Fletëza historie për katandisjen e shqiptarëve me ideologji të huaja

Opinione

Fletëza historie për katandisjen e shqiptarëve me ideologji të huaja

Nga: Merxhan Jakupi Më: 12 mars 2021 Në ora: 12:48
Merxhan Jakupi

Çdo herë kur shkoja në Cyrih dhe kaloja rrugës kryesore "Kraza spiegel strasse (Rruga, pasqyra e gërvishtur), vëreja në një pallat të vjetër, ngjitur në mur një pllakë përkujtimore, në të cilën shkruante se aty kishte banuar lideri rus komunist, Vladimir Iliç Lenin. Kjo gjë më intrigoi që të mësoj pak më shumë se si erdhi në pushtet ky lider sovjetik. Fletëza të historisë dëshmojnë se në pranverë të vitit 1917, lideri komunist, Lenini, së bashku me bashkëshorten dhe me 20 ithtarë bashkëkombës, që kishin jetuar në ekzil, ishin nisur për në Rusi, në Petersburg. Çka i paraprinte gjithë kësaj, ishte kërshëria që më ndoqi të konsultoj pak literaturë. Kjo më shumë për shkakun se kjo "murtajë" u përhap edhe jashtë kufijve të sovjetikëve, madje si një pandemi mbërtheu edhe shtetin shqiptar, i cili më se 40 vjet ishte marionetë, besnik dhe bastion i kësaj ideologjie të mbrapsht, që katandisi popullin shqiptar zi e më keq.

* * *

Dy ideologji apo rryma, kanë lindur dhe kanë dalë në skenë në fillim të shekullit 20: komunizmi dhe fashizmi. Komunizmi kishte origjinën dhe trashëgiminë nga idealet e traditave liberale socialdemokrate, humanizmit dhe iluminizmit. Nga këto tradita dhe subjekte u shpik dhe lindi një fraksion, si një sekt i ashpër - komunizmi, ndërsa në anën tjetër, fashizmi dhe simotra, nacional-socializmi. Fashizmi kishte origjinën, trashëgiminë e lashtë nga patriotizmi mistik dhe romantizmi populist. Këto dy rryma dhe ideologji në fillim të shek. 20 kishin përplasje, me pasoja historike dhe tragjike në gjithë rruzullin tokësor, shkruan filozofi i shquar Isaiah Berlin nga Oxfordi, në veprën e tij "Idetë filozofike të shekullit 20".

Paraprakisht, dinastia cariste ruse, Romanov, sundoi në mënyrë bizare, me një sistem feudal-borgjez. Kjo e mbante popullin të robëruar, si në mesjetë. Por sundimit të dinastisë cariste, i kishte ardhur fundi. Në Rusi kishte ardhur koha për ta rrëzuar Carin dhe për të ngritur një revolucion. Shumë intelektualë, shkrimtarë e disidentë, kishin ikur në Perëndim. Kauza ideologjike dhe aspiratat e tyre ishin që të vazhdonin europianizmin e Rusisë. Populli rus kishte synim të integrohet, të demokratizohet dhe t'i realizojë ëndrrat dhe aspiratat e Pjetrit të Madh për europianizimin e Rusisë, shkruan filozofi Berlin.

CILA ISHTE DOKTRINA SOCIALISTE

Më 1903, në Bruksel, filloi Kongresi i Partisë Socialdemokrate, së bashku me partitë e spektrit të majtë. Udhëheqës dhe lider i Kongresit ishte Plehanov. Kongresi filloi në Bruksel dhe përfundoi në Londër. Disidenti rus, Plehanov, ishte një personalitet i shquar dhe figurë karizmatike. Ai njëzet vjet kishte jetuar në Perëndim. Plehanov ishte një liberal evropian, simbol i mendimit shkencor dhe humanist. Ai ishte një disident heretik dhe ikonë në Rusi. Aspiratat dhe idealet e tij ishin që Rusia pas Revolucionit të fillonte me qeverisjen, sipas modelit të sistemit pluralist, me vlera dhe tradita evropiane. Diskutimi në Kongres ishte vizioni, transparenca, parimet dhe disiplina në parti. Një delegat i quajtur me emrin Pasadov, që i takonte vijës së ashpër të Leninit, bëri replikë dhe e kritikoi liderin socialdemokrat, Plehanov. Në replikën që i bëri deputeti i vijës radikale Pasadov, kishte akuza se kishin shkelur kodin e etikës dhe parimet. Doktrina e tyre kishte për bazë idetë e lirive themelore të socializmit dhe jo të traditës liberale iluministe evropiane. Plehanov, duke replikuar, kishte shtuar se doktrina e idealit konsiston me sakrificën dhe flijimin e të gjithëve dhe të ndihen traditat liberale, liritë individuale e pluralizmi politik, konfrontim të ideve dhe lirive të mendimit e të fjalëve. Plehanov, në fund, i zhgënjyer dhe i frustruar, kishte dhënë dorëheqje. Pas shpërndarjes së Kongresit, krahu radikal ekstrem, kundërshtarët e Plehanovit, thanë se pas Revolucionit, asambleja e zgjedhur nga klasa punëtore fitimtare, në fund, do të realizojë në mënyrë demokratike kauzën dhe aspiratat e popullit rus. Në kongres, lindi nga vija e ashpër radikale, fraksioni nga një grusht deputetësh të zgjedhur, në krye me Vladimir Iliç Leninin. Kur Lenini u kthye nga Cyrihu në Petersburg dhe me fillimin e revolucionit, Plehanov e quajti Leninin "profet" i rremë dhe një fetishist.

SI U PËRGATIT SKENARI I KOBSHËM

Vladimir Iliç Lenin, më 1917 u kthye nga ekzili me 20 bashkëpunëtorë dhe ithtarë të tij. Leninin, në Gjermani, me shumë entuziazëm e mirëpriti mbreti Giorman Keizeri Viljem. Ai me tren nga Berlini arriti në Stokholm, ku e priti mbreti i Suedisë, i cili kishte blerë rroba për Lenin dhe bashkëshorten e tij, kostume dhe një çantë. Në Petersburg, Lenini u prit si hero. Ai më shumë ishte i rrethakuar nga ushtarakët dhe tradicionalistë puritanë. Pas një muaji, atij iu bashkua edhe Trocki. Së bashku me bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, kishte përgatitur skenarin e kobshëm dhe kurthin për ta rrëzuar qeverinë e përkohshme që e përbënin ish-disidentët liberalë, socialist dhe molshevistë. Në fund, në tetor, sovjetikët, të udhëhequr nga komuniteti revolucionar në krye me Leninin dhe Trockin, bënë puç. E morën pushtetin suprem dhe komandën ushtarake. Pastaj filluan spastrimet, arrestimet, persekutimet e ministrave dhe elitës intelektuale. Sovjetikët organizuan manifestime me pankarta, slogane: "Vdekje opozitës", "Poshtë prona private", "Vdekje reaksionarëve dhe borgjezisë". Më 14 nëntor, sovjetikët e morën pushtetin. Perandoria cariste u rrëzua dhe, më në fund, edhe Cari u hoq nga froni, në mars të vitit 1917.

Pas luftës civile dhe marrjes së pushtetit nga bolshevikët, Lenini thoshte se doktrina e komunizmit është e bazuar tek pushteti dhe forcat e diktaturës së proletariatit. Komunizmi anulon të vërtetën e përjetshme dhe fundin e historisë. Motoja e tij ishte: "Ata që nuk mendojnë si ne, nuk janë si ne, janë kundërshtarë dhe armiq tanë". Kërkonte që armiku të luftohej dhe të shkatërrohej me të gjitha mjetet, duke shtruar pyetjen: "Kush do të jetë sunduesi". Me triumfin e revolucionit, sipas tij, fillon epoka e re, dhe lind njeriu i ri. Doktrina, kauza dhe konspiracioni leninist ishte shkatërrimi i kodit moral, i feve, i familjes dhe pronës individuale.

Vinston Çurçill, në memoaret e tij, shkruan se aleatët nuk e njihnin aq mirë këtë fuqi të panjohur, duke menduar se do të jetë një qeverisje që i ka rrënjët dhe burimet nga tradita liberale dhe demokratike, por në Evropë ishte e panjohur, ndaj dhe e lënë në margjina. Aleanca perëndimore nuk u afroi ndihmë me armë dhe logjistikë forcave nacionaliste ruse dhe të gardistëve të bardhë. Në fund, Perandoria e Kuqe nuk i ngjasonte më asnjë perandorie. Shteti sovjetik ishte një shtet pa komb, pa ushtri, pa atdhe dhe një fe pa zot.

Diplomati anglez, e quante Leninin me nofkën "sovjeti i Petrogradit" dhe "telegrafi pa tela". Për ironi të historisë, Lenini dhe pasardhësit e tij, Stalini, shndërruan idetë dhe ideologjinë e marksizmit në idhull, fatalizëm, shtypje dhe robëri të kombeve. Ai përgatiti kampet dhe llogoret për armiqtë dhe tradhtarët e tyre. Ai la pasardhësin, Stalinin, që ishte një despot, tiran e bizar, i cili për tri dekada vrau, persekutoi dhe dërgoi afër 30 milionë njerëz nëpër llogore në stepat dhe akullnajat e Siberisë. Mjerisht, kjo murtajë dhe pandemi do të depërtojë edhe deri tek shqiptarët. Nga gjithë kampi komunist, Shqipëria më se 40 vjet mbeti bastion i stalinizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat