Mitrovica prinë me rastet sociale

Mitrovica

Mitrovica prinë me rastet sociale

Më: 21 mars 2023 Në ora: 22:58
Foto ilustrim

Komuna e Mitrovicës prin me numrin e rasteve sociale. Kjo bën që nevoja për ndihma të jetë e madhe. Ka familje që nuk e kanë të zgjidhur ende punën e strehimit e kushtet për jetesë janë shumë të vështira.

Mensur Çizmolli nga Mitrovica tash e tre muaj ka mbetur pa shtëpi. Shtëpia në lagjen “2 Korriku” ku ai dhe familja e tij qëndruan për rreth 20 vjet, u rrënua nga pronari i saj. Kjo familje muajin e kalon me 110 euro ndihmë sociale.

 “20 vite kemi jetua në një shtëpi të huaj, për momentin e kanë rrëzua. Pronari ka ardhur prej Gjermanie nuk ka dashtë me na lënë, e rrëzoi shtëpinë. Djali ka ardhur këtu që dy vite, jemi bashkua këtu, ku me shkua”, thotë Çizmolli.

Barra më e madhe bie mbi zonjën e kësaj shtëpie, e cila thotë se mezi i ushqen fëmijët.

 “Nuk shkon muaji, se shumë kallaballëk, qe vaji po them çka u bo se di, po shkon. Kur po na sjellin ndihma, me to po jetojmë”, thotë kryefamiljarja Qelepije Çizmolli.

Një hall tjetër që ka kjo familje është se vajza e tyre 14 vjeçe është në gjendje jo të mirë shëndetësore, për çka janë detyruar t’ia ndërpresin shkollimin.

Familja Cizmolli mbetet me shpresën se institucionet dhe njerëzit e vullnetit të mirë do tu dalin në ndihmë për shërimin e vajzës dhe çështjen e banimit.

Nga Komuna e Mitrovicës kanë thënë se numri i rasteve sociale mbetet i madh, por edhe nevoja për ndihmë mbetet e madhe.

 “Duke e krahasuar me vitet e kaluara, kemi pas një rënie të lehtë të përfituesve të ndihmave sociale, ai trend po vazhdon. Nuk është rënie drastike mirëpo ka trend uljeje”, tha Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Drita Gashi Ibrahimi.

 “Ka një rënie të lehtë, edhe ne e kemi vërejtur, mirëpo padyshim prapë nevoja është shumë e madhe” , tha  Liridon Kurti, koordinator i organizatës humanitare “Islamic Relief”.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Komuna e Mitrovicës prin sa i përket numrit të familjeve me asistencë sociale, me 2 mijë e 157 familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat