A duhet të ndjejmë keqardhje e mëshirë për Elsa Lilën?

Opinione

A duhet të ndjejmë keqardhje e mëshirë për Elsa Lilën?

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 17 mars 2022 Në ora: 09:57
Elsa Lila

Arrestimi ditën e djeshme nga Policia italiane i këngëtares së njohur në Shqipëri dhe Itali, Elsa Lila, për pjesëmarrje në një rrjet trafikimi drogërash, pas befasisë, ka hapur një debat masiv edhe në facebook. Debati është përqëndruar kryesisht rreth arësyeve të implikimit apo viktimizimit si dhe formave të përjetimit të veprimit të saj. Është e logjikshme dhe e justifikueshme që shumica e dënojnë dhe nuk e justifikojnë, kapur sidomos tek mosha e Elsës, tani rreth 41 viteve, tek zhgënjimi që u ka shkaktuar, kur përgjithësisht shumica e pëlqenin dhe e donin si fytyrë, zë, imazh...E mirënjohura Elona Caslli, unë dhe disa të tjerë, pa e justifikuar për papjekurinë dhe veprimin e saj antiligjor, deri kriminal(edhe pse akoma pa u shprehur përfundimisht drejtësia italiane), kemi shprehur edhe keqardhe e mëshirë për Elsën. Njëkohësisht, kemi bërë thirje që kjo ngjarje jo e këndshme dhe hidhëruese të mos shikohet vetëm nga ana faktike e ligjore, por edhe ajo individuale, familjare, njerëzore, sociale...Por, edhe duke kujtuar se jemi njerëz e se nuk ka njeri, që nuk gabon, lehtë apo rëndë, qoftë edhe vetëm një herë në jetë.

Sinqerisht, unë personalisht, me apo të drejtë, ndjenj keqardhje dhe mëshirë për Elsën, shumëfish e pafat, sidomos në gjirin dhe jetën familjare! Goditja e djeshme, prangosja dhe dënimi i mundshëm e i pritshëm nga gjykata italiane,(mos qoftë i rëndë) me shumë gjasa do të jetë shkatërrues për atë! Natyrshëm brufullojnë apo shperthejnë pyetjet: Si dhe pse arriti në këtë ditë Elsa Lila, që më 2007 pati fatin, nderin, meritën... të ngjitej deri në skenën e Festivalit prestigjioz të San Remos? Përse u fut ë këtë llumë e rrugë? Fatalitet nga lindja, fëmijëria, adoleshenca...,nga dështimet në karrierën muzikore? E detyruar nga ambicjet e tepruara për një jetë princeshe apo diveje apo nga lidhjet me një rreth shoqëror kriminal? Viktimë e pasqyrës, e mërzisë dhe keqardhjes prej pamjes së përditshme, duke i ikur rinia, freskia, bukuria e moshës 18-30 vjeçare? Për të gjetur përgjigjet e sakta të këtyre pyetjeve është mirë të hyjmë në mendjen, gjendjen dhe nën lëkurën e saj, për të njohur arësyet apo rrethanat se përse u lidh me atë grup trafikantësh...Për kënaqësi, pasion, aventurë, sport... nuk e ka bërë. Natyrisht, nuk e justifikoj që u fut në atë rrjet dhe në atë tregti kriminale, por, më vjen keq si njeri, sidomos edhe për fatkeqësitë e mëhershme që ka përjetuar nga dramë- tragjedia familjare me të ëmën e të tjera...

Dramën e Elsës e analizoj nga prizmi vetëm human. Jam i bindur se më shumë e kanë tërhequr me një rreng apo kurth në këtë llumë dhe nuk është futur me dëshirë të flaktë për t’u bërë milionere apo wip-e. Nuk duhej ta bënte këtë kurrësesi, tani kur është 41 vjeçe, por ajo i di më mirë se ne të gjithë arësyet, motivet dhe rrethanat përse u fut në atë rreth dhe trafik kriminal. Tani e pësoi keq dhe me shumë gjasa do të vuaj gjatë.

Sa për këndvështrimin politik të dramës dhe animit të saj majtas për nga bindja, me fakte të paharrueshme futjen e saj në çadrën e grevistëve edramistë “të urisë” me barqet dhe stomakët plot dhe me fotografinë me duart dhe gjoksin në qafën e Edi Ramës, nuk kam asnjë rezervë e kundërshtim ndaj bindjes së atyre që nuk ia falin këtë dhe e dënojnë për këtë shërbim që i bëri PS-së, Edi Ramës dhe rikthimit të tyre në pushtet.... Duke u zgjeruar në këtë këndvështrim, mund të shtoj se "e majta", duke filluar me Enver Hoxhën, me maskarralliqet që ka bërë më 1932- 1934 në Montpelier në Francë dhe Bruksel në Belgjikë apo në Korçë, nëpër çadra me Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën dhe duke arritur te enveristo-edramistët e sotëm, e kanë traditë mbi 80 vjeçare implikimin në bisnese dhe veprimtari të pista, kontrabande, morale, kriminale...! Në këta 31 vjet, sidomos në këta mbi 8 vjet të Edi Ramës, kanë këputur çdo fre e janë bërë të papërmbajtur. Kjo vërtetohet nga analiza se në burgje për drogë shumica janë ish ministra, zyrtarë, policë, doganierë..., me origjinë, përkatësi dhe bindje politike "majtas", plot me njohje, lidhje, bashkëpunime dhe fotografi pesonale me Edi Ramën...Dje këtij kontigjenti në masivizim iu shtua Elsa Lila. Si këta, që e përbëjnë këtë kontigjent, janë nëpër zyra të tri niveleve të qeverisjes së Ramës edhe plot të tjerë...Sepse Rama- rilindja është e bindur se mund ta mbajë pushtetin edhe më gjatë duke u miliardizuar me rrugë e biznese të pista... Gjithsesi, subjektivisht, Elsës, duke ia njohur vuajtjet e fatit familjar dhe adoleshencës, "ia harroj" partishmërinë majtas dhe dramën e saj e shikoj të çveshur nga politizimi. Ndryshe nga sa me Ermal Hoxhën, Saimir Tahirin, e tj., ndjenj keqardhje për Elsën si njeri që gaboi rëndë( pa e falur për këtë gabim), që ra viktimë e vetvetes, e një apo disa lidhjeve ose rrethave të rastësishme... Apo e një intrige nga një njeri, të cilit i ka besuar dhe shkuar pas me naivitet...E përsëris, nuk e justifikoj, e dënoj Elsën 41 vjeçare! Jam i bindur se e kam gabim dhe nuk e meriton, por, nuk e kam të lehtë ta largoj keqardhjen për atë, sidomos kur mendoj dhe dëshiroj që dënimi i saj të mos ia nxijë jetën edhe të bijës!!!Njëkohësisht e përgëzoj policinë italiane, që po prangos plot "miq" të Edi Ramës në parti, qeveri, bashkira, fotografi...Referuar kësaj dukurie në masivizim i ftoj enveristo-edramistët në PS si dhe në institucionet qeveritare e shtetërore, sidomos ato të SPAK-,ut, të ndjejnë përgjegjësi, shqetësim dhe të bëjnë reflektim dhe hetime për këtë dukuri me shumë raste jo të rastësishme!

Tani Elsa Lilën më shumë mund ta ndihmojë Zoti, duke i gjetur një avokat të mirë dhe një trupë gjykuese, që duke shfrytëzuar hapësirat ligjore lehtësuese mund të tregojë ndjeshmëri e dhembshuri për fatin dhe jetën e saj!!! Edhe një herë, jo për t’iu kundërvënë miqve që mendojnë dhe ndjejnë ndryshe nga unë, Elona Caslli e të tjerë: mëshirë për Elsën, viktimë e fatit, e rastit, e një gabimi, e familjes, rrethit shoqëror, vetvetes...Por, edhe e miqësisë dhe lidhjes me një TERS të madh si Edi Rama, siç shprehet bukur publiçisti i mirënjohur Adriatik Riza Dosti, në përmbyllje të komentit të tij të djeshëm në facebook...! Iu bëftë mësim i përjetshëm ky pësim i rëndë dhe dënimi i mundëshëm, i merituar, Elsa Lilës dhe të tjerëve apo të tjerave, që mendojnë apo mund të jenë futur në këtë rrugë e në këtë biznes kriminal!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat