Kina ka njoftuar ndalimin e provimeve me shkrim për gjashtë dhe shtatë vjeçarët. Kjo është përpjekja e fundit për të lehtësuar presionin ndaj prindërve dhe nxënësve në një sistem arsimor shumë konkurrues.
Nxënësve u kërkohej të kryenin provime nga viti i parë i shkollës fillore, deri në provimin pranues në universitet në moshën 18-vjeçare. Por ministria e arsimit tha se presioni po dëmton shëndetin fizik dhe mendor të nxënësve.
"Provimet janë një pjesë e domosdoshme e edukimit shkollor, por disa shkolla kanë probleme si provimet e tepërta, që shkaktojnë barrë të tepërt te nxënësit ... kjo duhet të korrigjohet," –tha ministria në një deklaratë.
Ky ndryshim u shoqërua me reagime të ndryshme. Disa e konsideruan këtë një hap në drejtimin e duhur për të lehtësuar presionin ndaj fëmijëve, ndërsa të tjerë pyetën si shkollat do të testojnë dhe matin aftësitë pa provime.
Rregullat gjithashtu kufizojnë numrin e provimeve që një shkollë mund të kryejë për një afat të caktuar. Ministria e Arsimit e Kinës ka ndaluar gjithashtu detyrat e shtëpisë për klasat e para këtë vit dhe ka kufizuar detyrat e shtëpisë për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.