Pyjet ruhen në dimër për tu djegur në verë

Opinione

Pyjet ruhen në dimër për tu djegur në verë

Nga: Jak Simoni Më: 4 gusht 2021 Në ora: 12:49
Jak Simoni

Ndonëse kjo verë është dukshëm më e ngrohtë dhe me e thatë se të tjerat,  duke venë  në diskutim rregullsinë e supozuar të fenomeneve natyrore, e për rrjedhojë dhe zjarret janë shumë më të përhapur se vitet e tjera në vendin tonë e gjetkë në Ballkan e më gjerë, përgjegjësia njerëzore nuk mund të anashkalohet për disa arsye.

E para është se, sado ngrohtë që është këto ditë, pylli nuk merr flakë vetë, por janë qenie më formë njerëzore që kanë ngelur në stadin e njeriut që filloi ta përdorte e të  luante me zjarrin para qindra mijëra e kusur vjetësh dhe të tjerët përreth që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse bëjnë gjoja se po i kapin këto zjarrvënës e gjoja se po i dënojnë; gjithashtu nëpërmjet institucioneve bëjnë gjoja se po shqetësohen për situatën e kërkojnë ndihmë jo te perëndia, si më parë, por tek fqinjët perëndi të afërt apo të largët.

Së dyti, për këtë çështje ‘shqetësimi’ fillon vetëm kur shikohen flaket dhe nuk ka asnjë plan paraprak të studiuar të shfrytëzimit të pasurisë drusore me qëllim dhe evitimin e zjarreve masive. Paradoks i paparë: harxhohen para në dimër për të ruajtur pyjet e para në verë për të shuar zjarret.  Pas shkatërrimit për dekada të pasurive tokësore dhe nëntokësorë në emër të hapjes se vendit dhe të një zhvillimi që gradualisht po rezulton gjithnjë e më miop, shqiptarët  nëpërmjet institucioneve të tyre kujtohen se janë pjesë e natyrës dhe marrin masa ekstreme për ta ruajtur atë. Nga shfrytëzimi i pakontrolluar u kalua në ndalim të çdo shfrytëzimi si p.sh.: të pyjeve, të faunës etj. Nga ekstremi në ekstrem; për një të mesme të artë aristoteliane as që bëhet fjalë. Futet në burg çdo fshatar që gjendet duke prerë dru në dimër e natyrisht në këto kushte ai ka gjetur një mënyrë më të heshtur e të sofistikuar pa zhurmë motosharre dhe sëpate e pa lodhje për të vjedhur.

Natyrisht kjo është energjia ‘e bollshme’ elektrike. Kryesisht fshataret e kanë më të lehtë, sepse në shumicën  e rasteve linjat dhe transformatorët i ka bërë vetë, sepse enti energjetik, ndonëse se fundmi diçka është venë në lëvizje, përgjithësisht është kufizuar në mbledhjen e  parave të abonentëve që i paguajnë. Ndërsa më përpara blihej energji në Kroaci e vende të tjera për të zierë groshtë në Lezhë, Mirditë, Kukës Vlorë, Gjirokastër etj., tani, pasi kemi shkatërruar lumenjtë me hidrocentrale të mëdhenj e të vegjël nga Semani deri në Valbonë, energji ka dhe ‘për të vjedhur’. Shfrytëzimi, normalisht jo i pakontrolluar e lëndës drusore për ngrohje, konsiderohet si i prapambetur; jo modern dhe jo civil.

Qytetërimi është identifikuar jo me konsumim të pakontrolluar, por me shpërdorim absurd që nga ana e tij identifikohet me një mirëqenie artificiale të njerëzve. Mos të hymë më shumë në filozofi, por lëreni fshataret që në dimër të ngrohen dhe të ziejnë groshët me dru, se ndoshta në verë kemi më pak zjarre.

Ndërkohë mund të ketë dhe politika më të gjera të studiuara, përfshi dhe ato fiskale që bëjnë të mundur të shfrytëzohet dhe lënda drusore e vendit pa pasur nevojë që e tëra të vijë nga Ukraina apo ndonjë vend tjetër. Për mijëra vjet çatitë e shtëpive tona i  kemi  bërë me drurin tonë.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat