal në “DWTS”, ndau me të gjithë një pjesë të jetës së tij private, ku tregoi momentin kur mori lajmin se e ëma ishte diagnostikuar me tumor në pankreas dhe mendimin që herë pas here i vjen në mendje.

“Ishte maji i vitit 2014 kur një telefonatë nga im atë na tregon se mamaja ishte diagnostikuar me tumor në pankreas. Është si të të lëvizë toka nën këmbë”, tregoi ai fillimisht.

Më tej, moderatori tha se u përball me dy portrete: Atë të shpresës dhe atë të trishtimit:

“Në javët e fundit, mua më është dashur që të mbaj dy portrete: Një buzëqeshje që ka qenë shpresë dhe dëshirë për ta vazhduar jetën dhe natyrisht, kur dilja nga dyert e spitalit, një trishtim i pamatë. Mua më është dashur të luftoja pikërisht me këtë; të luftoja për të treguar se do ia dalim, do ia hedhim. Është fazë e vështirë, por do të bëhet më mirë, edhe pse e dinim që s’do bëhej fare më mirë”.

Eno vijoi duke thënë:

“Rri vazhdimisht e mendoj se pse nuk bëmë ne një udhëtim të fundit. Ajo kishte shumë dëshirë të udhëtonte. I thashë: “Ok, do të të marr unë, ikim me makinë”. Ishte një mundësi e mirë për të ndenjur vetëm, për të folur, për t’u mbyllur te gjërat tona. Mjekja onkologe më tha: “Në datën 28-29 Nëntor, mjekët e kanë pushim, ndaj përpiqu ta bëjmë kimioterapinë më herë”.

Më tej, ai tregoi se shpresoi se nëna do të bëhej më mirë, por nuk ndodhi kështu:

“Shpresova fort se do të bëhej mirë dhe ta mbanim planin tonë të udhëtimit. Nga ai moment, rënia ishte e dukshme. Krevati u bë vendi ku nuk u çua asnjëherë, deri në momentin kur Zoti e mori pranë vetes”.

“Ai udhëtim i parealizuar, më vjen në mendje gjithmonë dhe them me vete: “Pse?”. Natyrisht, asgjë nuk do të kishte ndodhur, ne e dinim si do të shkonin gjërat, por të paktën do ta kishim mbajtur një kujtim, gjë që unë e humba”, përmbylli rrëfimin moderatori.

Ai dha edhe mesazhin: “Shijojini prindërit sa i keni. Realisht, gëzojuni familjes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat