Jam femër, por nuk kam më pak aftësi e meritë sesa meshkujt në sektorin e sigurisë

Opinione

Jam femër, por nuk kam më pak aftësi e meritë sesa meshkujt në sektorin e sigurisë

Nga: Vjollca Aliu Më: 6 shtator 2021 Në ora: 16:24
Vjollca Aliu

Në ndërtimin dhe ruajtjen e shtetit roli i policisë është i domosdoshëm, sepse pa një shërbim policor të fuqishëm dhe profesional do të humbte jo vetëm organizata policore, por humbim edhe ne si shoqëri.

Sot, Policia e Republikës së Kosovës feston
22-vjetorin e themelimit si organizatë e sigurisë, duke bartur mbi supet dhe në imazhin e saj: sfidat, sukseset, detyrat dhe përgjegjësitë, përkushtimin për përmbushjen e misionit, si dhe llogaridhënien para mekanizmave përgjegjës dhe para gjithë shoqërisë.

Të flasësh apo të shkruash për policinë do të thotë të flasësh apo të shkruash për një pjesë të shoqërisë kosovare e cila ka kaluar nëpër shumë faza zhvillimi, por edhe nëpër sfida të rëndësishme të kohës. Të analizosh angazhimin e femrave në sektorin e sigurisë, veçanërisht në polici, nuk është aq e lehtë, meqë femrat janë faktor i papërjashtuar dhe i pamohueshëm për sigurinë në të gjitha nivelet, por duke marrë parasysh edhe faktorët të cilët kanë ndikuar në pjesëmarrjen dhe zhvillimin e femrave kosovare në sektorin e sigurisë gjatë 22 vjetëve.

Republika e Kosovës është shtet demokratik, e cila policinë e sjellë në suazat moderne, dhe si shtet juridik e futë atë nën kontrollin e ligjit. Puna demokratike, shërbimi ndaj qytetarit dhe ndaj shtetit është proces që zhvillohet nga shumë femra dhe nga shumë meshkuj të inkuadruar në polici, të cilët i përgjigjen nevojave të qytetarëve dhe sistemit hierarkik mbikëqyrës-kontrollues, por jo politikanëve, që do të thotë se policia duhet të jetë e papolitizuar dhe e pandikuar politikisht.

Konsiderohet se barazia gjinore është një gur themeltar në procesin e zhvillimit demokratik të një shteti. Duke vlerësuar parimin e mosdiskriminimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për Barazi Gjinore, për të krijuar mundësi që femrat të vlerësohen dhe të gëzojnë autoritet në familje dhe shoqëri.
Bazuar në këtë dhe në interesimin, përkushtimin dhe gatishmërinë e femrave kosovare për inkuadrim në Policinë e Republikës së Kosovës, kjo organizatë është shembull dhe dëshmi se barazia gjinore nuk është vetëm retorikë, por realitet të cilin duhet avancuar edhe më tej. Sot, femrat kosovare ia kanë dal me krenari dhe profesionalizëm të lartë në kuadër të detyrave të punës të jenë partner i barabartë me meshkujt, duke dhënë kontributin e tyre në Policinë e Republikës së Kosovës, në FSK, në Shërbimin Korrektues dhe në organizata të tjera. Pavarësisht se dikush mendon se sektori i sigurisë konsiderohet për meshkujt, interesimi i femrave për kyçje në këtë sektor është evident, me rënie e rritje nëpër periudha të ndryshme gjatë 22 vjetëve, por që asnjëherë nuk u shua, falë kornizës ligjore relativisht të mirë për të promovuar pjesëmarrjen e femrave në jetën publike, mirëpo përparimi në zbatimin e saj ngec, jo rrall, nga mungesa e burimeve financiare për zbatimin e ligjeve.

Me qëllim të fuqizimit të rolit të femrës në Policinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e vetëdijes dhe adresimin e çështjeve që prekin femrat në kuadër të kësaj organizate, promovimin dhe ndihmën në zbatimin e barazisë dhe mosdiskriminimit në organizatë, zhvillimin e vazhdueshëm profesional, zhvillimin dhe pjesëmarrjen në rrjetet profesionale dhe sociale në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e mirëqenies shëndetësore dhe psikosociale të femrave në organizatën policore, më 23 korrik 2013 është themeluar Shoqata e Grave e Policisë së Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, në të cilën janë përfshirë anëtarë të stafit të uniformuar dhe civil, duke mos përjashtuar edhe anëtarë meshkuj.

Avancimi jo i kënaqshëm, i cili ndikon në shtimin apo rritjen e të ardhurave personale, nuk e ka zbrapsur femrën police të kryej misionin e saj brenda organizatës policore, përkundër asaj se disa prej tyre janë mbajtëse të familjes. Megjithëse janë marrë hapa përmirësimi në kyçjen dhe avancimin e femrave në polici, prapëseprapë është mëse e domosdoshme rritja e numrit të femrave në polici, por edhe avancimi i tyre pa dallim, duke respektuar femrën si vlerë, e mbi të gjitha parimin e rekrutimit mbi bazën e meritave.
Për të dëshmuar vlerën e secilës femër pjesëtare në Policinë e Republikës së Kosovës, sot, në këtë përvjetor, femrat brenda kësaj organizate për qytetarët kosovar dhe gjithë opinioni japin një imazh pozitiv të femrave në polici, të cilat respektojnë uniformën, ushtrojnë profesionin me ndjenjën e përgjegjësisë së njejtë sikurse policët meshkuj.

Atyre që ende kanë mendimin se femra nuk është e denjë të kontribuoj në sektorin e sigurisë dhe se ky domen u takon meshkujve, u them: edhe pas 22 vitesh liri nga pushtuesi, kthjelleni mendjen, kujtesën, mos i harroni të gjitha ato femra, ato shqipe mali që ishin pjesë e UÇK-së, shumë prej të cilave ranë dëshmore dhe u bënë fanar i kësaj lirie dhe sigurie që e gëzojmë sot!

Mjetet e informimit: shtypi, radio, televizioni, mediat online, të gjitha kanë ndikim në informimin e opinionit kur transmetohen, paraqiten dhe kultivohen përmbajtje dhe emisione të cilat kanë vlera të shëndosha morale, edukative, ligjore. Përmbajtjet e tilla ndikojnë në vetëdijësimin e qytetarëve për rolin e policisë në sigurinë e shtetit, përfshirë edhe kontributin e pamohueshëm të femrave në polici dhe në tërë sektorin e sigurisë, pengimin e sjelljeve kriminale dhe masat preventive në këtë drejtim, tejkalimin dhe ballafaqimin me sukses ndaj çdo sfide që i kanoset apo e rrezikon shoqërinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Gjithnjë duke respektuar parimin e meritokracisë, mosdiskriminimi dhe kyçja e femrave në Policinë e Republikës së Kosovës dhe në organet e tjera të sigurisë duhet të shihet si kyçje meritore, meqë femra është treguar e zonja dhe e gatshme të kontribuoj edhe në sigurinë e shtetit, por fatkeqësisht disa njerëz e konsiderojnë si domen i meshkujve. Ky perceptim i gabuar tanimë le t'i mbetet së shkuarës, meqenëse sot niveli arsimor i femrave po rritet çdo ditë e më shumë, femrat janë më pak të korruptuara në krahasim me meshkujt, po tregohen të suksesshme dhe të shkathta, madje edhe aty ku shumë herë gjinia mashkullore nuk arrin të tejkaloj problemet dhe sfidat pa ndihmën e femrës.

Përgjegjësve institucional shtetëror, sot në ditën e shenjtë për organizatën policore u them: ktheni sytë kah policia ju që manifestoni kujdes e respekt për policinë vetëm kur festoni në emër të tyre për të arriturat dhe punën e mirë që e bëjnë; ktheni sytë kah policia ju që nuk brengoseni për jetën e tyre, e që, edhe pas 2 dekadash themelimi të organizatës policore i keni lënë pa sigurim shëndetësor; mos u jepni grada e shpërblime duke i diskriminuar në të drejtën për jetë të sigurtë shëndetësore; mos i merrni lavdërimet për sukseset e tyre, por jepni llogari para tyre për dështimet tuaja! Mos harroni se, sigurimi i shëndetit të policit është siguri për jetën tonë!

Duke e ditur dhe duke e respektuar rolin e femrës në Policinë e Republikës së Kosovës; duke e vlerësuar dhe duke e çmuar rolin e të gjithë policëve pa dallim gjinie, nacionaliteti, feje,...; duke e çmuar rolin e tyre për sigurinë tonë personale, të rrethit ku jetojmë dhe shtetit të sigurtë për të gjithë ne, ashtu siç e meritojmë si popull paqedashës, urojmë: 22-vjetori i themelimit i Policisë së Republikës së Kosovës le të jetë festë, por edhe fat i mbarë dhe i suksesshëm i realizimit të të drejtave dhe i përgjegjësive të të gjithë atyre që kontribuojnë në këtë organizatë!
Policia e Republikës së Kosovës, suksese në funksionin dhe në përkushtimin për përmbushjen e misionit të shenjtë!

...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat