Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë

Mitrovica

Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë

Më: 13 mars 2021 Në ora: 15:58
Mitrovicë

Përfaqësues të institucioneve komunale dhe asociacioneve të tjera në Mitrovicë, familjarë të viktimave e martirëve, si dhe qytetarë, kanë përkujtuar sot viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë, që ndodhi 22 vjet më parë, kur forcat serbe sulmuan me minahedhës, ndërsa tregu ishte përplot me njerëz.

Si pasojë e këtij shpërthimi, mbetën të vdekur shtatë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa u plagosën 128 shqiptarë të tjerë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, para të pranishmëve tha se këta njerëz, por edhe të gjithë të tjerët që dhanë jetën për vendin, meritojnë përulje dhe respekt të përjetshëm, sepse sot Kosova dhe qytetarët e saj nuk do të ishin të lirë.

Ai ka kërkuar nga institucionet më të larta shtetërore dhe ato ndërkombëtare, që të veprojnë në mënyrë që autorët e kësaj masakre të përgjigjen para drejtësisë.

Bahtiri: Kërkojmë që autorët e kësaj masakre të përgjigjen para drejtësisë

“Këta njerëz, por edhe shumë të tjerë që kanë dhënë jetën për këtë vend pa fajin e tyre, nga një agresor shekullor, i cili dëshiron të mbetet agresor, dhe ende dëshiron që të ketë dorë në Kosovë, ne ju themi stop atyre, dhe kërkojmë nga institucionet më të larta shtetërore dhe ato botërore, që këta njerëz të cilët kanë shkaktuar këto viktima, të përgjigjen para drejtësisë. Kjo është kërkesa jonë legjitime dhe njerëzore”, ka thënë Bahtiri.

Në vendin e ngjarjes, ku 22 vite më parë kishte ndodhur atentati, folën edhe Arif Xhafa i cili ishte plagosur në këmbë dhe Shemsi Selani, familjar, nëna e të cilit kishte vdekur, ndërsa motra i ishte plagosur gjithashtu në këmbë.

Xhafa ka përshkruar atë ditë të llahtarshme në Mitrovicë, pasi që në treg shiheshin njerëz të vdekur e të plagosur, ndërkohë që gjaku mbulonte gjithandej hapësirat e tregut.

Xhafa: Kam parë gjak, viktima, njerëz pa gjymtyrë, ka qenë një tmerr

“Jam plagosur në këmbë. Ajo ditë ishte ngjashëm si kjo sot, ngrohtë, veçse tregu ka qenë i stërmbushur. Kam qenë afër dhe e kam pa ngjarjen qysh ka ndodhë, por përnjëherë mu kanë mbyllur veshët dhe s’kam dëgjuar asgjë. Kam parë njerëz të shtrirë nëpër tokë. Unë kam parë gjak, edhe pse s’e kam ditur në ato momente nëse jam i plagosur ose jo. Kam parë viktima, njerëz pa gjymtyrë, ka qenë një tmerr që s’përshkruhet me fjalë”, theksoi Xhafa.

Shemsi Selani, duke rrëfyer për ngjarjen, tha se atë ditë tregu ka qenë përplot me njerëz, ndërsa nuk ka qenë asnjë serb.

Selani: Ka qenë tmerr dhe atë ditë asnjë serb nuk ka qenë në treg

“Këtu më 13 mars ka qenë nëna ime e cila ka ndërruar jetë. Ka rënë granata, ajo ka qenë me gjithë motër. Motra është në Suedi dhe është plagosur në këmbë, por falë Zotit ajo ka shpëtuar. Ka qenë tmerr dhe atë ditë asnjë serb nuk ka qenë në treg, vetëm shqiptarë ka pasur”, u shpreh Selani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat