Duhet Vetting patriotik

Opinione

Duhet Vetting patriotik

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 09:23
Skënder Sadri Kapiti

Duhet bërë Vetting patriotik, po kush duhet ta bëjë atë, kur politika shqiptare sidomos ajo në Shqipëri vetëm patriotizëm nuk ka. Kur dikush në partitë politike kandidon për deputetë, për kryetar bashkie, për kuvendar vendor, për kryeministër e ministër a pyetet dhe a verifikohet se kush është, se nga vjen, se çfarë trashëgimie e kontributi kombëtar ka ai dhe paraardhësit e tij?!

Ky virtyt, pra patriotizmi, është dhe duhet të jetë e para dhe mbi të gjitha, por që fatkeqësisht është e fundit dhe më i papërfillshmi në politikën shqiptare.

Prandaj jemi dhe gjendja është kështu në Shqipëri por edhe në Kosovë sepse politika shqiptare është e zhveshur nga patriotizmi.

Kjo sepse politika me deputetë e me drejtues e funksionarë shteti është e mbushur me individë me pandjesi e padhimbshuri kombëtare, me arrogantë, injorantë, të paturp, të papërgjegjshëm, mbushur me mashtrues, gënjeshtarë, me hajna, me të korruptuar dhe me plot tradhtarë sepse tradhtarë janë edhe gënjeshtarët ,mashtruesit, hipokritët e zullumqarët.

Prandaj duhet bërë Vetting patriotik.

Virtyt tjetër është demokracia, por edhe ky është mjaft i mangët në politikën shqiptare.

Demokracia është sundim dhe qeverisje nga ata të cilët i zgjedh populli për t’i shërbyer interesave të popullit, interesa të cilat i realizon shteti demokratik e ligjor.

Demokracia është sistemi i lirë i cili i largon dhe i dëbon nga pushteti dështakët, korrupsionin, të këqijtë, spekulantët, tradhtarët dhe mashtruesit e keqbërësit publik e kombëtar.

Pra demokracia duhet të përzgjedhë më të mirët, pra patriotët.

Por demokracia në Shqipëri përzgjedh të këqijtë, pra kakistokracinë, sepse demokracinë shqiptare nuk e ruan dhe as nuk e mbron ligji demokratik, dhe thjesht pra në Shqipëri nuk ka demokraci, ajo deri më sot ka dështuar dhe prandaj Shqipëria ka mbetur në tranzicion, si një sistem hibrid mes diktaturës e demokracisë..

Korrupsioni triumfon dhe fiton në një shtet kur sfidohet dhe përjashtohet patriotizmi nga politika, nga pushteti dhe nga sistemi.

Kur korrupsioni e tradhtia shtrihen gjerësisht dhe kur e ndryshk dhe e kap sistemin është shumë i vështirë për ta luftuar dhe për ta çmontuar atë. Korrupsioni si e keqja më e madhe ku bie shteti dhe shoqëria e bën shumë të vështirë ardhjen e shpejtë të ndryshimit të politikës dhe të përmirësimit e të futjes në funksionim të shtetit e të shoqërisë.

Shoqëria shqiptare nuk ka traditë të gjatë demokratike, dhe si pasojë e kësaj edhe demokracia lëviz me shumë vështirësi, dhe demokracia ka rënë pre e manipulimeve të korrupsionit dhe të antipatriotizmit.

Demokracinë shqiptare dhe ndërtimin e shtetit ligjor e pengojnë papjekuria politike dhe mosndëshkimi për një kohë të gjatë të korrupsionit dhe të tradhtisë, pasi shtrirja në kohë dhe hapësirë e tyre e vështirëson luftën dhe Veting-un e politikës, të drejtësisë e të shoqërisë. Kjo gjë vërehet në Shqipëri ku duket se sa i vështirë është pastrimi juridik e politik i sistemit pavarësisht funksionimit të Vetting-ut në drejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat