Po me Ministrinë e Diasporës, ç’ patën ?

Opinione

Po me Ministrinë e Diasporës, ç’ patën ?

Nga: Rafael Floqi Më: 5 shtator 2021 Në ora: 17:36
Rafael Floqi

Në kulturën e zakonshme urbane të shqiptarëve, apo lieaucommun siç i thonë francezët, kanë mbetur disa shenja e batuta nga ndonjë filmi të real-soc me teme nga lufta Nacional Çlirimtare, siç është batuta, “Po me urën, ç’ patën? Që po ta aktualizonim do të thonim po me Ministrinë e Emigracionit ç’patën? Në fund të fundit ajo nuk prishte punë askujt, që është dhe nënteksti i batutës.

Siç duket, edhe për katër vite me radhë shqiptarë do të konsumojnë të njëjtën gjellë, të futur në mikrovalë disa herë. Ndryshimet e emrave të qeverisë, që Rama shpalli dhe lëvizjet në hierarkinë e opozitës, që Basha prezantoi pak ditë më parë, nuk premtojnë asnjë ndryshim thelbësor në sezonin e ri politik. Disa figura mund të jenë të ndryshme, por filozofia mbetet po ajo: ne do të shohim të njëjtën shumicë. që bën sikur qeveris në emër të njerëzve dhe të njëjtën opozitë që bën sikur lufton me sistemin e kapur kleptokrato- oligarkik, shkruante shtypi i Tiranës, që lë të nënkuptohet për marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Bashës.

Pak emra të rinj e ndryshime të mëdha. Megjithatë një ndryshim rrënjësor. Shkrirjen e Ministrisë së Diasporës. I vetmi institucion, në këto 30 vite qeverisje demokratike, që u ngrit me një qellim të qartë: Fokus për Diasporën. Katër vite janë pak për të rregulluar dhe ekuilibruar problemet dhe çështje të mbartura, jo vetëm në këto tre dekadat e fundit, por në qindra vite histori të emigracionit shqiptar, duke filluar me arbëreshëtpër të ardhur në migrimin e bluzave të bardha (dhe jo vetëm) ditëve të sotme.  Por edhe kësaj here, qeveria e re Rama tregon se nuk është fryt i një mendimi dhe vullneti kolegjial, por vetëm kapriçio dhe tekë e një njeriu të vetëm, që herë zgjedh ministra nga Kosova dhe i heq më pas, herë hap ministri të Diasporës dhe herë e fshin, sipas humorit të tij për t’u dukur sa mbarëkombëtar dhe tani sa më “Ballkanshqyer”. 

E parë aposteriori, duket, sikur Ministria e Diasporës u krijua për të hapur vend pune për ish- Ministrin Majko. Dikush mund te thotë se krijimi i Ministrisë së Diasporës, që kryente një punë e cila mund të mbarohej fare mirë nga drejtori përkatëse në ministritë e Jashtme, të Arsimit e të Kulturës, që mund të mos kritikohej si një fryrje e panevojshme e administratës shtetërore në Shqipëri.  Por nuk mendoj se ka qenë ky këndvështrimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama i shquar për faktin që krijimi dhe ristrukturimi i kësaj ministrie nuk duhet parë si burokraci. Por le të shohim historikun e marrëdhënieve të shtetit tonë me 1.64 milionë shqiptarë e Diasporës së Re të tij, një nga më të mëdhatë në botë, në raport me popullsinë.  Në krahasim me periudhën çerekshekulli 1992-2017, kur doktrina shtetërore për Diasporën mungonte, të katër vitet 2018-2021 kanë njohur një farë zhvillimi, por pa objektiva afatgjata dhe pa perspektivë të qartë. Ministria e diasporës ashtu siç u krijua, bëri diçka që ishte pa mjaftueshme, por megjithatë ishte diçka. Po tani?

A kishte kjo ministri një vizion të përcaktuar mirë e një strategji të ndërtuar me largpamësi e sinqeritet, përtej përfitimeve e propagandës partiake, me shpirt mbarëkombëtar e ideale humaniste do të ishte diçka mjaft e dëshirueshme, megjithëse diaspora nuk kishte iluzione në këtë drejtim. Pse? Se raportet e shtetit amë me diasporën nuk janë raporte interesash ideologjike apo partiake. Kryeministri aktual Rama mendohet e deshte diasporën për mbështetje politike për të marrë mandatin e tretë, e tani, që e mori atë mandat, nuk i duhet. Fakti është që pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje nuk u realizua për faj të të dyja palëve politike, pasi asnjëra prej tyre,nuk e di se si do të votojë diaspora, pasi nuk do që të votojëdiaspora. 

Nga ana tjetër, mbyllja nuk është për t’u gëzuar. Ministria e Diasporës në Shqipëri shton listën e gjatë e projekteve të nisura me bujë e të lëna në mes të rrugës. Me investime që mund të ishin menduar e përdorur ndryshe. Jo më kot bashkatdhetarë janë shpesh mosbesues, ndër ta edhe unë. Kohë më parë në një shkrim tim “ Summit-i i diasporës mbështjellje apo pështjellje” botuar më  22 Nëntor 2016, tek Dielli, shkruaja ‘” Çfarë doli nga a gjithë ai organizim i samitit të diasporës? A duhet vlerësuar ai se e arriti  qëllimin për të cilin u organizua? Në fund të fundit, ai arriti të tubojë 1000 vetë nga 40 vende, dhe konkluzionet do të duhet të bëhen nga koha, Vërtet, pa qenë nihilist, vetë fakti që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar u mbajt një samit i posaçëm për diasporën, ishte për t’u vlerësuar. Por a ishte kjo përpjekje e qëlluar apo e dështuar kjo është gjë tjetër. A ishte Kryeministri Rama ai që kërkoi që ta ngrinte realisht emrin e emigrantëve në diasporë, apo ai kërkoi t’i përdorë ata politikisht, siç janë shprehur kritikë ndaj tij, kjo mbetet për t’u parë. ( dhe ashtu ndodhi) Apo vallë qëndrojnë që të dyja? Por sidoqoftë, pavarësisht qëllimit, idesë dhe se kush e organizoi dhe qysh e organizoi, është e rëndësishme të themi se nisma për mbajtjen e këtij samiti duhejtë përshëndetej. Samiti me gjithë mangësitë, ishte një përpjekje serioze e një dëshirë pozitive, por njëkohësisht, ashtu siç edhe dyshoi edhe një pjesë e opinionit, dhe një krehje e sedrës së Ramës, për të qenë një farë lideri mbarëkombëtar.”

Në fakt kryeministri që ka qenë dhe një farë kohe emigrant, gjë që ai s’ka qejf ta kujtojë, kur ka qenë në opozitë apo në krye të bashkisë, dhe kur ka ardhur për të takuar të vëllain Olsin në Michigan asnjëherë nuk është takuar me komunitetin, por vetëm me miqtë e Olsit. Mjafton të kujtojmë Thoma Gëllçin me gjithë ngërçin e komisionit të medias, vendin ia mbajti hapur për disa vite, gjersa e bëri drejtor të TVSH-së, dhe me vone e pushoi, apo znj. Olta Xhaçka që e zgjodhi deputete të PS-së dhe madje ministre te Mbrojtjes e te Jashtme, siç  thonë ca zëra, vetëm jo për kontribut kush e di se çfarë, por se ishte komshie me Olsin në Michigan. 

Edhe herën e fundit që erdhi për vaksinat në Amerikë, kryeministri i shqiptarëve gjeti kohë të takojë një prift grek dhe asnjë anëtar të komunitetit shqiptar. Pavarësisht mosarritjeve dhe premtimeve politike personeli diplomatik në SHBA i qeverive të PD-së, për të qenë korrekt ka qenë më afër i lidhur me diasporën, duke marrë pjesë në aktivitetet e komunitetit, kujtoj këtu ambasadorë Sallabanda e Galanxhi, apo dhe ish-konsullin Mishto, apo edhe faktin që kryeministri apo presidenti Berisha, Topi e Nishani kanë qenë më pranë diasporës së Amerikës. Ku është ambasadorja aktuale znj. Floreta Faber mjaftohet me statuse ne Facebook, apo punonjësit e diasporës, sa herë kanë ardhur në Michigan, për shembull. Si dhe sa e kanë vlerësuar p.sh. një institucion mediatik të vetëm për gjithë diasporën kaq të rëndësishme të Amerikës,  siç është ALBTVUSA, e tregon mungesën e interesit të rilindësve për diasporën.   

Dikush që nuk e njeh thellë diasporën, e sheh diasporën me konceptin si një organizim që duhet të vetë-ofrohet, se po nuk ofrua nuk është më diasporë, se po nuk u vetësakrifikua nuk është diasporë, por emigracion, apo mërgatë apo “turist për vënie dhëmbësh”, duke paragjykuar kështu sidomos mërgatën e sotme, apo emigracionin shqiptar. Jo, diaspora nuk është vetëm “lopë që ka dëshirë të milet”, por një grupim njerëzish herë me formë e herë pa formë, herë i organizuar e herë jo, herë i interesuar dhe herë jo, por me dashuri të madhe për atdheun për arsye që dihen, vital por që ka nevojë për stimuj edhe për lehtësira për të dhënë më shumë, që ka nevojë për ndihmë në organizim të qendrave kulturore apo shkollave, për të mos u shuar. Duhet vetëm një nismë e shprehur nga vendlindja të tjerat diaspora i bën vetë. mobilizimi i lobit shqiptar për çështjen e Kosovën e ka treguar këtë.

Diaspora nuk kërkon ndihmë financiare nga qeveritë shqiptare, por kërkon vlerësim dhe mirënjohje.  Kur kjo mirënjohje mungon, kur bashkëpunimi me diasporën shihet politikisht, atëherë ndodh që dhe Federata Pan-shqiptare Vatra të ndihet e fyer, dhe jo pa fajet e veta dhe vetpërjashtohet nga bashkëpunimi me qeverinë. Vatra nuk duhej të vetë-përjashtohej edhe, sepse ishin të vrarë në sedër nga mospërfillja, pasi Vatra është një institucion apolitikmbarëkombëtar.

Një mik para disa ditësh me origjinë nga Malësia e Madhe në Mal të zi, gjatë pranisë së Ambasadorit të Kosovës Valdet Sadiku në një event në Michigan, m’u shpreh, se ai dhe një numër aktivistësh nga komuniteti, ”ndjeheshin të mosvlerësuarpër atë që ka bërë diaspora me origjinë nga Malësia për Kosovën, duke lobuar, duke demonstruar dhe duke luftuar në Kosovë. “Ne nuk duam asgjë, vetëm një faleminderit. Dhe jo një ambasador që sa vjen lexon një deklaratë dhe mendon për të ikur” m’u shpreh ai.

Fakti se qeveria Rama nuk e njeh diasporën, nuk i di madje dhe numrat e saj, nuk e justifikon atë. Nuk mund t’i lihet gjithnjë faji së kaluarës 30- vjeçare dhe qeverive të mëparshme që në fakt nuk kanë bërë asnjë hap të organizuar, por gjithnjë e kanë nderuar diasporën. Nuk mund të shihet diaspora gjithnjë me syza partiake. Kjo vlen sa për qeveritë aq dhe për vetë shoqatat e diasporës. Por duhet që aq më tepër sot edhe diaspora sidomos ajo më e konsoliduara e Amerikës, nuk duhet të bjerë pre e luftës politike në vendlindje, por edhe as të kërkojë fonde nga Shqipëria për aktivitetet e saj. 

Qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë duhet të kuptojnë një gjë, që pavarësisht nga vend-origjina, pavarësisht nga koha e emigrimit diaspora me gjithë grupimet hatër mbetjet është një. Është në gjë e mirë pozitive hapat që janë hedhur, meqë e lejon edhe legjislacioni ndërkombëar, që Shqipëria dhe Kosova mund të kenë ambasada dhe konsullata të përbashkëta, por kjo duhet çuar dhe më tej.  Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës nuk i pengon asgjë, që në kuadër të kësaj pune atdhetare, të krijojnë një ministri të përbashkët të Diasporës. për të organizuar më mirë punë, për të integruar më mirë një të tretën e popullsisë të larguar pas viteve 90-të, dhe për këtë qeveria e Tiranës le të mësojnë nga pala kosovare që e ka mërgatën më të konsoliduar në vite, pasi diaspora pavarësisht, se nga cili vend vjen, nga: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina, Çamëria është një, dhe s’ka nevojë për integrim në BE, se është e integruar.

Pse në Kosovë për shembull ka vende të caktuar për minoritetin serb, pse të mos t’i lënë vende të lira diasporës, në parlament.Kjo vlen për të dy shtete shqiptare. Ndryshe dukurisë së rrjedhjes së trurit, do t’i dihet gjithnjë shkaku dhe kahu, rikthimi i tij nuk mund të bëhet me apele, siç i fton në “standup-komeditë” e tij, kryeministri ynë sa gojëtar aq dhe gojëzgjidhur Rama. 

Një shekull me parë, diaspora kishte deri deputetë e saj në Parlamentin shqiptar, sot autoriteti i diasporës në raport me shtetin shqiptar ka ardhur në rënie. “A ka sot krahasim ajo që ka bërë për Shqipërinë shoqata “Vatra” për dekada me radhë me korifenjtë e saj, Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, MihalGrameno, Parashqevi Qiriazi, Kristo Kirka, Kostaq Kotta e të tjerë dhe që i dhanë Shqipërisë pjesën më të mirë të bijve të vet dhe që e deshën Shqipërinë atëherë kur nuk kishte fare Shqipëri, duke sjellë pavarësinë, formimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar? A mund të krahasohet diaspora aktuale me atë që kanë bërë shqiptarë e Amerikës e të tjerë për pavarësinë e Kosovës?  Po është e njëjta, por do motivim, se sot nuk jemi në atë realitet imperativ si ai luftës e Kosovës, por është po ajo diasporë, e njëjta diasporë që e ka mbështetur, me para, me armë, madje, dhe me vullnetarë luftën.

Por sot nuk ka një situatë e casus të njëjtë. Nuk është faj i kësaj “diaspore të përgjumur që duhet të zgjohet dhe të rinisë punën për një kauzë të re: “Atë të ndihmës ekonomike, duke investuar në atdheun që prej 30 vjetësh vazhdon të jetë shteti më i varfër në Evropë”, pasi është po kjo diasporë që është zhgënjyer, jo për mungesë fryme idealizmi nga ana e saj, por për një përplasje të pashembullt dhe dekurajuese me murin e korrupsionit si në Shqipëri dhe në Kosovë. Atdhedashuria është atdhedashuri, por biznesi është biznes. Mund të mos fitosh shumë në vendin tënd, por askush nuk do të humbasë, pasi patriotizmi nuk hahet.

Po diaspora e ka një ideal bashkimin kombëtar, por kjo aspiratë shekullore vështirë se ngrohet me zgjidhjet gjysmake, me parullat e bashkimit brenda në BE, apo te Shengenit Ballkanik,kur vendet të fuqishme si Britania dalin. Të qenit evropian nuk mund të barazohet me të qenit shqiptar. Qeveritë shqiptare dhe çdo shqiptar së pari kërkon integrimin brenda gjakut. Kombi është sa bashkim gjuhësor kulturor aq dhe bashkim ekonomik. Por ata të kthejnë krahë, kur pushtetarë apo paria e Tiranës a Prishtinës, nuk ka mirënjohjen, as vetëm për të vlerësuar kontributin, kur nuk ka as incentivën më të vogël, çka ka bërë që edhe kapitali shqiptar të investohet jashtë vendit, dhe këtu nuk ka vend më për idealizëm të diasporës, por për më shumë se faj të qeverive shqiptare dhe të korrupsionit galopant. 

Por si mundet Maqedonia apo Mali i zi, apo Maqedonia e Veriut të zhvillojnë zgjedhje edhe në SHBA dhe Shqipëria jo. Ka edhe një përvojë të Parlamentit Italian, që siç ma pohonte kohë më parë prof. Palombo, një ish deputet prej vitesh në Montecitorio në Itali, ka një Komitet të Diasporës dhe Kulturës italiane në botë, me vende të përcaktuara, që nuk janë pjesë të partive politike italiane. Por votojnë për problemet e lidhjeve me diasporën dhe të ruajtjes të kulturës italiane në botë.Mundësitë janë të hapura kur është dëshira e mirë dhe ku nuk i lihet vetën në dorë voluntarizmit,  

Sa për lobimin, shqiptarë e diasporës së Amerikës e kanë përdorur këtë mjet të demokracisë  amerikane qysh me Nolin dhe Vatrën në kohen e presidentit Wilson, e kanë përdorur edhe me Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane në kohën e Luftës së Kosovës, aq sa dhe vetë Millosheviçi e pohoi këtë në Hagë. Shqiptarë kanë ditur ta përdorin këtë instrument të politikës amerikane, më mirë se diasporat e tjera edhe më të konsoliduara. Qeveri shqiptare nëse do, vërtet, të ketë lidhje me diasporën, duhet të ngrihet edhe në lartësinë e mbretit Zog, që diti të vendoste, edhe pse një kundërshtar të tij një përfaqësues të diasporës, Faik Konicën si ambasador në SHBA.

Ministria aktuale sidoqoftë pati disa arritje, por pa ndikim tëdrejt për drejte mund të jen të disa hapa të pasigurt të Doktrinës shtetërore shqiptare për Diasporën. Si formimin e Agjencinë Kombëtare të Diasporës, dhe Këshillin Koordinues të Diasporës, ngritjen e  Qendrës së Botimeve të Diasporës, me një staf prej 15 punonjësish, që në këta tre vite, ka botuar me dhjetëra tituj librash dhe ka nxjerre me mijëra libra me tekste dygjuhëshe dhe shumëgjuhëshe për mësimdhënien e shqipes për tu theksuar mbetet ngritja e Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën i cili miratoi kërrikullin e përbashkët të teksteve të mësimin e gjuhës shqipe. Apo ngritjen e Qendra për Studime dhe Publikime Arbëreshe,  me një staf prej 12 punonjësish, përfshirë 7 studiues të njohur në vend. Në tetor 2018 u themelua Fondi i Zhvillimit të Diasporës, edhe ky një organ shtetëror brenda qeverisë shqiptare, me një staf prej 22 punonjësish, përfshirë stafin e gazetës “Diaspora Shqiptare” dhe Dhomës së Biznesit të Diasporës. Stafi i Ministrit të Shtetit për Diasporën, edhe pse ministër pa portofol, përbëhej nga një komunitet prej 71 punonjësish me kohë të plotë. Shumë punonjës por fare pak për nevojat e diasporës. Megjithatë kjo duhej të përmirësohej dhe asgjësohej. Qeveria e mandatit të tretë të socialistëve, e cila do të nisë punën këtë shtator,  mbetet për tu parë nëse do të punojë për të inkurajuar dhe vazhduar në udhën e përbashkët të lidhjes Diasporës me vendin amë. Deri tani nuk ka asnjë projekt.

Në një plan praktik, të komunikosh dhe bashkëpunosh me diasporën është një mision i papërmbushshëm, mund të justifikohet dikush, sepse diaspora është shumë e shpërndarë gjeografikisht, shumë e decentralizuar, dhe shumë e ndërlikuar. Asnjë qeveri apo parti politike nuk mund ta mbulojë me një batanije te vetme partiake, ideologjike, programore etj. As nuk do të ketë ndonjëherë një udhëheqës apo organizatë që mund të thuash kjo është dhe nuk ka tjetër që flet për diasporën. Ndaj puna duhet bazuar tek ideali kombëtar.

Kjo larmi është edhe mburoja më e mirë kundër çfarëdo manipulimi e përpjekje për kontroll nga politika në Atdhe. Kjo sjell edhe dyshimin e politikës dhe ngurrimin për të na bërë pjesë të proceseve politike e zgjedhore aty. Me diasporën vjen një frymë lirie që nëse ia hap derën vërtet i gjithë kombi shqiptar mund të përfitojë jashtëzakonisht. Nuk do të ndodhë me elitën e tanishme politike sidomos në Tiranë. Ideale do të ishte që nga “rrënojat” e ish-ministrisë së Diasporës të nxirren mësime e të përdoret përvoja për projektet e ardhshme. Se si mund të bëhet nuk e di. Zëri i Atdheut gjithmonë thërret. Por apelet e kryeministrit Rama për kthim të të mërguarve në vitin 2030, janë sa patetike dhe qesharake, kur shqiptarët aktualisht zënë vendin e dytë për azil në BE pas sirianëve.

“Kush e pi këtë ujë me akull, në Amerikë, me thoshte një dite një mik, nuk kthehet në Shqipëri. Dhe ndoshta, nuk kthehemi me gjithë apelet e politikanëve si Rama , pasi “The Door of NoReturn - Dera e Moskthimit – është një e vërtetë sa reale aq dhe metaforike, mitike për ne shqiptarët që jemi të shpërndarë në Amerikën e sotme. Por megjithatë ne duam që dera e mos-kthimit të mos bëhet dera e harrimit. Ndaj i kthehem edhe një herë pyetjes, retorike “Po  me Ministrinë e Diasporës, ç’ patën?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat