Refreni: Mos na prish me Amerikën, fakt apo vetëmashtrim

Opinione

Refreni: Mos na prish me Amerikën, fakt apo vetëmashtrim

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 19:36
Ramazan Bekteshi

Tani më në Kosovë, lindi dhe u bë ritual përsëritja  e refrenit  ‘mos na prish me Amerikën’, duke e shndërruar ne një sintagmë kakofonie dhe në një alarm të rrejshëm. Por, sa përqind të qytetarëve shqiptarë do ta adoptojnë këtë ‘parullë’ stihie kur vendi ynë ndodhet buzë sezonit të stuhive të shfrenuara politike të brendshme e ndërkombëtare.

Një plejadë e re politikanësh për t’i arritur qëllimet e veta janë shndërruan në servilë të përhershëm të ndërkombëtarëve, dhe vendimet në interes të shtetit ata nuk dëshirojnë t’i marrin të zgjedhurit e popullit, por ndërkombëtarët, që u premtonin liberalizim vizash në këmbim të faljes së tokës së shtetit, derisa për resurset e shtetit vendosnin Grenell-ët por jo beterët tanë.

Mentaliteti i servilizmit dhe varësisë nga ndërkombëtarët ka mbet në pozitën e para pavarësisë. Sot kur kryeministri mundohet të mbroj kushtetutën e vendit me fanatizëm, një grup servilësh të opozitës në kor e përsërisin parullën e tyre të vetë sajuar “mos na prish me Amerikën”!

Këmbëngulësia e Kryeministrit për reciprocitet si pëlqen opozitës, ata në vend që të solidarizohen, kërkojnë kompromise, kërkojnë të dëgjojmë aleatët edhe atëherë kur e kane gabim, edhe atëherë kur i vëne kushte më të dobëtit por jo kryesit të krimeve gjatë luftës, atij që provokon paqen vazhdimisht.

Kryekrimineli Vuçiq me provokimet e tij, jo vetëm që po i rebelon serbët por çuditërisht edhe opozitën kosovare kundër kryeministrit Kurti për qëllime të tij të njohura, e mediat serbe u bëjnë jehonë deklaratave të opozitës kosovare, se Kurti po na prish me ndërkombëtarët.

Rebelizmi i opozitës ndaj çdo veprimi të kryeministrit, edhe atëherë kur ai tenton të ruajë kushtetutën e vendit, edhe atëherë kur tenton të burgosi kriminelët, të vë rend në Veri, edhe atëherë kur e shpëton parkun nacional, Sharrin nga masakra, edhe atëherë kur i thotë jo Zajednices me kompetenca ekzekutive, opozita e pakënaqur sërish ia kris ‘këngës’; na prishi me Amerikën!

Liderët e papjekur të opozitës kosovare sikur harrojnë se bashkësia ndërkombëtare bënë presion aty ku mund t’ia arrij qëllimit, pra i vë presion atij që nuk reziston por dorëzohet me lehtësi. Paradoksalisht, kurrë nuk kushtëzohet Serbia, sepse lideri i saj me fanatizëm mbron edhe atë qe s’i takon, derisa servilët tanë aprovojnë çdo gjë edhe kur është në dëm të vendit vetëm të luajnë rolin e servilit.

Sa shpejtë e harroi opozita jonë Dejtonin, dhe s’nxorën mësime nga ajo marrëveshje. Millosheviqi dhe Tugjmani ngulën këmbë dhe fituan çdo gjë, bilës Millosheviqi krijoi edhe shtetin e dytë serb, Republikën Serbe, derisa Izetbegoviqi si më i pafuqishmi edhe pse ndaj njerëzve të tij ishte kryer gjenocid, iu gjymtua shteti dhe sot pas 27 vitesh mbeti jofunksional. Po, ishte ai 'buldozeri' amerikan, që i detyroi palët të nënshkruajnë marrëveshjen, Holbruk u lëvdua, më në fund dhe vdiq e vendi mbeti me një marrëveshje tmerrësisht të keqe derisa boshnjakët ende vuajnë.

Sa shpejte harroi opozita jonë, se në fillim aleatet tanë kërkonin vetëm autonomi për Kosovën, por Rugova s’e pranoi, as atëherë kur Gelbart e shpalli UÇK-në terroriste, ajo s’u dorëzua por marshoi drejtë lavdisë. Rrethanat politike ndryshojnë në botë,  por jo opozita jonë. Ajo harroi se dikur Toni Bler ishte miku ynë i madh, por sot ai këshillon Serbinë për para. Ambasadori Hill si përkrahës i Kosovës gjatë luftës, por sot nga Beogradi ai s’është më ai Hill-i i njëjtë, sepse ai është atje të ruaj interesin e vendit të vet. Harroi opozita jonë mikun e saj të dashur Grenell, që e rrëzoi Kurtin nga pushteti, sepse ai nuk e pranoi t’i nënshtrohej diktatit të tij edhe pse e pagoi me rrëzim nga pushtetit, atë pushtet që opozita e mori me turp.

Padyshim se këmbëngulësia e Amerikës, Kosovën e bëri të pavarur, ajo akoma i mbron kufijtë e Kosovës edhe pas 23 vitesh, ajo loboi për njohje, ajo e krijoi ushtrinë tonë moderne me standard të NATO-s me shumë përkushtim e sakrifica, ajo krijoi Policinë tonë, ndihmoi çdo hallkë të shtetit tonë, Amerika është donatorja më e madhe e Kosovës. Tani, ajo foshnja e ’99-tës është bërë një burrë 23 vjeçar, dhe është koha që ky trim të sillet si burrë dhe jo foshnje, të sjelli vendime të drejta në interes të vendit të vet dhe mos të lëshoj pe kur cenohet integriteti edhe pranë trysnive. As Amerika s’i do servilët, por njerëz me dinjitet që dinë të ruajnë trashëgiminë e stërgjysheve.

Tani, ajo dora që na rriti do na vë në një sprovë të re, se sa jemi në gjendje të mbrojmë sovranitetin, ajo si një arbitër ndërkombëtar dhe i paanshëm do të bashkë udhëheq me BE-ë finalen e madhe, ekipi me punë kolektive dhe me shpirt vetëmohues do të triumfojë, sa e kane përnjëmend lojtaret tanë të opozitës mbetet të shihet. Për momentin ata janë në korin vajtues me Vuçiqin, kundër KM të vendit, ata nuk ankohen pse i vihen kushte vetëm Kosovës dhe jo edhe Serbisë derisa kryeministri fatkeqësisht do të detyrohet ta shtyj afatin për targat.

Kjo garniturë politikanësh, pozitë-opozitë, nëse nuk i koordinojnë veprimet, do t'i japin shanse të fitojë agresori, që vazhdimisht rebelohet, derisa bashkësia ndërkombëtare vepron sipas situatës në teren, për ta parandaluar përshkallëzimin, por duke e lëne përgjysmë problemin si çdoherë, dhe duke i vënë kushte të reja Kosovës si palë më e dobët. Opozita jonë vetë mashtrohet kur thotë se BE dhe Amerika janë aleatët tanë, derisa këta dy të fundit vazhdimisht theksojnë se janë aleatë edhe të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat