Lekaj: Shala e Bajgorës të shndërrohet në zonë turistike

Mitrovica

Lekaj: Shala e Bajgorës të shndërrohet në zonë turistike

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 15:15
Pamje nga vizita

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është zotuar se ministria që ai drejton do të fokusohet për zhvillimin e Shalës së Bajgorës, sidomos në aspektin turistik, pasi që kjo do të ndikojë në ngritjen e standardit të qytetarëve të kësaj ane.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që i bëri sot Shalës së Bajgorës, ku është njohur me gjendjen e infrastrukturës rrugore, si dhe me potencialet e këtij rajoni për zhvillimin e ekonomisë.

“Prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës do të jetë trajtimi i infrastrukturës rrugore me standard, që do të ketë impakt të mirë në zhvillimin ekonomik - në turizëm, blegtori, por që do të ketë qasje më të lirshme edhe për të gjithë qytetarët. Ajo që zotohem unë bashkë me bashkëpunëtorët e mi është se ne do t’u japim prioritet këtyre segmenteve rrugore, që kanë impakte pozititve në zhvillimin e turizmit”, ka thënë ai.

Gjatë kthimit nga Shala e Bajgorës, ministri Lekaj vizitoi stacionin e autobusëve në Mitrovicë, drejtuesit e të cilit e informuan për gjendjen e kësaj ndërmarrjeje publike.

“Unë sot mora një pasqyrë reale se si funksionon ky stacion dhe kemi marrë parasysh kërkesën tuaj që departamenti i inspektoratit të MI-së të jetë më aktiv këtu. Ne do të bashkëbisedojmë me kryetarin e komunës që të kemi një bashkëpunim me transportin urban dhe të gjejmë një formë që të ndalojmë transportuesit ilegalë”, tha ministri Lekaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat