Pse spekulon Ramush Haradinaj!?

Opinione

Pse spekulon Ramush Haradinaj!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 31 mars 2022 Në ora: 16:30
Ramush Haradinaj

Janë puro spekulime politike të z. Ramush Haradinaj (në vijim: RH), deklaratat e tij të përsëritura në tri vitet e fundit, se gjoja marrëveshja me Malin e Zi (në vazhdim: MZ) për kufijtë, ende nuk është përfundimtare, kur të njëjtën marrëveshje të nënshkruar në Vjenë të Austrisë me 26 gusht 2015 nga Hashim Thaçi dhe Skënder Hyseni, mbase edhe nga Isa Mustafa, e hartuar dhe e përgatitur nga komisioni i Murat Mehës, me të cilën MZ do i falën mbi 8260 hektarë toka të trevës së Rugovës, vetë RH do e sjellë për ratifikim në Kuvend me 21 mars 2018.

Ngase, siç dihet RH bashkë me deputetët e LVV-je e ka kundërshtuar fuqishëm të njëjtën, duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, siç i ka sjellë me “forcë” në sallën e Kuvendit 220 mijë nënshkrime të Peticionit kundër kësaj marrëveshjeje, por me t’u bërë kryeministër i Kosovës këtë marrëveshje do e sjellë me dorën e vet në Kuvend për ta futur në rendin e ditës..!?

Është shumë thjeshtë të kuptohet, se pse RH e bënë këtë metamorfozë politike në qëndrimet e tij kundrejt kësaj marrëveshjeje antikombëtare, pra nga kundërshtues, bëhet argat miratues i saj në Kuvend, por tani nga posti i kryeministrit, meqë si naiv politik që është, besonte se me votimin e kësaj marrëveshjeje, BE-ja gjoja do ia hiqte vizat Kosovës, kurth në të cilën i pari ka rënë RH, kur disa ditë pas ratifikimit të saj në një intervistë televizive qytetarëve të Kosovës do ua uron heqjen e vizave, por të cilat siç dihet, Kosovës as pas 4 viteve nuk i janë hequr..!?

Por, ajo që më së shumti i neveritë qytetarët e Podgurit, Dukagjinit dhe Rugovasit, është fakti se RH vazhdon të spekulon qe tri vite publikisht, kur thotë se marrëveshjes së komisionit të Murat Mehës ai ia ka bashkangjitur edhe dy dokumente shtesë, të gjeturat në Raportin e kryetarit të komisionit, Prof. Shpejtim Bulliqit, si dhe deklaratën e dy ish presidentëve, atij të MZ, z. F. Vujanoviç dhe të Kosovës, H. Thaçit, ngase edhe juristi më i dobët e dinë, se sipas normave juridike nuk ka ligj në botë, për çfarëdo marrëveshje qoftë, i cili mund të miratohet dhe ratifikohet me dokumente shtesë, sepse ato nuk mund të jenë pjesë integrale e ligjeve, por as dokumente ndihmëse-udhëzuese, meqë askund nuk e gjen një praktikë të këtillë juridike, që ligjet e çfarëdo lloji Kuvendi t’i miraton bashkë me shtojcat, sepse nuk janë pjesë e tekstit të ligjeve.

Prandaj, nuk është e vërtetë se marrëveshja për demarkacionin me MZ në formën e tanishme mund të ndryshohet, derisa 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e kanë ratifikuar atë me ligjin Nr.: 06/L-060.

Image
Harta

Ja çfarë thotë lidhur me këtë marrëveshje Prof. Florim Isufi, anëtar i ish komisionit “Bulliqi”; “Askush më nuk mund të bisedojë me Malin e Zi nëse duhet të bazohet në raportin e gjetjeve, sepse aty janë gjetjet që duhet përmirësuar, e pala malazeze nëse nuk pranon, është vështirë që të përmirësohen. Vija kufitare nuk mund të përcaktohet ose nuk mund të shënjohet, nëse nuk janë dy palët dakord. Kjo mbetet si rrugë qorre në të ardhmen derisa të krijohen komisionet”.

Pra, po të mos ishte kështu, nuk do kishin reaguar publikisht para pak ditësh kryeministri malazez në detyrë, B. Krivokapiç dhe presidenti M. Gjukanoviç, ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti, i cili para mediave tha se çështjen e demarkacionit me MZ do ta shqyrton me qeverinë e re, posa në krye të saj të vije Dritan Abazoviçi.

Kështu që, z. Haradinaj mbetet përgjegjësi kryesorë, i cili me 21 mars 2018, marrëveshjen në fjalë e solli për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, e cila u votua me 80 vota Pro dhe 11 kundër, mbase opinioni e mbanë mend fort mirë se çfarë presioni të tmerrshëm iu ka bërë Isa Mustafa deputetëve të LDK-së gjatë tri viteve sa ishte kryeministër që këtë marrëveshje ta sillte në Kuvend për ratifikim, por ishin deputet e VV-jes dhe AAK-së ata të cilët nuk e lejonin që ta bënte një gjë të tillë, duke e pamundësuar ratifikimin e saj me hedhje të gazit lotsjellës në seancat ku pritej që marrëveshja për demarkacionin me MZ të hynte në rendin e ditës.

Image
Rugovasit

E vetmja mundësi për rishikimin e kësaj marrëveshjeje të tradhtisë së madhe kombëtare, me të cilën Kosova i humbi mbi 8260 hektarë toka në trevën e saj më të bukur, siç është Rugova me Shtedim, është formimi i komisionit të ri për çështjen e kufijve, i cili bashkë me komisionin e palës malazeze, ashtu siç qëndron edhe në deklaratën e dy presidentëve, duhet ta bëjnë korrigjimin, jo ashtu siç po thotë RH vetëm në dy drejtime, Kullë dhe Çakorr, por të korrigjohet i gjithë kufiri i “ri”, i zhvendosur nga komisioni i M. Mehës brenda territorit të Kosovës deri në 7 kilometra, siç e tregojnë këtë qindra harta, duke e rikthyer atë në vijën kufitare të vitit 1974, ku edhe ishte që nga viti 1945.

Përndryshe, çdo veprim dhe vendim tjetër do jetë i pavlerë dhe i papranueshëm për banorët e trevës së Rugovës, Podgurit dhe Dukagjinit, por edhe popullin e Kosovës, i cili me gjak i ka larë kufijtë e saj që nga viti 1844 dhe deri në qershor 1999..!?

Mjerisht, me mijëra banorë të trevës së Rugovës, Podgurit dhe Dukagjinit gjithnjë e kanë kundërshtuar me të gjitha mjetet demokratike aprovimin e kësaj marrëveshjeje përmes qindra tubimeve dhe protestave, kërkesave zyrtare drejtuar organeve dhe ish qeverive të Kosovës, por ato thirrje asnjëherë nuk u dëgjuan dhe as nuk u morën në shqyrtim, thjesht për shkak të interesave personale të H. Thaçit, Isa Mustafës dhe në fund edhe të Ramush Haradinjat, të cilët për të qenë sa më gjatë në pushtet, shkelën brutalisht Kushtetutën e Kosovës, duke u falur fqinjëve tanë gllabërues tokat tona shekullore..!?

Kjo është e vërteta e demarkacionit me MZ, e jo deklaratat xhuxhe dhe antikombëtare të aktorëve, të cilët Kosovën e vendosën në tryezën e pazareve me armiqtë tanë shekullor, të cilët posa t’ua prekësh interesat e tyre nacionale, reagojnë menjëherë si ulkoja të çartura me deklarata kërcënuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve..!?

Image
Harta
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat