Non-paper apo super-paper?

Opinione

Non-paper apo super-paper?

Nga: Mersel Bilalli Më: 28 prill 2021 Në ora: 12:25
Mersel Bilalli

Para do kohe, portali ndërkombëtar “Euroaktiv” me seli në Bruksel, që boton artikuj në dymbëdhjetë gjuhë evropiane, botoi një artikull me titull: "A dëshiron Sllovenia shpërbërjen paqësore të Bosnjës e Hercegovinës”? Media sllovene në internet „necenzurirano.si“ publikoi një dokument për të cilin ata pretendojnë se ishte njëfar "non-paper-i" për Ballkanin Perëndimor, të cilin gjoja e paska dërguar Janez Jansha në Bruksel dhe në disa qendra tjera evropiane, dokument i cili shkaktoi bujë reagimesh në Bosnjë e Hercegovinë, rajon e më gjerë. Dokumenti titullohet: “Western Ballkans – a way forward” (Ballkani Perëndimor - një rrugë përpara").

Aty përfliten kufijve të rinj për pothuajse të gjithë Ballkanin Perëndimor. Se ky dokument i është dërguar Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, Komisionit Evropian, madje edhe do udhëheqësve evropianë, megjithëse zyrtarisht një gjë e tillë është mohuar ose se atyre "nuk iu kujtohet" se kanë pranuar një dokument të tillë (siç tha dhe zëdhënësi për Komisionin Evropian Peter Stano).

Televizioni N1 raportoi se ministri i brendshëm serb Aleksandar Vulin këtu sheh shansin për "bashkimin e serbëve në një shtet", ndërkaq Presidenti Vuçiq sikur më i kujdesshëm: "Unë nuk mund të pajtohem me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (e cila sugjerohet nga non-paper-i dhe nga hartat e reja) dhe madje duhet të respektoj integritetin territorial të Bosnjës e Hecegovinës", duke shpjeguar se ai nuk e kishte parë hartën e diskutueshme. Por Kryeministri shqiptar Edi Rama pretendoi se e kishte parë vetë hartën, por nuk e kishtë komentuar.

Informacione lidhur me dokumentin botoi edhe media boshnjake "politicki.ba", e ndjekur më pas nga një bujë e madhe e deklaratave dhe mohimeve. Vallë a thua rishikimi i kufijve të rinj në Ballkanin Perëndimor ka të bëjë me "finalizimit të shpërbërjes së Jugosllavisë"?! Madje, Presidenti Slloven Pahor u kishtë thënë drejtpërdrejt tre anëtarëve të presidencës Boshnjake - Dodik, Xhaferoviq dhe Komsiq - se "kohëve të fundit, në Evropë gjithnjë e më shumë po flitet se shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë. "Vallë a mund të ndaheni paqësisht në Bosnjë dhe Hercegovinë?" kishtë pyetur ai.

Sipas Non-paper-it, Republika Sërpska, ose siç është shkruar në dokument, "pjesa më e madhe e saj", do t'i aneksohej Serbisë kurse Kosova Shqipërisë (por, që pjesa veriore e Kosovës do të merrte një status të ngjashëm me Tirolin e Jugut, do mbetej Brenda Kosovës, por shpirtërisht e lidhur për Serbinë). Kantonet kroate të BeH do t’i bashkoheshin Kroacisë ose do t’u jepej një status i ngjashëm me Tirolin e Jugut. Ndërkaq boshnjakët do të kishin "shtetin e tyre të pavarur". E nëse BE e SHBA-të dhe shumica në rajon bien dakord, ai projekt mund edhe të "zyrtarizohet". Gjithçka në emër të ndarjes etnike. Por çfarë ndarje etnike do të ishte ajo kur kroatët nga Livno do të qëndronin përsëri në pjesën myslimane, dhe myslimanët nga Mostari do të përfundonin në Kroaci, ose serbët nga Drvari do të mbetenin në “Xhamahirinë” Boshnjake! Pastaj çfarë do të ndodhë me rrethin e Bërçkos, me Tomisllavgradin, Posushje, Grudin, Shiroki Brijeg, Çaplina, Stolac, Neum - komenton gazetari i famshëm sarajevas – Senad Haxhifejzoviç. Shkrimtari Andrej Nikolaidis thotë se pas ndarjes myslimanët do të shndërroheshin palestinezë evropianë kurse malazezët në kurdë Evropianë.

Interesante që në shikim të parë, në documentin famoz asgjë s’ka për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por nëse e shikojmë nga afër "filxhanin" e autorëve të dokumentit, nuk mund të shohim vetëm zemra dhe lule. Por, për atë më poshtë.

Por realisht, kush qëndron pas këtij vizioni?

Teza e parë është se pas këtij dokumenti qëndron trekëndëshi Jansha, Orban dhe Vuçiç. Nuk është fare problem të gjesh një arsye për këtë të fundit, por cili është qëllimi i dy të tjerëve dhe vallë kokë më vete ata e kanë filluar një projekt të tillë që e tejkalon shumëfish forcën e tyre?! S’mund liliputët të veshin këpucët e Oliverit! Humoreske janë pretendimet se Sllovenia ka nevojë të "flasë në favor të përgatitjeve për samitin e radhës së BE mbi Ballkanin Perëndimor", i cili do të zhvillohet gjatë presidencës sllovene me Këshillin e BE. Ose pretendimet se Presidenti Slloven Borut Pahor paska qenë tejet "i shqetësuar" për BeH dhe për këtë arsye duhej t’i pyeste të tre anëtarët e presidencës Boshnjake për mundësinë e një ndarje paqësore! Fakti që edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës në BeH, dominon retorika secesioniste serbe dhe bllokim të institucioneve, këte shtet të cilat e bëjnë kronikisht jofunksional. Ajo s’mund të marrë ndonjë vendim pa pëlqimin e përfaqësuesve të të tre njësive konstituive, kurse interesat shpesh ndryshojnë diametralisht. Ajo për vite është mbërthyer në guaskën e e Dejtonit. Tendencat për ta ri-definuar atë nuk dhanë fryte. Ndërkaq njerëzit po ikin, kështu që tani popullsia e përgjithshme e saj nuk ka mbet më shumë se dy milion e gjysmë (sa edhe një qytet mesatar evropian). Mendohet se ndarja më në fund do të hapë mundësi efektive zhvillimore. Përndryshe, në një të ardhme të parashikueshme, kur aty të vinin afrikanët, shumë lehtë do të krijohej një problem i madh sigurie.

Teza e dytë është se ai është një matje pulsi në rajon nga forca shumë më të mëdhaja, të cilat janë të vetëdijshme se në të ardhmen e afërt do të duhet të gjendet një zgjidhje midis Serbisë dhe Kosovës për shkak të negociatave të Serbisë me BE-në. Me një gjendje të ngrirë mes Kosovëe e Serbisë s’ka BE. Domethënë, pa Trampin dhe Thaçin, dhe me Bajden, nuk ka shkëmbime territoriale, së paku besoj jo të lokalizuar vetëm midis Serbisë e Kosovës. Dodik (besoj, jo vetëm ai) thotë se "nëse Kosova ndahet nga Serbia, ne do të shkëputemi nga Bosnja e Hercegovina". Prandaj, është më mirë "me paqë sesa me forcë".

Teza e tretë është ajo se me iniciativën e Lubjanës, Budapestit dhe Beogradit dhe me ndihmën e popullatës së madhe serbe në Mal të Zi, do të mund të sigurohej hyrja e Putinit dhe Lavrovit në detërat jugore për të krijuar një bazë të fuqishme detare ruse në Adriatik, që do t’i servisonte forcat e saj ushtarake detare në Mesdhe.

Teza e katërt që prek edhe dy shtetet tjera - Maqedoninë dhe Malin e Zi, është se zhvillimi i hovshëm ekonomik i Serbisë, i cili si duket ka kapur trenin e shpejtë kinez ekonomik, për disa vjet mund të kthehet lehtësisht në një forcë gravituese për popullatën serbe në BeH, por edhe për popullatën sllave të Maqedonisë. Madje, kjo u pa gjatë "vaksinimit rajonal" kur shumë qytetarë të saj shkuan në Serbi me ekzaltim, të cilën presidenti maqedonas, i njohur për shpejtësinë në të folurit, e quajti "turp i madh". Serbia vitin e kaluar kishte 3.6 miliardë euro investime të huaja, kurse së bashku të gjitha shtetete tjera në rajon - Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia - vetëm 1.7 miliardë euro. Nuk ka dyshim se zhvillimi i hovshëm i Serbisë fare lehtë mund të shndërrohet në një forcë tërheqëse ndaj Republikës Sërpska, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kjo do të mundësonte vetshktërim të shteteve fqinje. Sa i përket zhvillimit ekonomik, BeH dhe Maqedonia stagnojnë sikur me pasë ndonjë të metë natyrore. Njerëzit u ikin nga të gjitha anët, e ndoshta nesër ata do të mund të shkojnë edhe në Serbi për punë dhe natyrisht që mendja do t’u gravitoj nga Beogradi?! Dhe atëherë problemet me faktorin shqiptar në Maqedoni sërisht do të shpërthejnë.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia ishte e dyta në rajon për nga zhvillimi, pas Sllovenisë, por duket sikur është kapur nga ndonjë mallkim që për 30 vjet s’lëvizë dot përpara. Mbetet si e paralizuar. Shqiptarët atje aq më shumë mbeten të zënë në rrjetin e krimit të organizuar në vet partitë e tyre, realitet i hidhur që ka dëbua më shumë se gjysmën e shqiptarëve. Një analist i njohur rajonal shprehet se pjesa shqiptare e Maqedonisë drejtohet nga politikanë analfabetë që nuk kanë mësuar ende shkronjën "E" nga ekonomia, a flasin për patriotizëm! Pa dijeni se patriotizmi më i madh është ekonomia! "Shikoni autostradat në vend, dinamikën e ndërtimit të tyre, subvencionimin e fabrikave për hapjen e vendeve të reja të punës deri në 16 milion euro. Ato janë dhjetra here më të larta në Maqedoninë lindore!!! Por, kjo su çanë kokë kravatave boshe! Pikërisht nga kjo qasje e njëanshme zhvillimore mund të vjenë rreziku për destabilizim" - thotë analisti.

Çfarë mendojnë lojtarët botërorë?

Drejtori i Institutit të njohur IFIMES (Instituti për Studime për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin) Zijad Beqiroviq, i cili ka informacione të rëndësishme insajdere nga shumë qendra botërore, thotë se puna nuk është aq naive dhe se nuk është rastësi që ShBA heshtin. Ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor thotë se kjo është një "balon provues" për ate se çka duhet bërë me fatin e Ballkanin Perëndimor më tej. Nenad Çanak mendon se nuk është me rëndësi non-paper-i, por ideja e tij (të cilën ai e quan një nxitje ushtarake). Në realitet, BE duket se ka ndaluar zgjerimin dhe tani po malltreton qeveritë rajonale duke shpikur lloj lloje kushtesh të reja.

Stiven Meyer, një ish ndihmës drejtor i CIA-s tani profesor i njohur universitar, thotë: "Çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet në Uashington, Bruksel ose Moskë, por në Prishtinë dhe Beograd. BE-ja është e lodhur, mbase ndoshta do ta pranojë vetëm edhe Serbinë dhe do të ndalet. BeH duket si një shtet artificial. Madje mendoj se nesër mund të ndodhë që Serbia të thotë –“Në rregull, ne mbështesim një Shqipëri të madhe, por ju gjithashtu duhet të mbështesni një Serbi të madhe." Domethënë, nuk përjashtohet që "non-paper-i" nesër të bëhet "super-paper".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat