“Kompromisi” dhe kuptimi material e politik i tij

Opinione

“Kompromisi” dhe kuptimi material e politik i tij

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 25 maj 2021 Në ora: 18:12
Prof. Dr. Zija Lleshi

Gati në të gjitha paraqitjet e veta kur është fjala për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë Presidenti i Serbisë, A. Vuçiq, nuk e heq dot nga goja dhe thirrët në ”zgjidhje me kompromis ” si zgjidhje të problemit, edhe pse ajo në shikimin  e tij nuk është as zgjidhje e nuk është as kompromis. Në çfarë zgjidhje ai mendon? Po të mendonte ai sinqerisht në kërkim të zgjidhjes, për këtë nuk do t´i nevojitej kurrfarë mundi sepse ajo zgjidhje ishte e gatshme: “Ligji Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”. Kjo zgjidhje ka ekzistuar gjithmonë. Ka ekzistuar edhe para agresionit gjenocidal të Serbisë kur Vuçiqi ishte ministër, por që nuk e ka respektuar dhe e ka shkelur në mënyrën më brutale atë ligj, përkundër apelit këmbëngulës të ndërkombëtarëve që të tregon përgjegjësi dhe ta respekton me përpikmëri atë ligj ndërkombëtar.

Më tutje, çfarë në fakt është ai “kompromis” që e kërkon? Të thuhet menjëherë se kompromisi që e kërkon Vuçiqi nuk është asgjë tjetër veçse është një simetri e fajësisë! Unë fajtor, Ti fajtor. Fitimin dhe zullumin e ndajmë bashkërisht! Ti si fajtor më i vogël kuptohet merr më shumë, kurse unë si fajtor më i madh marr më pak. Pra, asgjë “të keqe” në këtë simetri. Krejt “vëllazërisht”. Lidhur me çlirimin e Kosovës Vuçiqi edhe më herët ka deklaruar “që askush të mos na merr më të gjitha, e të mos na jep asgjë”. Pra, përpos që shprehë konfirmim të rrejshëm për territorin që e prezanton si kinse pronë të përhershme të vendit e që po ia merr dikush, kurse në fakt territor i  aneksuar me dhunë dhe i okupuar me gjakderdhje  (okupim një (1) shekullor; Perandoria otomane ka ushtruar pesë (5) shekuj okupim dhe prapë Kosova nuk ka rezultuar si pronë e përhershme e saj) ai në largim të Serbisë nga Kosova pretendon t´i jepet një “diçka”, e mos të largohet pa asgjë. Çka atëherë do të thot kjo “diçka”? Ajo e ka kuptimin  material dhe kuptimin politik e doktrinoro-ushtarak.  

Në kuptimin material me “diçka” sigurisht e mendon një pjesë të territorit që do ta rikolonizonte, por tani më ndryshe, me riokupim të negociuar dhe të miratuar në mes dy palëve, që do të derivon nga simetria e fajësisë. Ai me simetri të fajësisë e barazon agresorin kolonizues me çlirimtarin, luftën për dekolonizim me reaksionin antidekolonizues dhe (ri)kolonialist, vrasësin me viktimën, prej nga edhe e nxjerr ekuacionin e “Kompromisit” si barazim dhe simetri e fajësisë. Pra, Serbia edhe kur dëbohet krejtësisht nga territori i okupuar dhe i kolonizuar i Kosovës, madje edhe nëpërmjet të vërejtjes dhe intervenimit ndërkombëtar, si dhe mandej prapë të mbikëqyrjes ndërkombëtare, ajo prapëseprapë përpiqet të rikthehet në këtë territor, qoftë edhe pjesërisht, nëpërmjet të asaj që nga Vuçiqi nënkuptohet si “diçka” e që këtu do të thotw “njëra këmbë” në territor. Të futet, pra, së paku me njërën këmbë brenda në territor nga etja e pashuar kolonialiste dhe okupuese për Kosovën, vendin autokton të shqiptarëve, që Serbia gjithmonë e ka trajtuar si ”Afrikë e Bardhë” dhe koloni serbe e resurs të begatshëm për eksploatim. Por nuk është kjo e tëra. Më tutje del në shesh edhe më e keqja. Tjetër kund është akoma më shumë halli, dhe tjetër kund fshiftë falli dhe djalli.

Në kuptimin e doktrinës ushtarake ajo “diçka” që Vuçiqi e paraqet si kinse njëfarë modestie, këtu nuk është ajo vetëm diçka, por në këtë doktrinë është krejt “tërësia”. Sado e vogël të jetë ajo “modesti”, qoftë edhe një metër katrore, ashtu e miratuar dhe e negociuar, si rezultat i pajtimit të dy palëve, si “kompromis” --  e ndryshon totalisht karakterin e luftës dhe agresioni i Serbisë më nuk trajtohet si agresion por si luftë mbrojtëse për atë “diçka”, për pronë, ose thënë edhe më thjeshtë, karakterin e parashenjës së luftës nga “minus” e shndërron në “plus”, në dobi të vendit. Kështu agresioni gjenocidal i Serbisë do të rezultonte si luftë vetëmbrojtëse.

Në dimensionin ndërkombëtar, akoma më keq, kjo do kishte kuptimin se intervenimi i NATO-s paska qenë jo humanitar për të ndërprerë agresionin gjenocidal të Serbisë që zhvillohej barbarisht ndaj shqiptarëve paqësorë, por (siç e propagandon në kohën e fundit Vuçiqi, dhe siç rekomandon ai që intervenimi “tani e tutje të mos quhet intervenim por të quhet agresion”) paska qenë agresion në Serbinë që vetëmbrohej. Kurse mandej, pasi kështu të komprometohej, anatemohej dhe të fajësohej NATO, të pasojnë kërkesat tjera politike, juridike e materiale të Serbisë ndaj NATO-s. E çka është edhe më absurde, në gjithë këtë përpjekje për mashrim, kjo të bëhet me vullnet e miratimin e kompromisuar të Kosovës. Ky është argument i mjaftueshëm që me indinjatë të refuzohet dhe “kompromisi” mos të futet si temë dhe pikë e rendit ditës për dialogim, pikë kjo përpos “zajednicës”, për të cilën kanë shprehur gatishmëri të angazhohen Borell dhe Lajçak para disa dite. Kjo tregon se Serbia dialogimin e trajton  si shans që ta keqpërdor, prej nga që në start rrjedh dyshimi për mos sukses të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat