Dorëheqja e Bashës ka krijuar vakum politik - Ndryshimi që ai nisi kërkon rikthimin e tij

Opinione

Dorëheqja e Bashës ka krijuar vakum politik - Ndryshimi që ai nisi kërkon rikthimin e tij

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 5 shtator 2022 Në ora: 09:15
Skënder Sadri Kapiti

Ky shkrim vlen edhe si sqarim për disa nga ata që më pysnin se cfarë është “imperativi i kohes” që unë e kam shkruar më parë në një shkrim me Titull: Lulzim Basha “imperativ i kohës”. Ata po ta kishin lexuar atë shkrim nuk do më pyesnin, sepse ai shkrim ka të sqaruar e të argumentuar shume mirë atë titull shkrimi.

Nëse konsolidohet dhe mirëfunksionojnë ligji dhe demokracia në një shtet,atëhere demokracia nuk do të kishte nevojë për heroj, sepse: kur demokracia mirefunksionon parimisht e moralisht si  dhe ligjerisht e lirisht atëhere ajo është vetë vlera, vetë virtyti dhe vetë më e mira si qeverisje. 

Mirëpo kur kjo nuk ndodh atëhere demokracia ka nevojë për reformatorë politik, sic kërkon reforma dhe reformatorë demokracia në Shqipëri,e që unë si reformatorin e duhur të kohës  kam thënë se ai është Lulzim Basha.

Gjithmonë reformat, reformatorin dhe të renë e sulmojnë e vjetra dështake ,fanatizmi, egoizmi, injoranca e korrupsioni të cilët veprojnë si reaksion regresiv. Kjo po ndodh në Shqipëri ku elita e vjetër e gjitha është turrur verbërisht kundër Bashës.

Demokracia shqiptare nuk ka arritur  akoma që të konsolidojë veten e saj.

Ajo u kap nga korrupsioni, nga armiku dhe nga kërcënuesi më i madh i saj, demokracia u kap nga korrupsioni i elitës së keqe politike që e  polli tranzicioni dhe që shqiptarët nuk po mundin akoma që ta heqin qafe.

Basha ishte i vetmi politikan si lider i Partisë kryesore politike i cili e kishte kuptuar domosdoshmërinë për largimin e gjithë kësaj elite të dëmshme politike në Shqipëri, si një  nevojë jetike që i hapte rrugën zhvillimit gjithëpërmasor të shtetit e të shoqërisë shqiptare. Këtë gjë e kishin kuptuar dhe pikasur edhe SHBA-të te Basha, të cilat e mbështetën hapur dhe fuqishëm Bashën në misioni e tij.

Mirëpo korrupsioni,paraja, mediat dhe paligjshmëria  e hajnja u bënë bashkë kundër tij, ashtu sikurse u bënë bashkë po këto edhe para ca vitesh për ta penguar Veting-un në drejtësi, por që SHBA me aleatët e saj e detyruan me zor politikën shqiptare që në parlament ta miratonin Vetting-un, ashtu sikurse pritet që ato që kishte kërkuar edhe Basha më parë: dekriminalizimin dhe dekomunistifikimin e politikës,dhe këtë tani të bëjë parlamenti shqiptar me këmbënguljen po të SHBA-ve.

Kjo duhet e do të ndodhë sepse mëncuria demokratike në Shqipëri nuk është cliruar akoma nga vargojt e ishkomunizmit, as nga injoranca dhe as nga korrupsioni; kjo sepse korrupsioni është shtrirë gjërë e thellë dhe e ka sëmurë e infektuar edhe shoqërinë në tërësi dhe jo vetëm institucionet shtetërore, mediat dhe shoqërinë civile.

Pas zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 Marsit 2022, të cilat Partia Demokratike i humbi  si pasojë e mobilizimit maksimal të të gjitha kapaciteteve dhe resurseve politike,mediatike, financiare, mashtruese dhe sidomos atyre korruptive të elitës së vjetër politike shqiptare, të Trekëndëshit të Bermudës Rama-Berisha-Meta, ishKryetari i Partisë Demokratike, z. Basha  dha dorëheqjen, kjo edhe për një arsye  tjetër pasi pati edhe disa deputetë karrieristë dhe proberishistë të fshehtë në grupin e deputetëve që mbështesnin Bashën e që shpërthyen kundër Bashës dhe iu bashkangjitën sinfonisë zhurmuese anti-Basha të foltores dhe kryetarit të saj.

Mirëpo që nga largimi i Bashës, i cili u largua për interesa të Partisë Demokratike, në interes të bashkimit të saj, për bashkimin të cilin e propagandonte me të madhe Berisha dhe besnikët e tij foltoristë, në fakt ndodhi e kundërta Partia Demokratike u perca akoma dhe  shumë e më tepër.

Pas kësaj ndodhi uzurpimi i Selisë së PD-së nga foltorja dhe u vetëshpall kryetar i PD-së Sali Berisha, të cilin e njohin për kryetar vetëm mediat mercenare e të korruptuara, pasi realisht deri sot është vetëm kryetar i foltores, përderisa këtë gjë, atë si kryetar nuk e ka njohur dhe nuk është shprehur akoma as gjykata me një vendim përfundimtar.

Që nga ajo kohë PD-ja dhe opozita shqiptare ka pësuar në dukje një dëm të madh, por në fakt ka një ndërgjegjsim jo vetëm nga antarësia e PD-së, por edhe nga publiku  i gjërë se largimi i përkohshëm i Bashës si kryetar i PD-së ka krijuar një vakum , një boshllëk të madh e të thellë politik, gjë e cila i ka shërbyer vazhdimit qeverisjes së regjimit të korrupsionit të Edi Ramës. Pas shpalljes së Berishës person non grata edhe nga Britania e Madhe, dhe pasi doli në dritë publikisht se ishpresidenti Meta ka qenë edhe spiun i sigurimit të shtetit, si dhe zbulimi e demaskimi publik e ndërkombëtar i politikës antipublike dhe  të superkorrupsionit të qeverisë Rama, publiku shqiptar sot po kërkon ndëshkimin e krimeve të komunizmit dhe dekomunistifikimin e Shqipërisë, po kërkon ndëshkimin dhe dënimin e korrupsionit; publiku po kërkon ndëshkimin, largimin  dhe dekriminalizimin e politikës së vjetër ; po kërkon dëbimin nga politika të e ishshërbëtorëve, spiunëve dhe të atyre politikanëve me rekorde krimi, korrupsioni dhe hajdutërie.

Pra, është bërë kauzë kombëtare largimi dhe ndëshkimi i elitës së vjetër politike shqiptare, gjë të cilën po e kërkon edhe opinioni demokratik dhe politika  e shteteve mike të Shqiptarëve, SHBA dhe vëndet e BE-së.

Pikërisht sot më shumë se kurrë publiku është ndëgjegjësuar se këto ishin vizioni dhe misioni  ishkryetarit demokrat Lulzim Basha,dhe prandaj  sot largimi i tij ka krijuar atë boshllëk të madh, por që ndryshimi dhe nevoja për të që ka Shqipëria kërkojnë rikthimin e Bashës.U desh dorëheqja e Bashës  në mënyr që opinioni i gjërë kombëtar të mësonte e të  kuptonte se cfarë i mungon dhe cfare duhet sot në politikë. Pra sot i mungon politikës, Basha, por që ai është imperativi i kohës, sic e kam theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm, e që këtë  imperativ do  po ua spjegoj atyre që më kanë pyetur se cfarë është ky imperativ politik. 

Unë po u them se ky imperativ i kohës së sotme është si një domosdoshmëri urgjente për më të mirën publike: për ndarjen e Shqipërisë nga tranzicioni, për të mirën publike, demokratike, zhvillimore dhe integruese, për clirimin e shtetit e të shoqërisë nga kthetrat e korrupsionit, krimit dhe vjedhjeve e zullumeve të tjera të politikës së vjetër,gjë të cilën e kerkojnë shqiptarët dhe që e mbeshtesin fuqishëm edhe SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat