Qeveria shqiptare ta shfuqizoj Traktatin e Miqësisë me Rusinë dhe projektin e “Ballkanit të Hapur”

Opinione

Qeveria shqiptare ta shfuqizoj Traktatin e Miqësisë me Rusinë dhe projektin e “Ballkanit të Hapur”

Nga: Ruzhdi Peçani Më: 7 prill 2022 Në ora: 08:51
Ruzhdi Peçani

Fosilet e mëkateve të qeverive dhe të diplomacive shqiptare nuk duhët të qëndronin në vazhdimësi në dollapet e MPJ. Se nuk mund të rrinë gjithmonë të fshehura u dëshmua në Moskë në datën 26 Shkurt. Kur Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, hapi dollapin shqiptar të mëkateve skelete dhe hodhi në tavolinë fosilin, skeletin e Traktatit të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shqipërisë, të sigluar në Tiranë në 8 Dhjetor 2004. Shefi i diplomacisë ruse deklaroi në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin shqiptar se: “Në vitin 2004, kur sapo isha emëruar ministër i Jashtëm, kam bërë një vizitë në Tiranë, ku bashkë me ministrin e Jashtëm shqiptar Kastriot Islami ne sigluam Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit. Traktati që atëhere nuk është nënshkruar, por ai ekziston, është gati. Ne plotësisht mund ta vëmë atë në veprim”.

Qartazi ministri i Jashtëm rus zuri në befasi si vizitorin shqiptar, ashtu dhe qarqet diplomatike atlantike, të cilat duket kanë harruar se një shtet anëtar entuziast i NATO-s mban në dollapin shtetëror një Traktat Miqësie të sigluar me shtetin rus, të cilin NATO e klasifikon si kërcënim dhe rrezik për Perëndimin. Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shqipërisë është sigluar, që do të thotë se mban në çdo faqe të tij firmat e ministrave të jashtëm Sergej Lavrov dhe Kastriot Islami dhe nga pikëpamja diplomatike quhet punë e përfunduar midis Ministrive të Jashtme të të dy vendeve dhe pritej për nënshkrimin përfundimtar ceremonial të dy presidentëve ose dy kryeministrave. Traktati i sigluar me Rusinë nuk është thjesht histori, por është një fosil apo një litar nëpër këmbë, nga i cili qeveria dhe diplomacia shqiptare duhet të çlirohen, sepse është absurde që Shqipëria shtet anëtar i NATO-s të ketë një hipotekë të rëndë te Rusia.

plotë enigma edhe sot. Çështja diplomatike e Traktatit të Miqësisë midis Rusisë dhe Shqipërisë, që Ministria e Jashtme e Shqipërisë e firmosi me aq mendjelehtësi dhe nonshalancë në vitin 2004. Propozimin për Traktatin e Miqësisë e kishte bërë Rusia, dhe Shqipëria u tregua e gatshme ta nënshkruante. Shqipëria pranonte një Traktat Miqësie me Rusinë, në kohën kur ishte shteti i parë ish-komunist, i cili zyrtarisht kishte aplikuar për t’u anëtarësuar në NATO. Në vitin 1994 Shqipëria ishte anëtarësuar në programin e NATO-s “Partneritet për Paqe”. Në prill 1999 Shqipëria nga NATO kishte marrë MAP-in, “Plani i Veprimit për Anëtarësim”. Në vitin 2002 në Shqipëri ishte vendosur te Zyra e NATO-s. Dhe megjithë këtë kurs të intensifikuar zyrtar drejtë anëtarësimit në NATO,– qeveria e Tiranës në anën tjetër siglonte Traktatin e Miqësisë meRusinë.

Çfarë tërheq vëmendjen?

Për arsye jo shumë të qarta ishte një ngutje e pazakontë nga qeveria e Shqipërisë për t’i ngritur marrëdhëniet me Rusinë në nivelin më të lartë juridik e kontraktual.

Që të kuptohet më mirë kjo ngutje e qeverisë së Shqipërisë, përmendim se Shqipëria e sigloi Traktatin e saj me Rusinë 9 vjet përpara se Serbia ta nënshkruante Traktatin e Miqësisë midis Rusisë dhe Serbisë në vitin 2013. Vrapi diplomatik shqiptar drejt Rusisë ishte më i shpejtë se i Serbisë. Ngutej edhe Rusia, ambasadori i së cilës në Tiranë, V. Tonkin, në takimin me kryeministrin Fatos Nano në 27.11.2003, ende pa u sigluar Traktati, i bënte ftesën kryeministrit shqiptar që të shkonte në Moskë për të nënshkruar Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve.

Shqipëria siglonte Traktatin e Miqësisë me Rusinë kur po nisnin bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ku Rusia ishte aktori kryesor pengues. Rusia kishte mbështetur agresionin kriminal të Serbisë së Millosheviçit kundër Kosovës. Rusia kishte dalë kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Rusia kishte vënë veton për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB për ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare në Serbi, të propozuar nga Perëndimi për të ndalur agresionin serb dhe spastrimin etnik në Kosovë.

Megjithë këta faktorë e rrethana armiqësore të shtetit rus, që e bënin absurd pranimin e çdo propozimi për Traktat Miqësie me Rusinë, qeveria e Shqipërisë shkoi deri në siglimin e Traktatit midis dy ministrive të Jashtme. Për mjerimin e shtetit dhe të diplomacisë shqiptare nuk iu vu asnjë kusht dhe nuk iu kërkua asgjë Rusisë në tavolinën e tratativave si shkëmbim për këtë lëshim të jashtëzakonshëm me Traktatin. Nuk iu kërkua mbështetje për pavarësinë e Kosovës. Në fillim të vitit 2005 në një analizë me titull “Kosova dhe Traktati me Rusinë” ishte shkruar lidhur me këtë çeshtje: “Shqipëria për Traktatin mund dhe duhet t’ia vë kusht Rusisë mbështetjen për çështjen e Kosovës. Përndryshe, një Traktat me një shtet si Rusia, që nuk ka dhënë gjatë historisë së vet cariste, komuniste e demokratike, asnjë provë miqësie ndaj shqiptarëve si komb dhe si shtet, nuk do t’i hynte në punë askujt”. (Libri “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës”, 2007, fq. 54.)

Siglimi i një Traktati Miqësie midis Shqipërisë dhe Rusisë hap një pikëpyetje të madhe historike mbi qeverinë dhe mbi diplomacinë e Shqipërisë, pikëpyetje e cila tani për tani ka vetëm një shpjegim: ndikimi i lobit rus në qarqet qeveritare dhe diplomatike shqiptare. Dramaticiteti i çështjes nuk ka të bëjë vetëm me aktin e gabuar të pranimit të Traktatit të Miqësisë. Dyshime të mëdha ngjall përmbajtja e këtij Traktati Miqësie të sigluar me Rusinë, i cili tregonte një përpjekje ruse për neutralizimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe një neglizhim të interesave jetike atlantike dhe perëndimore të vendit. Burime kompetente të MPJ të Shqipërisë bëjnë të ditur se në nenin 1 të këtij Traktati Shqipëria dhe Rusia shpallin se e konsiderojnë njera-tjetrën shtete mike.

Vështirë të gjesh enigmën e këtij detyrimi kontraktual të Shqipërisë ndaj Rusisë. Sipas burimeve të mësipërme të MPJ të Shqipërisë, neni 3 i Traktatit me Rusinë kërkon që secila palë nuk përdor vetë dhe nuk lejon që territori i saj të përdoret për qëllime agresioni ose veprime të tjera armiqësore kundër palës tjetër. Madje neni 3 kërkon që në rast se një nga palët bëhet objekt sulmi të armatosur, pala tjetër nuk i jep agresorit asnjë lloj ndihme ushtarake ose të ndonjë lloji tjetër.

Ishte vështirë të gjesh nen dhe formulim më skandaloz, i cili haptazi ndalonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Është një nen bllokues, të cilin Rusia e ka vendosur si kusht në traktat pikërisht për të shfuqizuar veprimin e nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s, sipas të cilit sulmi kundër një shteti anëtar është sulm kundër të gjitha shteteve anëtare. Shqipëria, e cila ishte në prag të anëtarësimit në NATO, i dorëzonte juridikisht Rusisë të drejtën që të refuzonte dhe të ndalonte NATO-n të përdorte territorin shqiptar në rastin e një konflikti të saj me Rusinë. Publikisht Moska nuk kishte dalë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por me nenin e mësipërm të Traktatit të Miqësisë shvleftësonte çdo lloj anëtarësimi të Shqipërisë në NATO.

Nëse ky traktat miqësie do të ishte nënshkruar, do ta bllokonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sepse Aleanca Atlantike nuk mund të pranonte anëtar një shtet, i cili kishte marrë detyrimin juridik ndaj një pale të tretë për të mos lejuar NATO-n të përdorë territorin e atij shtetinë rast konflikti me Rusinë. Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov u ishte treguar i kursyer dhe nuk nxorri skeletin tjetër të dollapit të qeverisë dhe të diplomacisë shqiptare, që janë bashkëpunimi ushtarak dhe marrëveshja ushtarake me Rusinë. Sipas burimeve të MPJ të Shqipërisë neni 6 i Traktatit midis Shqipërisë dhe Rusisë theksonte se palët ndërmarrin hapa për vendosjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake.

Pra Traktati sanksionon bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën ushtarake, gjë që krijonte hapësirë për prani dhe rol ushtarak të Rusisë në Shqipëri. Ministri i jashtëm rus Lavrov zbuloi diçka më shumë në datën 8 Dhjetor 2004, kur në konferencën e përbashkët të shtypit në Tiranë me homologun shqiptar pas siglimit të Traktatit, deklaroi se “pala shqiptare po konsideron propozimet tona për bashkëpunimin ushtarako-teknologjik. Ka interesa nga pala shqiptare, kontakte midis strukturave përkatëse dhe ka një draft-marrëveshje për bashkëpunimin ushtarak, i cili është përgatitur nga Rusia në përputhje me kërkesën e Shqipërisë”. Asnjëherë qeveria dhe diplomacia shqiptare nuk e sqaruan se çfarë është kjo marrëveshje ushtarake shqiptaro-ruse dhe cilat janë interesat e Shqipërisë për këtë bashkëpunim ushtarak, të cilat Tirana ia ka kërkuar Moskës që t’ia shkruajë pala ruse. Kjo do të thotë që bisedimet e dy ministrive të Jashtme për Traktatin e Miqësisë kanë pasur disa aspekte të panjohura për publikun shqiptar dhe që implikojnë interesa jetike të shtetit tonë.

Pyetja e madhe pa përgjigje, që del nga çështja e Traktatit të Miqësisë me Rusinë është se përse qeveri të e Shqipërisë nuk e shfuqizuan atë traktat pas anëtarësimit të vendit në NATO. Statusi dhe detyrimet e Shqipërisë si anëtare e NATO-s janë krejt në kundërshtim me angazhimet dhe detyrimet, që Shqipëria merrte në Traktatin e Miqësisë me Rusinë. Qeveritë shqiptare e futën skeletin në dollap dhe në mënyrë të gabuar gjykuan se duke e lënë në dollap, ai do të harrohej. Qeveritë dhe diplomacia shqiptare harruan se çdo projektmarrëveshje e sigluar ose e rënë dakord midis dy ministrive të Jashtme, pavarësisht se sa thellë dhe sa kohë e ke lënë në sirtar, është me motorr në gjendje pune, nëse palët nuk e kanë shfuqizuar, dhe mbetet si një precedent për qeveritë dhe diplomacitë pasardhëse.

ËShtë kërkuar disa herë edhe në rrugë zyrtare, dhe në rrugë publike, që Traktati i sigluar me Rusinë duhet të shfuqizohet dhe me paralajmërim, se ekziston rreziku që dikush në Moskë apo në Tiranë mund të përpiqet në të ardhmen ta rivitalizojë Traktatin. Në një analizë të botuar në maj të vitit 2013 është shkruar nga autori: “Nuk e di nëse në qeverinë e Shqipërisë ka ende zyrtarë të çmendur, që mendojnë të realizojnë Traktatin e dyshimtë të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit mes Rusisë dhe Shqipërisë, i cili është sigluar në vitin 2004 dhe i cili ndodhet në frigoriferin e diplomacisë shqiptare, me rrezikun për t’u servirur kur kushtet do t’ua mundësojnë”. (Libri “Rusia ballkanike”, 2014, fq. 295).

Realizmin e këtij paralajmërimi e vërtetoi kërkesa publike pas 16 vitesh e ministrit të Jashtëm rus në 26 Shkurt 2020 në Moskë drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, kur i tha se “Traktati është gati dhe ta vëmë në veprim”. Nga pikëpamja diplomatike dhe juridike, përderisa pala shqiptare e mban në frigorifer, do të thotë që ai është produkt që mund të përdoret, nëse palët bien dakord. Nga kjo premisë janë nisur të gjithë ambasadorët rusë në Tiranë, që njëri pas tjetrit gjatë 16 viteve kanë bërë presione të vazhdueshme mbi qeverinë dhe mbi diplomacinë shqiptare për të nënshkruar përfundimisht Traktatin e sigluar të Miqësisë.

Nja dy ministra të Jashtëm filorusë të MPJ të Shqipërisë kanë qenë të gatshëm që të nënshkruhej, edhe pasi Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, madje përqafuan edhe sugjerimin e ri rus që vetëm të nënshkruhej, pa le t’i vendosnin emrin “Deklaratë” në vend të fjalës “Traktat”. Falë frikës nga NATO, Tirana nuk guxoi të ndërmerrte hapin aventuresk të nënshkrimit të Traktatit me Rusinë, ndonëse në mënyrën më të habitshme ai u la efektiv në frigoriferin diplomatik.

Skelete të tilla të rrezikshme si Traktati i sigluar i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Rusisë jo vetëm nuk duhen mbajtur në dollapet qeveritare dhe diplomatike, por duhen flakur jashtë konservimitmenjëherë.Për rrethanat aktuale të krijuara, agresionit rus në Ukrainë, kur edhe Ballkani Perëndimor mund të trazohet, kur Serbia në vazhdimësi kërcënon Kosovën me një agresion, dhe tjetra se Rusia ka futur edhe Shqipërinë në vendet jo mike, lexo armike, Këshilla për qeverinë e Shqipërisë dhe për kryeministrin Edi Rama do ishte që ta shfuqizojë një orë e më parë këtë Traktat të sigluar para 16 vitesh, duke dërguar një notë të qeverisë shqiptare në adresë të qeverisë ruse se për shkak të vjetërimit nga koha dhe për shkak të ndryshimeve, që kanë ndodhur në arenën ndërkombëtare, Traktati i sigluar në vitin 2004 konsiderohet i pavlefshëm dhe nul në marrëdhëniet midis dy shteteve.

Historia përsëritet: Nga Federata Ballkanike tek “Open Ballkan”

Kur nga historia nuk nxirren mësime nga gabimet, historia përsëritet, dhe përsëritja ndodhë, është normale. E rëndësishme është që të kesh nxjerrë mësimet e duhura prej së kaluarës, të kesh nxjerrë gabimet që janë bërë në mënyrë që të mos përsëriten më, prandaj dhe shpesh thuhet shiko të kaluarën, për të parë me objektivitet të ardhmen. Nëse nuk kemi nxjerrë mësime nga e kaluara, gabimet e bëra dikur, mund ti përsëritësh duke sjellë pasoja negative, edhe më të mëdha për ekonominë dhe popullin tënd. Një nga këto marrëveshje që kërkohet të përsëritet, është i ashtuquajturi “Open Ballkan”. “Open Ballkan” është një Marrëveshje që kërkohet të realizohet midis ish- Republikave të RFSJ dhe Shqipërisë. Kjo Marrëveshje e shekullit të 21, me gjithë veçoritë e saj në kontekstin kohor, hapësinorë e teknologjik është e ngjashme si dy pika uji me Marrëveshjet e lidhura nga Shqipëria me RFSJ në vitin 1946.

Në Marrëveshjen e 1946, RFSJ përbëhej nga Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bosnjë-Herzegovina, Mali Zi dhe Maqedonia, me dy krahina autonome Kosovën dhe Vojvodinën. Sot, 75 vjet më vonë, në vitin 2021, kjo Marrëveshje e re, e quajtur Minishengen, përfshin ish Republikat e RFSJ-së, Serbinë, Maqedoninë, Bosnjë Herzegovinën dhe Malin e Zi. Nuk përfshihen Kroacia dhe Sllovenia që shtrihen në Ballkanin Perëndimor, nuk përfshin Kosovën si Republikë e njohur nga mbi 100 shtete. Serbia e ka në Kushtetutë si pjesë të saj, si provincë autonome, njësoj si Vojvodinën. Në Artikullin 182 thuhet: “In the Republic of Serbia, there are the Autonomous Province of Vojvodina and the Autonomous Province of Kosovo and Metohija. The substantial autonomy of the Autonomous province of Kosovo and Metohija shall be regulated by the special laë ëhich shall be adopted in accordance ëith the proceedings envisaged for amending the Constitution.”

(Në Republikën e Serbisë, ekzistojnë Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë. Autonomia thelbësore e krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë rregullohet me ligj të veçantë i cili miratohet në përputhje me procedurat e parashikuara për ndryshimin e Kushtetutës”). Marëveshja “Open Ballkans ishte një inkursion i bërë ndaj Kosovës.Dhe për këtë marrëveshje i drejtohem kryeministrit shqiptar ta flakë marrëveshjen “Open Ballkan” si të shkruar po dhe ta heqi edhe nga mendja. KRYEMINISTRI Rama duhet të kuptoj tani se një konflikt apo agresioni serb në Kosovë Serbia synon një konflikt shqiptaro serb!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat