Kuvendi Komunal i Mitrovicës mbajti seancë solemne: Kjo ditë tashmë shënon historinë

Mitrovica

Kuvendi Komunal i Mitrovicës mbajti seancë solemne: Kjo ditë tashmë shënon historinë

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 12:29
Kuvendi Komunal i Mitrovicës

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka mbajtur sot seancë solemne me rastin e shënimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesin e shumë të pranishmëve në këtë solemnitet mori pjesë edhe një delegacion nga Vlora i përbërë nga autoritete të politikës, biznesit, mediave etj.

Seanca ka filluar me një minutë heshtje për të gjithë të rënët e vendit.

Kryesuesja e Kuvendit, Vesa Broja, tha se kjo ditë shënon historinë e vendit, sepse është kurorëzim i lavdisë dhe sakrificës shumëvjeçare.

Broja: Kjo ditë tashmë shënon historinë e vendit tonë

“Kjo ditë tashmë shënon historinë e vendit tonë. Është kurorëzim i lavdisë dhe sakrificës shumëvjeçare për liri dhe pavarësi. Në këtë ditë është jetësuar amaneti i dëshmorëve dhe përmbyllja e asaj që Adem Jashari me shokë e nisën, për ta përfunduar bashkëluftëtarët e tij në krye me presidentin Hashim Thaci”, ka thënë Broja.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, theksoi se përpjekjet e popullit të Kosovës për këtë ditë janë të mëdha dhe të shtrira në kohë.

Sipas tij, çmimi për lirinë dhe shtetin vazhdon të paguhet edhe sot nga ata që ishin më meritorët, duke përmendur përballjen e tyre kundër një procesi gjyqësor të cilin e quajti të padrejtë.

Hamza: Përpjekjet e popullit tonë për këtë ditë janë të mëdha e të shtrira në kohë

“Përpjekjet e popullit tonë për këtë ditë janë të mëdha e të shtrira në kohë. Secila gjeneratë pashmangshëm ka vendosur gurin e vet në themelet e lirisë së Kosovës, që nga pavarësia e Vlorës deri tek minatorët, që nga përpjekjet paqësore dhe deri tek lufta e lavdishme e UCK-së, që ishte momenti më i dinjitetshëm në vetëdijen dhe veprimin për liri dhe pavarësi… Edhe sot vazhdon të paguhet cmimi për lirinë dhe shtetin. Ata janë dhe më meritorët, por përballen me një proces të padrejtë, mirëpo i bindur që edhe këtë sfidë do ta kalojnë si triumfues”, tha Hamza.

Në anën tjetër, Flamur Mamaj, prefekt i qarkut të Vlorës, gjatë fjalës së tij ka thënë se dita e sotme është ditë e triumfit të madh të sakrificave mbinjerëzore të popullit heroik të Kosovës.

Mamaj: Sot është dita e triumfit të madh të përpjekjeve dhe sakrificave mbinjerëzore të popullit heroik të Kosovës

“Sot është dita e triumfit të madh të përpjekjeve dhe sakrificave mbinjerëzore të popullit heroik të Kosovës. Sot Kosova festoon, përkujton dhe nderon heroin e pakrahasueshëm, komandantin legjendar Adem Jashari”, u shpreh Mamaj.

Të pranishmit pas seancës solemne kanë bërë homazhe tek varrezat e Dëshmorëve në Shipol, pastaj kanë vizituar Kompleksin Përkujtimor në Prekaz, si dhe Kullën e Isa Boletinit në fshatin Boletin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat