Çështja e të zhdukurve është humane, jo politike

Opinione

Çështja e të zhdukurve është humane, jo politike

Latif Mehmeti Nga Latif Mehmeti Më 16 nëntor 2022 Në ora: 09:57
Foto ilustrim

Diplomacia ndërkombëtare, e Bashkimit Evropian dhe SHBA s’kanë qenë asnjëherë më të përkushtuara për ta arritur një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës të Kosovës dhe të Serbisë.

Takimet në mes palëve, Kosovës dhe Serbisë, kanë rezultuar pa ndonjë rezultat.

Nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës ishte premtuar se pika e parë në bisedime me palën serbe do të jetë çështja e të zhdukurve, po ashtu edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar kishin premtuar se do të punojmë edhe për çështjen e të zhdukurve. Madje kishte deklarata se marrëveshja për zbardhjen e fatit të zhdukurve është e gatshme dhe vetëm pritet të nënshkruhet. Tek familjarët këto deklarata dhe premtime kishin ngjallë optimizmin se pas 23 viteve më në fund do të zbardhet fati i familjarëve të tyre të zhdukur.

Mirëpo, në zhvillimet e fundit kanë treguar se çështja e të zhdukurve, nuk është as në pikën e parë, e as nuk përmendet fare si problem. Ky është zhgënjim i madh për familjarët që i kanë varur shpresat në adresa dhe persona të cilët kanë premtuar per zgjidhjen e këtij problemi jetik si pikë e parë e bisedimeve.. Po ashtu zhgënjyese është se si një plan, qe po thuhet se është Franko-Gjerman, që po diskutohet në media, por që ende s’ka konfirmim zyrtar, nuk përmendet fare çështja e të zhdukurve.

Gjatë bisedimeve të deri tashme është thëne se marrëveshja për persona të zhdukur ka mbetur pa u nënshkruar pasi që pala serbe nuk po e pranon termin “zhdukje e dhunshme”.

Jemi dëshmitarë se Serbia deri më tani nuk ka pranuar edhe shumë çështje tjera, që tashmë dihen dhe jo vetëm nga ne, por nga e gjitha bota.

Serbia s’ka pranuar se me dhunë ka bartur njerëz të gjallë dhe të vdekur nga Kosova për në Serbi duke ua humbur gjurmët në mënyra të ndryshme apo edhe duke i djegur.

Serbia kurrë se ka pranuar e as nuk e pranon se trupat e shqiptarëve i ka bartur me nga 500-600 km për ta fshehur krimin.

Serbia nuk pranon se ka bartur trupa nga Kosova në Peruqac në kufi me Bosnjen dhe i ka hedhur në lumnajë.

Serbia nuk e pranon se trupat e shqiptarëve i ka varros në Petrovo Sello në Kufi me Hungarinë.

Serbia nuk e pranon se në Batajnicë e në shumë varreza masive, varrosi shumë trupa të shqiptarëve, varrosja u bë në mënyrë të dhunshme duke i shkelur trupat e shqiptarëve me makina të rënda deri te djegiet e trupave (shih dëshmitë: Raporti ndërkombëtar për persona të zhdukur).

Serbia nuk pranon se trupat e shqiptarëve u varrosën ne gropë të gurthyesit dhe mbi trupat e tyre ndërtuan objekt banimi. Serbia nuk pranon se trupa e shqiptarëve i hedhë në gropa të minierave dhe i mbuloj me mbeturina dhe mbetje të minierës.

Serbia nuk pranon se me dhunë i barti 83 shqiptarë të gjallë nga Kosova në Serbi e qe akoma nuk dihet për fatin e tyre sikurse edhe rasti tashme i njohur i Vëllezërve Bytyqi .

Nëse gjithçka ka ngecur për një fjalë “zhdukje me forcë”, është e udhës që të bëhet një zgjidhje që të kalojmë në hapin tjetër, gjetjen e kufomave, që familjarët ta kenë një lehtësim për të afërmit e tyre që i kanë pa varre.

Familjarët e të zhdukurve meritojnë që ta kenë një përgjigje nga shteti e cila qysh moti iu është premtuar dhe po ashtu meritojnë ta jetojnë pjesën tjetër të jetës pa brengën që familjari i tij s’ka as varr.

Familjarët çdo herë kanë kërkuar se çështja e të zhdukurve duhet të ndahet nga çështjet politike, prandaj ky problem meriton më shumë të trajtohet si çështje humanitare e jo politike.

Shoqata për Persona të Zhdukur dhe viktima të Luftës ‘’Përkorë’’ Podujevë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat