​Elefanti i inatosur rrëzon skulpturën ‘realiste’ të mashkullit, pasi e ngatërroi me një rival dashurie

Ndryshe

​Elefanti i inatosur rrëzon skulpturën ‘realiste’ të mashkullit, pasi e ngatërroi me një rival dashurie

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 18:59
Foto ilustrim

Një luftë elefantësh ka ndodhur para qendrës së vizitorëve në Parkun Kombëtar Khao Yai në Tajlandë.

Turistët panë elefantin mashkull që sulmoi një skulpturë gjigante në këtë park, pasi e ngatërroi me një konkurrent për dashurinë e femrës.

Elefanti shihej që i ngulte vështrimin punimit artistik para se ta rrëzonte duke e goditur në anë. Një nga dhëmbët e modelit dëgjohet që thyhet teksa godet tokën.

Duke besuar se doli fitimtar ndaj skulpturës, elefanti largohet me triumf.

Zyrtari i parkut Ple Srichai tha se elefanti e ngatërroi skulpturën me një tjetër mashkull që mund të kërcënonte të drejtën e tij të çiftimit.

“M’u duk qesharake sesi elefanti i egër tentonte të sulmonte statujën. Elefantët meshkuj luftojnë për femrat prandaj nëse besonte se ishte një elefant i vërtetë ai duhet të tregonte dominimin e tij mbi të”, tha ai.

Disa nga spektatorët lëshuan klithma kur mashkulli rrëzoi statujën, e cila u largua më pas për riparime nga zyrtarët e parkut.

Asnjë nuk raportohet se u lëndua në incident dhe zyrtarët thanë se po e transferojnë skulpturën në një tjetër pjesë të parkut, për të evituar të ndodhin sulme të ngjashme.

Rreth 2.000 elefantë besohet se jetojnë në xhunglat e Tailandës dhe një numër i ngjashëm në parqe të mbyllura të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat