Mbrëmë është raportuar për plagosjen e një personi të moshës së re, në pjesën matanë Ibrit në Mitrovicë.
Bëhet fjalë për të riun me nacionalitet serb (22 vjeçar) që mori plagë nga arma e zjarrit në afërsi të qendrës në Mitrovicën veri, njofton “B92”, transmeton “Bota sot” duke njoftuar se sot ai është transportuar për spital në Beograd.
Gjendja e të riut të plagosur sipas personalit të spitalit rajonal në veri, është stabile, ai është R. M. (1997) që mori plagë nga arma e zjarrit, ndërsa pas ndihmës së parë është operuar dhe gjendja e tij është stabile.
Pas operimit dhe sanimit të plagës, është vendosur që ai të bartet në Beograd, për shkak të mundësisë së komplikimeve kanë thënë në spitalin e Mitrovicës.
Konfrontimi me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë pas orës 23 në pjesën e shëtitores tek qendra e qytetit matanë Ibrit dhe në kohën e incidentit kishte shumë shëtitës por edhe qytetarë në lokalet e shëtitores.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë marr edhe xhirimet nga kamerat e sigurisë, me qëllim që sa më parë të identifikohet dhe arrestohet kryesi i sulmit.
"Rasti është cilësuar si tentim-vrasje ndërsa nën dyshimin e implikimit një person është marr në bisedë nga policia. Ende nuk ka informata rreth motivit të këtij sulmi “ ka thënë zëvendës drejtori i Policisë rajonale në veri Besim Hoti.
Mësohet se i lënduari nuk njihet si person me të kaluare kriminale.