E pazakontë/ Llamba që ndriçon stacionin e zjarrfikësve në Kaliforni punon prej 122 vitesh

Ndryshe

E pazakontë/ Llamba që ndriçon stacionin e zjarrfikësve në Kaliforni punon prej 122 vitesh

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 12:47
Foto ilustrim

Një llambë e vendosur në vitin 1901 ende ndriçon stacionin e zjarrfikësve në qytetin Livermore të Kalifornisë në SHBA. Kjo e bën atë llambën më jetëgjatë në botë. E njohur si “Centennial Light”, llamba rreth 8 centimetra, është punuar me dorë nga Adolphe Chaillet, themeluesi i kompanisë Shelby Electric në vitet 1890.

Llamba ka ndriçuar prej një shekull zjarrfikësen dhe rrallëherë është fikur. Llamba është futur në Librin e Rekordeve Botërore Guinness si llamba më jetëgjatë në botë.Është interesante se si ajo është fikur vetëm dy herë në 122 vitet e punës.

Hera e parë që ndodhi ishte në vitin 1976, kur stacioni zjarrfikës u zhvendos në një lokacion të ri, gjë që bëri të fikej. Ajo u fik për herë të fundit më 20 maj 2013. Megjithatë, pas hetimeve, u zbulua se shkaku nuk ishte vetë llamba, por një defekt i vogël në furnizimin me energji elektrike.

Deborah Katz, një shkencëtare që kreu kërkime të gjera mbi llambën në vitet 2008-2009, zbuloi se filamenti brenda llambës, ndoshta prej karboni, ishte tetë herë më i trashë se ai i llambave moderne dhe kishte një strukturë gjysmëpërçuese.

Në një intervistë për Anadolu, Tom Bramell, një zëvendës shef në pension i stacionit zjarrfikës, i cili është kujdesur për llambën për gati gjysmë shekulli, shpjegoi se ajo iu dhurua zjarrfikësve në vitin 1901 nga Dennis Bernal, pronar i kompanisë “Livermore Power and Water.

“Në vitin 1976 ne e zhvendosëm atë llambë në stacionin e ri zjarrfikës, i cili ishte selia e re në atë kohë dhe është aty tani që nga viti 1976. Kjo është vetëm një llambë 60 vat”, tha Bramell.

Edhe pse doli në pension dy dekada më parë, Bramell vazhdon të ndajë njohuritë dhe pasionin e tij për llambën.

“Unë kam qenë pranë llambës për 50 vjet dhe kam folur me njerëz nga e gjithë bota. “Askush nuk e kupton pse ajo ende punon”, tha Bramell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat