Talebanët me pëlqimin amerikan erdhën në pushtet!

Opinione

Talebanët me pëlqimin amerikan erdhën në pushtet!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 18 gusht 2021 Në ora: 22:04
Aeroporti i Kabulit

Debati që po zhvillohet këto ditë në Kosovë, Shqipëri dhe gjithandej në hapësirat shqiptare në Ballkan, si dhe në diasporë, i nxitur nga ngjarjet e fundit në Afganistan pas tërheqjes amerikane pas 20 vitesh prezencë ushtarake dhe administrative, si dhe kthimi në pushtet i forcave ushtarake të Lëvizjes “Talibane” (shqip: studentore), sipas analizave të shumta që po bëhen këto ditë, lirisht mund të cilësohen si të mangëta, të gabuara dhe në disa raste edhe tendencioze. Meqë as për së afërmi nuk e shpalojnë realitetin e gjithë asaj që ka ndodhur në këtë vend aziatik, qoftë para 40 viteve nën okupimin sovjetik, qoftë gjatë 20 viteve të fundit nën kontrollin dhe administrimin ushtarak amerikan.

Së pari dhe çuditërisht, Talibanët vazdojnë të paraqiten si grup “terrorist” ushtarak dhe fetar, madje sikur të cilët nuk janë pjesë e popullit afganë, veçse ndonjë grup tjetër etnik, e që nuk është e vërtetë, sepse “Talibanët” janë puro afganë, madje në syrin e popullit të tyre janë patriotët të vërtetë të cilët kanë luftuar që 40 vite kundër pushtuesve të huaj, që sipas disa normave ligjore ndërkombëtare del se kanë luftuar për të drejtat e tyre nacionale. Por siç dihet, me metoda dhe sulme të ashpra kriminale që kanë pasur karakter të akteve terroriste, gjë që më së shumti dëme i kanë shkaktuar vetes dhe kauzës së tyre për të cilën kanë luftuar deri para një jave. Por janë mbase pikërisht forcat ushtarake amerikane ato që me vetë dëshirë do tërhiqen, duke ua ofruar mundësinë që pikërisht Talebanët të vijnë në pushtet pas katër dekadave lufte dhe angazhimi për ta sunduar vetë vendin e tyre.

Tani më Talibanet e kanë marrë pushtetin në Kabul, dhe për fat të mirë pa gjakderdhje dhe luftë civile, meqë regjimi i deridjeshëm i instaluar nga forcat ushtarake amerikane në krye me presidentin, Ashraf Ghani, u dorëzuan pa bërë fare rezistencë politike dhe ushtarake. Pra, ky dorëzim i pushtetit nga ana e presidentit dhe qeverisë kuislinge që ikën duke vjedhur shtetin e tyre për t’u strehuar jashtë vendit, natyrisht se ky dorëzim në opinion ka shtruar pyetje dhe dilema të shumta, të cilat në opinion shqiptar po komentohen kryesisht gabimisht dhe jo ashtu siç qëndron e vërteta, por kjo nuk është temë e këtij shkrimi.

Mirëpo, ajo që ne shqiptarëve duhet të na intereson më së shumti, është pa dyshim, interesi ynë nacional dhe strategjik-kombëtar, pikërisht siç ishte marrja e vendimit pozitiv dhe pa asnjë hezitim e dy qeverive tona në Prishtinë dhe Tiranë, kuptohet me kërkesën e miqve tanë amerikan, që në Kosovë dhe Shqipëri të strehohen ca kontigjente afganësh të cilët gjatë 20 viteve të qëndrimit amerikan në Afganistan kanë punuar për shërbimet e tyre, si përkthyes, administrues lokal, specialist të fushave të ndryshme, etj., por të cilët me ardhjen në pushtet të Talebanëve nga a tyre konsiderohen si mercenarë dhe tradhtarë të kombit, për shkak të bashkëpunimit me “armiqtë” e popullit afganë, siç i konsiderojnë ata ruset dhe amerikanët..!?

Pra, pa u ndaluar më gjatë tek përshkrimi i ngjarjeve dhe shkaqeve që kanë çuar tek luftërat e përgjakshme në Afganistan në 40 vitet e fundit, gjë e cila nuk është çështje edhe aq lehtë për t’u zbërthyer, ajo që ne shqiptarëve pa dallim, duhet të na bashkon dhe bën unik këto ditë si dhe në muajt në vijnë, është qëndrimi ynë i pathyer “Pro-amerikan” në kuptimin e plotë të fjalës, edhe kur bëhet fjalë për strehimin e afganëve “mercenarë” në dy vendet tona, sidomos kur fjala është për ruajtjen e miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane, e cila për kombin shqiptar nuk ka alternativë.

Pse miqtë tanë amerikanë u tërhoqën nga Afganistani, siç po e quajnë disa analistë “dështim” i politikës së jashtme amerikane, është çështje me të cilën ne më së paku duhet të merremi, sepse sipas bindjes time të fuqishme, largimi i amerikanëve nga Afganistani nuk ka të bëjë asgjë me sukses apo dështim, veçse ka qenë ky një hap strategjik i Shtëpisë së Bardhë dhe i Pentagonit, gjithnjë duke pasur parasysh rrethanat e reja politike, ekonomike dhe ushtarake në botë, strategjinë amerikane në botë, gjë që esencën e një vendimi të tillë të administratës amerikane, nuk do ta mësojmë së paku edhe për disa vite të ardhshme!

Andaj, disa analistë dhe mos njohës të mirë të strategjisë ndërkombëtare, diplomatike dhe ushtarake të SHBA-ve, sikur pa nevojë po nxitojnë të japin vlerësime negative për largimin amerikan nga Afganistani, por edhe për pranimin e refugjatëve afganë në Shqipëri dhe Kosovë. Unë, po ashtu besoj fuqishëm, se përkushtimi amerikan ndaj Ballkanit, sidomos ndaj çështjes shqiptare ende të pazgjidhur sipas vullnetit të popullit autokton shqiptar, jo se do të zvogëlohet, veçse do merr dimensione të reja në favor të realizimit të aspiratave nacionale të shqiptarëve, gjë që për këtë trend dhe fat të madh për kombin tonë, flasin shumë fakte të cilat duhet kuptuar drejtë, dhe se miqësinë tonë të përjetshme me popullin dhe shtetin mik amerikan duhet ta ruajmë dhe forcojmë çdo ditë e më shumë. Këtë porosi të shenjtë na e ka lënë në amanet presidenti ynë historik, Dr. Ibrahim Rugova, të cilën duhet ta çojmë në vend për hir të gjeneratave të ardhshme si dhe interesave tona politike dhe kombëtare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat