Mustafa: LDK-ja është zgjidhja e vetme për Mitrovicën

Mitrovica

Mustafa: LDK-ja është zgjidhja e vetme për Mitrovicën

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 18:48
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë tubimit elektoral sot në Mitrovicë, ka theksuar se qyteti i Mitrovicës ka mundësi të zgjidhjes, dhe kjo mundësi është vetëm LDK-ja dhe Safet Kamberi kryetar i kësaj komune.

Sipas tij, LDK-ja ka dëshmuar se në të gjitha fazat ka qeverisur më së miri dhe ka qenë e përkushtuar më së shumti për qytetarin.

Mustafa: Mitrovica ka mundësi të zgjidhjes

“Mitrovica ka mundësi të zgjidhjes, Mitrovica ka alternativë, sepse alternativë për Mitrovicën është çdo subjekt politik që ka konkurruar këtu, por konsideroj se zgjidhja për Mitrovicën është vetëm LDK-ja, është vetëm Safet Kamberi për kryetar të Mitrovicës. Ju keni argumente se LDK-ja në të gjitha fazat ka qeverisur më së miri, ka qenë e përkushtuar për qytetarin, e ka përdorur paranë publike, ashtu siç duhet dhe ju ka dhënë përgjegjësi qytetarëve të Mitrovicës dhe të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës nga radhët e kësaj partie, Safet Kamberi, pasi ka përmendur të arriturat që do të realizohen në Mitrovicë gjatë mandatit të tij qeverisës, tha se dëshiron t’i jep Mitrovicës një dimension urban të zhvillimit.

Ai potencoi se nuk do të lejojë që ky qytet të udhëhiqet më nga palaço, me të cilët tallet e tërë Kosova.

Kamberi: Duam t’ia kthejmë Mitrovicës lavdinë, dinjitetin dhe krenarinë (video)

“Ne duam t’ia kthejmë Mitrovicës lavdinë, dinjitetin dhe krenarinë. Mitrovica është vend i dijes dhe i kulturës, është vendi ku kanë lindur patriotë dhe personalitete më të shquara të Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj ajo nuk mund të udhëhiqet nga persona që nuk kanë as përgatitje profesionale, asnjë ditë përvojë në institucione, e aq më pak nga palaço me të cilët tallet e gjithë Kosova. Ata do ta marrin përgjigjen e merituar më datën 22 tetor. Zotohem se do të jem një kryetar që do t’ju bëjë të gjithëve krenarë”, theksoi Kamberi.

Gjatë këtij tubimi janë prezantuar edhe kandidatët për asamblistë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës nga radhët e këtij subjekti politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat