Open Balkan prishi ekuilibrat në rajon!

Opinione

Open Balkan prishi ekuilibrat në rajon!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 20 dhjetor 2021 Në ora: 15:13
Aleksandër Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama

Të gjithë e dimë se Edi Rama erdhi në pushtet me një mision rajonal të projektuar në SHBA dhe në Evropë. Të bënte "pajtimin" me Serbinë në funksion të stabilitetit dhe paqes në Ballkan. Këtë shans e kishte humbur Sali Berisha në vitin 2011, kur refuzoi ish-presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, që konflikti shqiptaro-serb të zgjidhej me marrëveshje midis Tiranës dhe Beograd. Propozimi qe bërë në një konferencë shtypi në Bruksel, çka do të thotë se Tadiq kishte marrë "lejen" e evropianëve. Por Berisha të nesërmen tha "JO"! "Një ndërmarrje e tillë, tha ai, zhbën shtetin e Kosovës"!

Megjithatë aktorët evropianë dhe amerikanë nuk hoqën dorë nga kjo skemë. Prandaj i dhanë urdhër Ilir Metës të shkonte në koalicion me Ramën në zgjedhjet e 26 qershorit 2013. Dhe ashtu ndodhi. Rama dhe Meta bënë shumicën parlamentare. Rezultatet dëshmuan se Rama i vetëm nuk do t'i fitonte ato zgjedhje, siç ndodhi në vitin 2017 dhe 2021 me Lulzim Bashën! Logjikisht të gjitha lëvizjet e Ramës në adresë të bashkim-vëllazërimit me Aleksandër Vuçiq kishin bekimin e BE-së dhe Uashingtonit. Prandaj erdhi në pushtet dhe për këtë arsye është mbajtur po ashtu në pushtet Edi Rama.

Por sot duket se kanë ndryshuar ekuilibrat. Pse ndodhi kjo, derisa ende ka e do të ketë një interes evropian dhe amerikan për pajtim dhe paqe në rajon? Sepse Rama nuk ruajti masën. Shkoi përtej rekomandimeve dhe pritshmërive të aktorëve udhëheqës të këtij procesi. Sepse Rama i gënjeu sidomos evropianët me gjoja "modernitetin dhe pro-perëndimorizmin" e presidentit të Serbisë! Sepse Rama në vend të pajtimit shqiptaro-serb, filloi të rehabilitojë në agjendën ndërkombëtare një aleat të ngushtë të Rusisë, përveçse edhe aktor i rëndësishëm në masakrat e Bosnjë-Hercegovinës dhe në Kosovë! Pra, kryeministri i Shqipërisë u bë palë për ta mashtruar Perëndimin në lojën e Serbisë së Madhe!

Rama e tejkaloi të drejtën e vet! Ndërkohë që Eskili para 2500 vitesh thoshte se "Kur e drejta tejkalohet kthehet në të kundërtën e saj"! Kjo i ndodhi kryeministrit të Shqipërisë. Rama bëri militantin ndërkombëtar! U tregua bujar deri me territoret e Kosovës në favor të Serbisë dhe harroi se cenimi i territoreve në Ballkan e destabilizon atë. Kjo i kushtoi Hashim Thaçit burgun në Hagë! Ndërkaq Rama mbështeti Minishengenin ose Open Balkan, me qëllim që t'i fusë gurë nën rrota Procesit të Berilnit. I mbështeti iniciativat serbe në rajon, madje me shumë militantizëm, pa e parë se këto iniciativa kthejnë ekuilibrin e vjetër të supremacisë serbe e për pasojë kthen edhe konfliktin e vjetër etnik në Ballkan!

Duke mos ruajtur masën, Edi Rama u bë përfundimisht i panevojshëm e po ashtu i rrezikshëm në lidhjet e tij me Aleksandër Vuçiq. Këtij skenari i shërben takimi i sotëm i tre sorosianëve në prezencë të Aleksit të Georgut të Sorosit të madh në Tiranë. Pra, forcimit të prezencës serbe në rajon dhe rikthimit në ekuilibrin e sundimit të Serbisë në Jugosllavinë e dikurshme. Sikur Evropa dhe Amerika të mos e dinin pasojën e këtyre iniciativave, ndoshta do të kishin një qasje përkrahëse në Ballkanin e Hapur. Por jo. Brukseli, Uashingtoni, Berlini, Londra shohin përtej perdes ku darkojnë dhe bujnë Aleksandër Vuçiq dhe Aleksandër Soros. Ata e dinë se çfarë fshihet prapa farsës së katër lirive dhe marrëveshjeve të mirëkuptimit midis Vuçiq, Ramës dhe Zaev.

Për të mos e dhënë veten Brukseli dërgon nganjëherë ndonjë zyrtar të saj në këto takime. Kësaj radhe në Tiranë do të jetë komisioneri për zgjerim. Por duket se ai do të marrë pjesë si vëzhgues, ose si person fakt-mbledhës. Ndërkohë që prania e tij do të interpretohet si përkrahje e BE-së. Po ashtu amerikanët e vëzhgojnë lëvizjen në fjalë nga larg, me doza të mëdha skepticizmi. Ata nuk e denoncojnë atë, por venë si kusht pjesëmarrjen e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por ama nuk kemi dëgjuar që ndonjë nga evropianët apo amerikanët t'i bëjnë presion Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për t'u bërë pjesë e Open Balkan. Edhe në Mal të Zi e Bosnjë-Hercegovinë nuk ka një presion të tillë. Ndërkohë që presidenti i Maqedonisë së Veriut iu shtua aktorëve kundër Open Balkan.

Është e habitshme se si Ballkani i Hapur nuk po merr përkrahje, po të kemi parasysh lobimet e fuqishme dhe angazhimin ekstrem të Edi Ramës, Aleksandër Soros dhe Aleksandër Vuçiq për ta pranuar atë si një asociacion rajonal-ndërkombëtar! Miliona dollarë amerikanë dhe euro janë vënë në dispozicion të këtij lobimi e megjithatë nuk ka ngjit kjo iniciativë, edhe pse ka hyrë në tre vjetorin e saj. Kjo ndodh, sepse dyshimet janë të mëdha. Sepse pas kësaj iniciative vjen destabilizimi dhe pasiguria. Kjo ndodh, pasi që një Serbi dominuese në Ballkan do të thotë edhe një Ballkan të zjarrit e barutit. Historia është e tillë: Kështu ka qenë së paku prej mesit të shekullit XIX e këtej e sidomos prej Luftërave Ballkanike e deri më sot! Prandaj humbi gjithashtu ekuilibri i paqes, të cilën Edi Rama deshi ta realizonte direkt me Aleksandër Vuçiq në dëm të vetëm interesave të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë, por edhe të interesave euro-amerikane të stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajonin tonë.

Një aventurë e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb midis Tiranës dhe Beogradit, kur në mes të këtij konflikti qëndron gjakderdhja në Kosovë, çoi gjithashtu në tensionimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Tiranës! Gjithçka shkoi për ters, sepse Serbia nuk ka ndryshuar gjeostrategji dhe se Edi Rama deshi të bëhej me medaljen e çmimit Nobel. Por tahmaja e madhe të le pa gjë! Prandaj dhe ndryshimi po vjen. Ka mbërritur që më 14 shkurt 2021 në Kosovë. Do vinte në Shqipëri më 25 prill, nëse nuk do të ishte në mes çështja afgane. Po mbërrin në Serbi me ato që po shohim çdo ditë. Koha nuk punoi për një aleancë të vëllazërim-bashkimit midis Shqipërisë dhe Serbisë! Sot nis edhe stina e protestave në Tiranë. Madje e para protestë me fokus kundër Open Balkan!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat