​Mustaku tenton të hajë breshkën, por mbytet

Ndryshe

​Mustaku tenton të hajë breshkën, por mbytet

Më: 28 qershor 2021 Në ora: 18:36
Foto

Një peshk mustak me sa duket kishte “sytë më të mëdhenj se goja” pasi kishte tentuar të gëlltiste një breshkë më të madhe nga sa mund të hante, në një liqen në Gjermani.

Por breshka kishte luftuar kundër rivalit të saj të pazakontë dhe në fund kishin vdekur të dy, bashkë me peshkun 40 kilogramësh.

Peshkatarët kishin nxjerrë nga uji peshkun 1.50 metra të gjatë nga liqeni i Göttingen Kiessee, teksa pjesa e pasme e breshkës dukej ende brenda gojës së mustakut që fillimisht ishte ende gjallë.

“Por ai nuk mund të shpëtohej më, dhe nuk do të kishte mbijetuar”, tha peshkatari Marc Stemmwedel i klubit të amatorëve Sportangelklub Göttingen eV.

Një shëtitës me kanoe kishte thënë për të përditshmen “Göttinger Tagesblatt” se kishte parë këmbët e një breshke që dilnin nga goja e peshkut të madh pranë bregut, dhe më vonë pa që kafsha ishte e bllokuar në gojën e hapur të peshkut. Ky i fundit tentonte më kot të çlirohej me disa lëvizje instinktive.

“U përpoqa të nxjerr breshkën nga goja e tij, por më kot”, tha dëshmitari.

Breshka me këmbët jashtë gojës së mustakut, kishte dëmtuar rëndë velëzat e peshkut dhe peshkatarët thanë se kishin vrarë atë për t’i evituar vuajtjet. Peshku rreth 40 kg ishte dërguar për riciklim dhe nuk kishte përfunduar në mbeturina, siguroi Stemmwedel. Mishi i peshqve mustakë është i vlerësuar si ushqim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat