Në asnjë vend tjetër në botë nuk ka si te ne në Kosovë, të keqtrajtohen dhe diskreditohen qytetarët

Opinione

Në asnjë vend tjetër në botë nuk ka si te ne në Kosovë, të keqtrajtohen dhe diskreditohen qytetarët

Nga: Adem Bytyçi Më: 11 shtator 2022 Në ora: 11:39
Autori Adem Bytyçi

Këto ditë kisha ardhur nga Gjermania për tu paraqitur për vazhdimin e afatit të pensionit kontributdhënës.

Akoma pa ardhur në Kosovë kisha dëgjuar për greva të punëtorëve të arsimit për rritje rrogash si dhe të punëtorëve të organeve komunale të administratës, por nuk do të kisha imagjinuar kurrë se qytetarëve nuk do tu lëshonin dokumente për realizimin e të drejtave të tyre themelore ligjore si në fushën e pensioneve dhe në aspekte tjera të drejtave të tyre kushtetuese dhe ligjore.

Personalisht u tmerrova kur para komunës dhe referentit për çështje të pensionisteve kontributdhënës dhe të pleqërisë shkruhej jemi në grevë!!!

Para këtyre institucioneve sorollateshin qytetarë të moshave të ndryshme nga të cilët kishte nëna tona të moshuara, gjyshe dhe gjysh të cilët pritnin për të marrë ndonjë dokument për rregullimin e çështjeve pensionale dhe në realizimin e të drejtave të tyre ligjore, por ktheheshin me duarthatë të indinjuar dhe shumë të rraskapitur pa marrë dokumente të cilat u duheshin.

Pavarësisht nëse fajtore është Qeveria apo Sindikata, kështu nuk u shkelen të drejtat qytetarëve as në shtetet më totalitare të Botës si në Koren Veriore etj.

Shpresoj që sa më parë të ndërpriten grevat në mënyrë që qytetarët e pafajshëm mos të bien viktimë të këtyre grevave dhe raporteve absurde në mes të Sindikatave dhe Qeverisë.

Në këto rrethana kaq absurde ekonomike, sociale dhe politike për fat të keq nuk kanë si mos ta lëshojnë vendin e tyre qytetarët tanë të dërmuar nga kriza ekonomike, varfëria dhe padrejtësitë tjera, të cilat ua kanë humbur shpresën për një jetë normale të cilën e meritojnë në vendin e tyre, në Kosovën e tyre të pasur me pasuri të pashtershme natyrore... pa u detyruar që ta lëshojnë vendin e tyre për tu tretur dyerve të Botës kinse për një jetë më të mirë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat